Në një intervistë të gjatë dhënë për gazetën Bota Shqiptare ministri shqiptar i Punëve të Jashme, Edmond Haxhinasto foli për tema të ndiera për shqiptarët në emigracion si aplikimet pranë përfaqësive konsullore për pasaportat biometrike, e drejta faktike e votës apo e drejta e pensionit të shqiptarëve emigrantë që kanë punuar edhe në Shqipëri.
Bota Shqiptare: Dy milionë shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë kanë nevojë për shërbime specifike që shqiptarët në Shqipëri i kanë disi më të lehta. Një nevojë gjithnjë e më urgjente po bëhet tashmë aplikimi për pasaportat e reja biometrike. Tanimë është miratuar në Kuvend, është botuar edhe në fletoren Zyrtare shtesa në marrëveshjen mes shtetit shqiptar dhe shoqërisë koncesionare që ofron këtë shërbim. Kur do të fillojë konkretisht ky shërbim?
Ministri Haxhinasto: Ofrimi i këtij shërbimi, sigurisht ka nevojë edhe për një infrastrukturë të caktuar që është jo vetëm infrastrukturë e pajisjeve të nevojshme për kryerjen e aplikimit, por gjithashtu është diçka që ka të bëjë edhe me përgatitjen, trajnimin e stafit që do të merret pikërisht me pranimin e aplikimeve. Aktualisht jemi në fazën përmbyllëse të një marrëveshjeje me institucionet përkatëse që janë pjesë e këtij procesi. Unë mendoj që shumë shpejt, çështje javësh, ne do të fillojmë veprimin konkret të marrjes së aplikimeve për pasaporta biometrike për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Itali.
Mund të na jepni një afat kohor më të saktë, mund të themi që brenda shkurtit shqiptarët do të mund të aplikojnë në Itali për pasaportat biometrike?
Ju thashë që jemi në një proces ndërinstitucional të përfundimit të marrëveshjes. Është diçka që nuk varet vetëm nga Ministria e Jashtme, janë edhe institucione të tjera të përfshira, por ne do të bëjmë maksimumin e mundshëm, ne do të ofrojmë maksimumin e gatishmërisë, të bashkëpunimit, me qëllim që ky shërbim i rëndësishëm për emigrantët shqiptarë të jetë funksional sa më shpejt.
Një pikë që prek gjithnjë e më nga afër emigracionin është ai i pensioneve. Gjatë këtyre 20 vjetëve po bëhen të shumtë njerëzit që po i afrohen moshës për të dalë në pension e shumë prej tyre që kanë punuar qoftë në Shqipëri qoftë në Itali, në rastin konkret, nuk kanë mbushur vjetërsinë në punë as atje e as këtu. Kohët e fundit ministria e Jashtme ka nënshkruar një marrëveshje me ISSh. Mund të na thoni për çfarë bëhet fjalë?
Kemi bërë një marrëveshje me ISSh-në para pak javësh që ka si thelb që emigrantët shqiptarë që aktualisht jetojnë jashtë Shqipërisë të marrin informacion mbi kontributet vullnetare. Praktikisht ministria e Jashtme i ofron ISSh-së infrastrukturën e ambasadave të jashtme për të realizuar sigurimin vullnetar të këtyre emigrantëve. Mendoj se në të ardhmen do të mundësojmë derdhjen e këtyre kontributeve. Forma se si do ta realizojmë mbetet për ditët e ardhshme por mendoj se është një marrëveshje shumë e rëndësishme, shumë e ndier nga emigrantët ndaj duhet përmbyllur sa më shpejt.
Marrëveshja mes ministrisë dhe ISSh-së parashikon që fillimisht ambasadat të shërbejnë për marrjen e informacionit mbi sigurimet shoqërore vullnetare dhe në një fazë të dytë të sigurohet derdhja e tyre pranë ambasadave.
Ministria e Jashtme do të monitorojë me shumë vëmendje edhe ecurinë e marrëveshjeve dypalëshe mes ISSh-së dhe INPS-it në rastin italian, që shqiptarët të kenë mundësi të mbledhin në një farë mënyre vitet e punës në Shqipëri me ato në Itali.
Ju thatë që jetojnë jashtë Shqipërisë, nga një e treta deri thuajse gjysma e popullsisë. Të gjithë pranojnë që ndihma e dhënë nëpërmjet dërgesave në para familjeve të tyre dhe ekonomisë shqiptare në përgjithësi, është shumë e rëndësishme dhe zë një vend të ndjesh ëm në prodhimin e brendshëm bruto të vendit. Por kjo pjesë e mirë e popullsisë de facto nuk gëzon të drejtën e votës. A nuk janë këta sipas mendimit tuaj aksionarë pa të drejtë fjale të Shqipërisë? A do të mendojë shteti shqiptar të zgjidhë këtë çështje, apo do të dëgjojmë të flitet në këtë drejtim vetëm në prag votimesh kur është vonë për të ndërhyrë në ligj?
Sigurisht çështja e pjesëmarrjes në vendimmarrjet politike të emigracionit është një çështje e rëndësishme. Është një çështje që, në mënyrë të veçantë partia politike që unë përfaqësoj, Lëvizja socialiste për Integrim, e ka pasur pjesë të programit të saj. Sigurisht realizimi i një projekti të tillë është i rëndësishëm por kërkon mbështetjen politike të të gjithë krahëve të politikës për një reformë sa më të gjerë zgjedhore që dotë përfshijë edhe të drejtën e emigrantëve për të votuar edhe në vendet ku ata jetojnë, pasi siç e dini të drejtën e votës, emigrantët e kanë por mund ta gëzojnë e ta ushtrojnë duke shkuar në Shqipëri. Mendoj që është diçka e rëndësishme sepse nëse emigrantët do të kishin të drejtë faktike të votonin në vendet ku janë, çdo qeveri do të ishte më e përgjegjshme në realizimin e të gjitha detyrimet kushtetuese ndaj tyre.
Ka ndonjë projekt në Kuvend që konsideron edhe këtë aspekt të të drejtës së votës?
Ju thashë që kjo do të jetë pjesë e një reforme zgjedhore që do të ketë konsensusin e të gjitha grupimeve politike pasi është nga ato ligje që kalon me shumicë të cilësuar. Mund t’ju them vetëm që në reformën e ardhshme zgjedhore vota e emigrantëve do të jetë një nga çështjet që do të diskutohet me seriozitetin më të madh.
Bisedoi Keti Biçoku
(Një pjesë e intervistës është transmetuar në BBC World Service)
Lexo edhe: Italia i ofron infrastrukturën e saj Shqipërisë për përfaqësim më të gjerë në botë
Ministri: “Është kënaqësi të takoj njerëz të suksesshëm, që ngrenë lart emrin e Shqipërisë”