Biznesmen shqiptar në Itali, i angazhuar në fushën sociale dhe subjekt i një libri me titullin: “Niko, Nikolin Gjeloshi, cittadino del mondo”. Është shkruar nga Paolo Seganti dhe do t’i paraqitet publikut më 11 shkurt 2011, në “Sala dei Cinquecento” në Firence
Kanë kaluar tashmë 20 vjet nga ‘90-a kur u thyen dyert e ambasadave, dhe nga marsi i 1991-shit kur u nisen anijet plot me shqiptarë që arratiseshin nga vendi i tyre për të arritur atë parajsën që për kaq shumë kohë ju ishte ndaluar. Sa prej tyre kanë sot një vendin në “Kopshtin e Edenit”?
Nikolin Gjeloshi paraqet një rast unik të një imigranti të vitit 1993, në cilësinë e një sipërmarrësi shqiptar. Ai është subjekt i një libri në dalje ku rrëfehet historia e tij nga fëmijëria deri më sot, me titullin: “Niko, Nikolin Gjeloshi, cittadino del mondo”. Është shkruar nga Paolo Seganti, që është dhe aktor shumë i njohur dhe dashamir i drejtësisë shqiptare, dhe do t’i paraqitet publikut më 11 shkurt 2011, në “Sala dei Cinquecento” në Firence. Novelat e librit, në një farë mënyre “rrëfejnë historinë dhe vuajtjet e shumë shqiptarëve si unë” thotë Nikolini.
Ndër të tjera mësojmë që Nikolini ka qenë edhe viktimë e kuesturës së Firences që i refuzoi të drejtën për të kthyer lejen e qëndrimit nga motive punë të varur, në motive për punë të pavarur, për shkak të situatës në Shqipërinë e 1997-tës. Më saktësisht, ai kërkoi këtë të drejtë për të krijuar një firmë personale, por që një arsyeja e trilluar të një mungese të reciprocitetit me ndërmarrjet italiane në Shqipëri e detyroi atë t’i drejtohej Ambasadës shqiptare dhe drejtpërdrejt Shtetit shqiptar. Vetëm me gjyq dhe me ndërhyrjen e autoriteteve në Itali dhe në Shqipëri u bë e mundur për të gjithë emigrantët shqiptarë një rrugë më e thjeshtë për hapjen e aktivitetit privat dhe të pajisjes me lejeqëndrim për punë të pavarur sipas parimit të reciprocitetit. E gjitha kjo u vendos nga TAR (Tribunale amministrativo regianale) i Firences, e cila i kaloi Kuesturës.
Me shpresat, angazhimet serioze në punë dhe mundimet tipike të një imigranti, ai arrin të krijojë kompaninë EDIL-ALBO që nga viti 1998, dhe të bëhet i vetmi përfaqësues i firmës Del Taglia Piscine, me kontakte në të gjithë botën. Me intervistën që na lëshoi, tejduket historia e atyre emigrantëve shqiptarë që, prej fillimit të viteve ‘90 deri më sot, kanë ndryshuar shtresën, cilësinë dhe prospektivën e një populli, kanë luajtur rol të rëndësishëm në atë çka shpesh quajmë transformimi i imazhit dhe kulturës për integrimin e shqiptarëve në Itali që filloi 20 vjet më parë. Ndër vite, Nikolini është impenjuar edhe personalisht me organizimin e shoqatave për integrimin e shqiptarëve.
Ju jeni një nga shembujt që me punën individuale ka hedhur poshtë paragjykimet dhe ka arritur një nivel jetese i dëshirueshëm. Ku fillon historia juaj, zoti Gjeloshi?
Historia ime është e përzier me shumë çaste shprese, vuajtjeje, angazhimi, zhgënjimi, pune dhe suksesesh që më në fund më kanë lejuar të arrija pika të paimagjinuara. Në vitet ’92-‘93, në Shkodër, ku dhe jetoja, fillova punë në Polici dhe bashkëpunova me Operacionin “Pellicano”. Por, për fat të keq, pritshmëritë e mëdha që kisha u zbehën shumë shpejt, sepse e ndjeva këtë punë jo si një profesion ku mund të aplikoje pasionin tënd por si degjenerim të përhapur dhe të përgjithshëm të istitucioneve, si rrjedhojë të nivelit shoqëror i asaj kohe. Frika, kushtet e jetesës, mungesa në stabilitetin politik dhe shoqëror ishin kaq të prekshme sa vendosa të kaloja kufirin. Dhe mu deshën 6 përpjekje ku rrezikova jetën për të arritur në brigjet e Italisë. Arrita në fund të vitit 1993. U ndala në Sicili për një kohë të shkurtër, pastaj u zhvendosa në Toskanë me ndihmën e të afërmve të mi, pikërisht në Prato ku dhe fillova punë në ndërtim.
Mësojmë që nuk keni humbur kohë për të nisur aktivitet më vete. Ndodhi rastesisht apo e ishte ndër mendimet tuaja?
