Kërkesë për interpelancë ministrit të Brendshëm e të Ekomisë nga parlamentari Beppe Guerini (PD). “Të japin udhëzimet se si të veprohet, edhe për rimbursimet”
Romë, 13 qershor 2016 – Çfarë presin akoma ministritë e Jashtme dhe e Ekonomisë që t’u sqarojnë të gjithëve që taksa mbi lejet e qëndrimit nuk paguhet më? Ndërsa ato bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë (asnjë komunikatë, asnjë qarkore), ekziston rreziku që imigrantët të paguajnë akoma padrejtësisht dhjetëra apo qindra euro për kokë.
Çështja mbërrin në Parlament, falë një kërkese për interpelancë ministrave Angelino Alfano dhe Pier Carlo Padoan të paraqitur të premten e shkuar nga deputeti PD Beppe Guerini dhe e nënshkruar nga kolegë të tij të të njëjtës parti, të Possibile dhe SEL.
Guerini e njeh mirë çështjen, e jo vetëm pse përpara se të bëhej deputet një avokat veçanërisht aktiv në frontin e imigracionit. Që dhjetorin e shkuar, ndërsa diskutohej ligji i Qëndrueshmërisë, i kishte kërkuar qeverisë me një rend dite (të pranuar) të shqyrtonte se si të mund të merrte masa për të respektuar sentencën e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, që e kishte bllokuar taksën mbi lejet e qëndrimit.
“Tani që u shpreh edhe TAR i Lazios, duhet të informohen menjëherë kuesturat që nuk mund të pretendojnë më kontributin e të qetësojnë qytetarët e huaj që nuk duhet të paguajnë më taksën. Ndokush sot, në këtë mungesë informacionesh, mund të shtyhet të paguajë, duke besuar se përndryshe rrezikon lejen e qëndrimit” thotë Guerini për Stranieriinitalia.it.
Në kërkesën për interpelancë përshkruhet e gjithë beteja legale e çuar përpara nga Inca Cgil kundër taksës, sentenca e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe ajo e 24 majit e TAR-it të Lazios që “e heq kontributin”.
“E me gjithë këto vendime gjyqësore të qarta dhe me autoritet – denoncojnë deputetët – na rezulton se në shumë raste e në shumë kontekste territoriale kontributi në fjalë po kërkohet akoma normalisht, që asnjë kërkesë për rimbursim nuk është pranuar, e që nuk janë lëshuar udhëzime të përshtatshme operative që të garantohet respektimi efektiv i sentencave të dhëna si në Evropë ashtu edhe në Itali”.
Rezultati i heshtjes së ministrive? Që sot në Itali ka Kuestura që vazhdojnë të pretendojnë kontributin ose që paralajmërojnë se do të pezullojnë apo do të hedhin poshtë kërkesat e lejeqëndrimeve të atyre që nuk paguajnë, ashtu siç ka edhe zyra postare që “këshillojnë” imigrantët të paguajnë, kur ata paraqesin kompletin e formularëve për lëshimin apo përtëritjen e dokumentit të qëndrimit.
Në interpelancë u kërkohet ministrit të Ekonomisë dhe atij të Brendshëm “nxjerrja e një qarkoreje ose një dokumenti tjetër të përshtatshëm për të shpjeguar që efekti praktik i sentencës 6095/2016 të Tar-it të Lazios është të bëjë të pamundur mekanizmin e vjeljes së “kontributit për lëshimin ose përtëritjen e lejeve të qëndrimit”. U kërkohet gjithashtu të ndërmarrin “nisma ligjore ose procedura administrative për të lehtësuar kthimin mbrapsht të shumave të kërkuara në mënyrë të paligjshme” nga 2012-ta deri më sot.
Ndërkaq duhet nxjerrë një tjetër mësim. “Fakti që u desh të shkohej për të njëqindtën herë në gjykatë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të huaj – vëren Guerini – është disfatë për Shtetin. Ka ardhur koha të imigracioni të mos shqyrtohet vetëm si çështje rendi publik dhe të normalizohen marrëdhëniet mes institucioneve dhe imigrantëve”.
“Nuk është e mundur – shpjegon deputeti i PD-së – që një italian të ketë si bashkëbiseduese Komunën për kartën e identitetit, ndërsa imigrantii t’i duhet të shkojë në Kuesturë për lejeqëndrimin. Administrimi i lejeve duhet t’u kalojë Komunave, natyrisht bashkë me burimet e nevojshme”.
Elvio Pasca
Lexo edhe:
Taksa mbi lejet e qëndrimit nuk paguhet më
Sentenza del TAR Lazio che cancella la tassa sul permesso di soggiorno
Taksa mbi lejet e qëndrimit. “Tani duhen dëmshpërblyer imigrantët”