Në Lampedusa do të ngrihet Muzeu më i madh i Migrimeve të Mesdheut. Ishulli i Sicilisë gjatë viteve të fundit ka qenë pika e zbarkimit për mijëra imigrantë klandestinë dhe kërkues të strehimit politik, që për të mbërritur deri aty kanë kapërcyer detin në udhëtime të rrezikshme që shpesh kanë përfunduar në mënyrë tragjike.
Projekti i muzeut ka nisur tani që në Lampedusa zbarkimet thuajse janë ndërprerë krejtësisht. Falë traktatit mes Libisë dhe Italisë në fakt janë përforcuar kontrollet në atë pjesë të detit që ndan ishullin nga brigjet afrikane dhe udhëtimet e klandestinëve janë zhvendosur, siç dëshmojnë zbarkimet e reja në brigjet e Kalabrisë dhe të Puglies, më parë pikëmbërritje e shqiptarëve.
Edhe pse mediat italiane u japin jehonë të madhe zbarkimeve, as një e dhjeta e klandestinëve në Itali, nuk vjen nga deti. Rreth 30% e tyre vijnë përmes kufijve tokësorë. Pjesa dërrmuese e klandestinëve janë në të vërtetë “overstayers”, siç quhen personat që kanë hyrë ligjërisht në Itali, por që kanë qëndruar edhe pas skadimit të lejes së qëndrimi.