Duke përfituar nga Sanatoria e vitit 1996, mora “lejen e qëndrimit” në cilësinë e një punonëtori i varur. Në atë moment frika ose pasiguria që kisha nga dita e parë e emigrimit u zbehën, dhe mora kurajo për të nxitur punën dhe për të shtuar dijenitë në funksionimin e sistemit italian. E gjitha ndodhi falë njohurive dhe përvojës personale gjatë rreth 3-4 viteve. Kur kërkova të drejtën për të punuar më vete, dhoma e tregtisë më refuzoi regjistrimin sepse përpara duhej të ndryshoja motivin e lejes së qëndrimit nga punë e varur, në punë të pavarur. Prandaj dhe bëra kërkesën në Kuesturë, por dhe ajo ma refuzoi, duke nxjerrë si arsye mungesën e reciprocitetit me Shqipërinë. Pra sipas kësaj logjike, nëse në Shqipëri italiani nuk hapte dot aktivitet privat, as në Itali shqiptari nuk do të mund të bënte një gjë të tillë. Pra, ishte sikur shteti italian të mos pranonte të paguaja taksat si çdo sipërmarrës tjetër. Atëherë u detyrova të merrja një avokat që e ndoqi gjithë çështjen. Më në fund, në vitin 1998 m’u dha mundësia për një biznes të pavarur dhe të ligjshëm, ku munda të shfrytëzoj plotësisht aftësitë dhe njohuritë në sektorin e ndërtimit. Me kohë u bëra dhe konsulent teknik i vetëm në itali për ndërtimin e pishinave të firmës “Del Taglia Piscine”, për të cilën vazhdoj të punoj edhe sot.
Cilat ishin motivet që ju shtynë në ketë drejtim? Ishte vetëm një çeshtje parash apo edhe arritje ose shpërblim personal?
Ndër motivet është edhe një prirje karakteriale që e kam pasur që kur isha adoleshent në Shqipëri. Punën individuale dhe me pronë personale e kam menduar gjithmonë si të vetmen rrugë fitimprurëse. Bindja u përforcua me ndjenjën që ne imigrantët shfrytëzoheshim në “punët e krahut” dhe nuk na paguanin sa duhej. Do shtoja tre motive që i mendova të favorshëm: e para që tregu i ndërtimit ishte gjithnjë e në zgjerim, ishte moment shumë i favorshëm për këtë sektor. E dyta, avantazhi i pashmangshëm ekonomik me bindjen në vetvete që po të punoja për llogarinë time do të ndihesha më i stimuluar për punë, e cila nuk do të më mungonte, dhe unë kisha eksperiencën e duhur për marrëdhëniet e punës. Nuk kisha dyshim që ky hap, edhe pse i madh për atë periudhë, do ishte me leverdi per mua. E treta, doja që t’i siguroja vetes të drejtën për dokumente dhe të ndihesha i stabilizuar për kohë të gjatë.
Pa dyshim do të keni jetuar dhe pengesa të mëdha si i huaj në ambietin e punës. Si e keni përballuar?
Në fillim çdo gjë është e vështirë, dhe për mua ishte më e veshtirë se ç’e prisja, sepse dija të bëja punën por jo si drejtohej një biznes. Vështirësia shtohej për faktin që nuk kisha asnjë mbështetje apo këshillë nga nivelet institucionale, asnjë kurs të posaçëm për të huajt, për gjuhën, për të kuptuar praktikat e ligjit italian, për konsulenca, për udhëzime. Prandaj shkolla ime më e madhe e kulturës së biznesit ka qenë përvoja ime personale. Për të kuptuar më mirë, kam llogaritur një mesatare kilometrash që bëja, ishin rreth 620 km në ditë për periudhën e parë. Bazuar mbi gabimet e mia, kam mësuar funksionimin e çdo gjëje. Nëse gabon një herë në rrugën që ke zgjedhur, herën tjetër bën kujdes që të mos e bësh të njëjtin gabim. Ky është një mësim që vlen edhe në jetë, dhe kjo ishte e vetjma mënyrë për të shmangur pengesat.
Ju kujtohet ndonjë episod kur pengesa ishte e pashmangshme?
Është normale të kesh probleme me partnerët e punës, por unë kam pasur dy raste ku kam humbur për shkak të istitucioneve italiane. Në njërin rast, duke respektuar skadencat kisha dorëzuar një faturë prej 80 milionë liretash për një punë tek një kompani që pas pak kohës falimentoi, por që më kërkuan 20% e IVA-s nga këto para që unë nuk kisha marrë kurrë. U ankova tek istitucionet, por ato më çonin nga një zyrë në tjetrën. Si mos të mjaftonte, këto para mi llogaritën edhe si përfitim vjetor, kështu që jo vetëm humba punën duke humbur paratë por edhe pagova dy herë taksa mbi të ardhura që nuk kisha marrë kurrë. Në një rast tjetër, në vitin 2001 pësova një aksident në punë, dhe për 40 ditë raport mjekësor më shpërblyen gjithsej 30 mijë lireta, që do të thotë as 1.000 lireta në ditë. Kështu i binte sikur unë të mos kisha paguar taksat kurrë. Ky ishte një rast jo vetëm i padrejtë por dhe skandaloz për mua që kisha punuar ndershmërisht dhe nuk ishte respektuar proporcioni i taksava me pagesën nga vetë istitucionet.
