in

Të miturit e huaj falas në muzeumet italiane, tani është ligj

Më në fund modifikohet rregullorja që bënte dallim mes bijve të italianëve dhe bijve të imigrantëve

Romë, 27 qershor 2016 – Tani është ligj. Edhe të miturit jokomunitarë, ashtu si ata italianë e evropianë, mund të hyjnë falas në muzeumet italiane.

Rregulla vlen për bijtë e turistëve të huaj që vijnë të vizitojnë thesaret e artit, historisë dhe kulturës italiane (50 milionë hyrje në vitin 2015), por mbi të gjitha heq një diskriminim që rëndonte mbi brezat e dytë, fëmijë e të rinj të rritur këtu, bij imigrantësh. Deri tani, kur shkonin me shkollën për të parë Koloseun në Romë apo Uffizi në Firence, konsideroheshin ndryshe nga shokët e tyre të klasës.

Dallimin e bënte një rregullore e ministrisë së Kulturës (DM 507/1997) mbi “biletën e hyrjes në monumente, muze, galeri, gërmime arkeologjike, parqe dhe kopshte monumentale të Shtetit”. Neni 4 u lejonte hyrjen falas “shtetasve të BE-së që nuk kanë mbushur 18 vjeç”. Pra të gjithë bijve të italianëve, rumunëve, francezëve por bijve të shqiptarëve apo marokenëve u kërkohej të paguanin biletën.

Një dallim i urryer, veç të tjerash vetëm italian. Në Louvre apo në Prado, sa për të thënë ndonjë shembull, të miturit nuk paguajnë pavarësisht shtetësisë. E kishin kuptuar edhe në ministrinë italiane të kulturës, aq sa në vitin 2013, ministri i asokohe Massimo Bray nxori një qarkore për të lejuar futjen falas edhe të të miturve jokomunitarë e për të shmangur situata, fjalët e tij, “të padenja për një vend që sheh në integrimin mes popujve e në pasurinë e vet kulturore një prej burimeve kryesore” dhe në kundërshtim me “parimet e Konventës t së drejtave të të miturve”.

Ajo qarkore duhej të ishte një mballomë emergjence, e qepur mbi ligjin ekzistent, në pritje të modifikimit. Iu deshën tre vjet për ta moifikuar, por më në fund e bënë.

Të enjten e shkuar u botua në Gazetën Zyrtare dekreti i ri (DM 111/2016) i ministrisë së Kulturës që mes të tjerash zhduk nga rregullorja e vjetër referimin ndaj “qytetarëve të Bashkimit Evropian” dhe e zëvendëson me fjalën “vizitorë”. Nëse janë nën 18 vjeç, ata vizitorë janë të gjithë njësoj: nuk paguajnë biletën e hyrjes, vizitë të mbarë.

Elvio Pasca

 

 

 

Revolta provinciale i jep fund odisesë së Britanisë në BE

Universiteti. Ditët e fundit të regjistrimeve për studentët e huaj