in

Taksa mbi lejet e qëndrimit. Komunat: “T’u jepen udhëzime urgjente Kuesturave”

Anci i shkruan nënsekretarit Manzione dhe Shefit të Policisë Gabrielli. “Po veprohet në mënyra të ndryshme në territor, imigrantët rrezikojnë të paguajnë shuma që nuk duhet të nxjerrin nga xhepi”. Por ministria e Brendshme dhe ajo e Ekonomisë akoma heshtin

Romë, 22 qershor 2016 – Taksa mbi lejet e qëndrimit nuk paguhet më, çfarë pret ministria e Brendshme të lajmërojë Kuesturat? Edhe Komunat, që me mëse 400 sportele ndihmojnë imigrantët të përpilojnë kërkesat për lëshimin e përtëritjen e lejeve të qëndrimit, i kërkojnë ministrisë të sqarojë menjëherë situatën.

Të premten e shkuar, Matteo Biffoni, kryetar i Pratos dhe i deleguar për çështjet e imigracionit të Shoqatës Kombëtare të Komunave italiane (ANCI), i ka shkruar nënsekretarit të brendshëm Domenico Manzione, e për njohuri, edhe Shefit të Policisë Franco Gabrielli.

“Në bazë të zbatueshmërisë së menjëhershme të sentencës – lexohet në letër – Kërkoj të jepen udhëzime urgjente rreth mënyrës dhe kohës së aplikimit të saj, në pritje të një mase të mundshme administrative që të zëvendësojë dekretin ministerial të 6 tetorit 2011”. Ai dekret kishte sjellë në fuqi kontributin nga 80 në 200€, të anuluar një muaj më parë nga TAR i Lazios.

“Na rezulton – denoncon Biffoni – se po ndiqen praktika aplikimi të ndryshme në vende të ndryshme, me rrezikun konkret të trajtimit të pabarabartë në dëm të imigrantëve në rast të pagesës së shumave që nuk duhet të paguajnë, gjë që mund të ketë për pasojë edhe humbje për arkat e shtetit”. Kuestura të ndryshme, në pritje të udhëzimeve nga lart, po u sugjerojnë imigranëve të paguajnë sidoqoftë taksën, përndryshe do t’u pezullohen praktikat e shqyrtimit të lejeve të qëndrimit

Problemi, e për këtë nuk ka pikë dyshimi, është që taksa nuk duhet paguar. Kush e paguan, mund të kërkojë paratë mbrapsht, edhe me interesat. Heshtja e ministrisë po u hap kështu rrugën shumë e shumë çështjeve gjyqësore që do të rëndojnë mbi arkat e shtetit, pra mbi xhepat e të gjithë taksapaguesve, italianë e të huaj.

Biffoni përfundon duke kujtuar “pjesëmarrjen dhjetëvjeçare të ANCI-t në sistemin e lëshimit e të përtëritjes së lejeve të qëndrimit” dhe shpjegon që shoqata mund “të japë ndihmën e saj në përcjelljen e udhëzimeve të sakta dhe të shpejta qytetarëve të huaj”.

Saktësi e shpejtësi, që duket se nuk janë tani për tani shqetësimet kryesore të qeverisë. Ministria e Brendshme, kërkesave të përsëritura për sqarim të Stranieriinitalia.it u përgjigjet: “Drejtohuni ministrisë së Ekonomisë dhe Financave”. Por edhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave kërkon kohë në dispozicion: “Akoma nuk kemi nxjerrë komunikata apo qarkore, por po bëhen një sërë vlerësimesh për të respektuar sentencën e TAR të Lazios”.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Bosët italianë të mafias përdorin Shqipërinë si “parajsën” e pastrimit të parave

Bijtë e çifteve të përziera janë automatikisht italianë?