Zakonisht vështirësitë janë të theksuara tek një imigrant. Pas sa kohësh mendoni që mes jush dhe një italiani nuk ka pasur më dallim në punën?
Duhen të paktën 10 vjet punë për të marrë çdo njohuri të duhur, për të kuptuar mekanizmat e funksionimit dhe ligjet, duke mbajtur parasysh mungesën e çdo kursi formimi, pra duke u ushtruar vetëm në mënyrë praktike. Në rastin tim, që nga viti 1997 kur kam filluar përvojën time, të paktën deri në 2007-tën, kam pasur momente që lidhur me gjuhën ose sistemin, kam ndier diferencën mes meje dhe një italiani të njëjtit livel.
Çfarë duhet të shmangë një sipërmarrës i ri sot? Dhe çfarë do t’i këshillonit që të ndërmerrte absolutisht?
Unë kam qenë vetë shkolla ime. Kështu pjesa më e madhe e të huajve biznesmen janë pa asnjë lloj përgatitje të mëparshme. Sot ka njëfarë ndihmese nga istitucionet, por dhe vërej një mungesë kulture bazë për biznes shumë të gjerë. Mbështetja përqëndrohet mbi rregullat e sigurisë dhe nuk japin mundësinë të kuptojnë për çfarë vlen siguria, d.m.th. mungon ajo pjesë e kulturës së përgjithshme të sipërmarrjes (rregullat e sjelljes, cilësisë së marketingut, etj.). Do këshilloja më shumë shoqërizim mes sipërmarrësve, të marrin pjesë në shoqatat e punëdhënësve, për të njohur dhe transmetuar të gjitha informacionet themelore të menaxhimit, por edhe për të pasur mbështetje në nivelin psikologjik, që është i nevojshëm për ato raste fillestare, kur një humbje e vogël të çon në dështim total pasi nuk di si të kufizohet dëmi.
Mendoni që në fushën e punës shqiptarët kanë arritur të integrohen sot? Jeni të kënaqur për atë që kanë arritur në përgjithësi?
Mendoj që impakti i sipërmarrësve shqiptarë me shoqërinë ekonomike italiane është lehtësuar nga struktura e vetë kësaj shoqërie. Pohohet shpesh që ekonomia italiane bazohet mbi firmat të vogla dhe të mesme, që kanë pjesëmarrje familjare, dhe falë kësaj strukture shqiptarët e kanë pasur më të lehtë të tregojnë cilësitë e tyre. Në këtë mënyrë, ata vetë individualisht, d.m.th. secili me punën e tij personale ka treguar veten se është punëtor duke ngjallur mitin e “shqiptarit të mirë” në ambientin e punës. Kontakti personal pra u ka hap derën shqiptarëve, por nga ana tjetër ka munguar një pjesë e integrimit të përgjithshëm në shoqëri, dhe sidomos në kontakt me istitucionet, pra me nivelet e larta. Punët vazhdojnë të zhvillohen në më të shumtën në nivelet e ulëta të sektorëve ekonomikë, në ato punë që italianët preferojnë të delegojnë, duke e vështirësuar integrimin të plotë të shqiptarëve. Pra, duhet shtyrë për një pjesëmarrje më të gjerë në të gjitha nivelet e punëve dhe të shoqërisë italiane.
Si lindi idea e një libri dhe nga ju erdhi shtysa për një vepër të tillë? Dhe kujt do t’ia kushtonit sot?
Mua personalisht që nga viti 2003 më është bërë konkrete ideja që kam pasur që në udhëtimet e mia klandestine për të ardhur në Itali. Të gjithë ata persona që kanë kaluar detin në kushte të tilla, me skaf ose gomone, kanë pësuar një traumë jetësore që nuk do ta harrojnë kurrë. Kështu që miqësia me Paolon bëri të mundur që unë t’i shprehja idetë e mia, dhe ai mendoi për një libër duke pasur një obiektiv akoma më të madh që është ai i realizimit të një fiction televiziv por që për momentin, kriza ekonomike e lë pas. Megjithatë, ju ftoj të lexoni librin për të kuptuar disa nga mundimet që emigrantët e detit kanë përjetuar për të kuptuar më mirë.
Librin dua t’ia kushtoj të gjithë atyre djemve, vajzave, nënave dhe fëmijëve që kanë përjetuar një sfidë të tillë në jetë, duke mos harruar dhe të gjithë ato qindra vetë që lanë jetën e tyre në Kanalin e Otrantos dhe në ujërat që ndajnë Shqipërinë me Italinë. Është historia ime e vërtetë, që ngjan me historinë të mijëra emigrantëve shqiptarë, ajo që më dha shtysën për librin, ndaj ua dedikoj.
Afërdita Shani, Firence