Dje në “shtëpinë evropiane” të Kombëtares shqiptare është përjetuar një moment të bukur feste. Gianni De Biasi mbushi 60 vjeç e me një tortë të madhe kuqezi të përgatitur nga Federata shqiptare e futbollit, i emocionuar ka falënderuar djemtë e tij për çka dhanë në fushë në dy ndeshjet e para e u ka kërkuar të japin maksimumin e tyre të dielën e ardhshme.
“Shprehni një dëshirë” – i kërkuan pasi i kënduan në gjuhën shqipe “Shumë urime për ty, shumë urime për “Ganiun”…”
“Dëshira imë është të kualifikohemi të dielën. Jam vërtet i kënaqur për lojën tuaj në dy ndeshjet e para, por shpesh futbolli nuk ta shpërblen siç e meriton. E ju them se në dy ndeshjet e tjera meritonit krejt tjetër rezultat. Jam krenar që jam trajneri juaj, jam krenar që ju zgjodha, jam krenar që jam këtu mes jush por dua të jem krenar edhe të dielën në darkë. – tha De Biasi – Sepse dua të hyjmë në fushë e përtej rezultatit të tregojmë që nuk jemi të dytë ndaj askujt. Pa fodullëk, por me përulësi dhe këmbëngulje që pashë mbrëmë në ndeshjen me Francën. E me cilësinë që keni treguar mbrëmë, sepse ju keni shumë cilësi, sipas meje, as ju vetë nuk jeni gjithnjë të vetëdijshëm sa cilësi keni”.
Pasi Cana përktheu fjalët e trajnerit (duhet thënë se e bën shumë mirë punën e përkthyesit), fjalën e mori Duka për të falënderuar De Biasin për punën e mrekullueshme e për t’i uruar atij jetë të gjatë e plot gëzime.
“Djemtë deshën të të bënin një tjetër dhuratë mbrëmë – tha mes të tjerave Duka duke iu referuar ndeshjes me Francën – por nuk ia arritën dot”.
Ajo që bie në sy e të bën të vësh buzën në gaz është çka shkruhet mbi tortë, “Buon compleano Mister”, por jemi të sigurt që De Biasi ua fal mungesën e një “N”-je djemve të tij.
GËZUAR DITËLINDJEN/BUON COMPLEANNO MISTER!