in

Taksa mbi lejet e qëndrimit nuk paguhet më

TAR pranon ankesën e patronatit INCA dhe sindikatës CGIL, duke zhdukur plotësisht kontributin nga 80 deri në 200 euro për lëshimin e përtëritjet e lejeve të qëndrimit. Piccinini (Inca): “Merr fund spekulimi i turpshëm në kurriz të imigrantëve”

Romë, 25 maj 2016 – Taksa mbi lejet e qëndrimit nuk ekziston më, imigrantët nuk duhet të paguajnë më 80, 100 apo 200 euro kontribut për të jetuar rregullisht në Itali.

Një sentencë e depozituar dje nga TAR i Lazios ka hequr kontributin për lëshimin apo përtëritjen e lejeve të qëndrimit që hyri në fuqi në vitin 2012. Gjykata administrative ka pranuar ankesën e paraqitur nga INCA e CGIL. Një fitore historike për patronatin e sindikatën (“kemi strafituar”, thonë me të drejtë), por mbi të gjitha për milionë imigrantë, pas një beteje që zgjati katër vjet, të çuar përpara në Itali dhe Evropë.

Pikërisht Gjykata e Drejtësisë Evropiane, të cilës iu drejtua TAR i Lazios, më 2 shtator të vitit të shkuar, u shpreh se kontributi për lëshimin e përtëritjen e lejeve të qëndrimit të kërkuar nga Italia është “tepër i lartë”, aq sa përbën një pengesë për të drejtat e qytetarëve të huaj, ndaj shkel normativat evropiane. Fjala i kaloi sërish TAR-it për vendimin përfundimtar, por ndërkaq qeveria në gjithë këta muaj e bëri veshin të shurdhër, duke e lënë kontributin në fuqi pa e ndryshuar.

Dje, TAR i Lazios duke marrë parasysh sentencën evropiane vendosi të procedojë me “mosaplikimin e normativës kombëtare, që detyron të huajt që kërkojnë lëshimin apo përtëritjen e lejes së qëndrimit të paguajnë një kontribut që shkon nga 80 në 200 euro”. Sentenca shfuqizon nenet themelore të dekretit ministror (DM 6 tetor 2011), të nënshkruar nga ministrat e asokohe të Brendshëm e të Ekonomisë, Roberto Maroni dhe Giulio Tremonti, që kishte sjellë në fuqi kontributin.

Po tani ç’ndodh? Tani të gjithë imigrantët nuk duhet të paguajnë më. Mbi këtë nuk ka pikë dyshimi. Qeveria ka shumë mundësi që të humbasë akoma kohë para se të lajmërojë kuesturat e shpejt do të detyrohet të vendosë për shuma të reja më të ulëta të kontributit, por sentenca është shumë e qartë: tani për tani ato para nuk duhen i duhen kërkuar kujt aplikon për lëshim apo përtëritje të lejes së qëndrimit. Mbeten ama në fuqi shpenzimet e tjera: 16 euro për pullë-taksën, 30,46 euro për shtypjen e dokumentit elektronik dhe 30 euro për shërbimin e ofruar nga Postat italiane.

“Kënaqësia është e madhe, është fundi i një spekulimi të turpshëm në kurriz të qytetarëve të huaj” thotë për Stranieriinitalia.it Morena Piccinini, presidente e INCA-s. “Për vite me radhë u veprua jo në mirëbesim, duke menduar që imigrantët, vetëm pse të tillë, mund të detyroheshin të paguanin çfarëdo lloj shifre për të qëndruar në Itali, pa pasur asnjë konsideratë për të drejtat e tyre. Qeveria duhej të vihej në lëvizje menjëherë pas sentencës së Gjykatës Evropiane por as që ia vuri veshin”.

INCA e CGIL, që çuan përpara këtë betejë mes indiferencës së shoqatave e sindikatave të tjera, kishin hapur ditët e shkuara një sërë gjyqesh në mbarë Italinë, për të kërkuar rimbursimin e parave të paguara padrejtësisht nga imigrantët. “Çështjet gjyqësore mbeten të gjitha të hapura – siguron Piccinini – ai kontribut është i paligjshëm ndaj u duhet kthyer imigrantëve. Do të jenë edhe një nxitje më shumë për qeverinë që duhet të marrë masat sa më parë”.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Sentenza del TAR Lazio che cancella la tassa sul permesso di soggiorno

Bonus kultura 500 € edhe bijve të imigrantëve, tani është ligj