in

Bashkimi familjar. Si veprohet për të sjellë prindërit?

Dua të sjell time më në Itali. Cilat janë kriteret për bashkim familjar me prindërit?

Romë, 28 qershor – Ligji në fuqi parashikon që të huajt me qëndrim të rregullt në Itali mund të paraqesin kërkesë për bashkim familjar me prindërit e vet vetëm nëse:

– Këta janë në ngarkim personit që po kërkon bashkimin dhe nuk kanë bij të tjerë në atdhe ose
– Janë mbi 65 vjeç dhe bijtë e tjerë nuk kanë mundësi t’i mbajnë prindërit “për arsye të rënda e të dokumentuara shëndetësore”.

Është mirë të saktësohet që kur bashkimi familjar bëhet me prindërit mbi 65 vjeç, është e nevojshme të tregohet se ata janë titullarë të një sigurimi shëndetësor që u mbulon të gjitha rreziqet e sëmundjeve në territorin italian. Në vend të tij mund të bëhet regjistrimi vullnetar në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (SSN) duke paguar kontributin, por vetëm në ndonjë krahinë si Veneto apo Lombardia kanë disiplinuar këtë mundësi.

Për bashkimin familjar është e nevojshme të dëshmohet lidhja e gjakut me certifikata të nxjerra nga autoritetet e vendlindjes, të përkthyera e të legalizuara nga konsullata italiane. Madje në raste “dyshimesh të arsyeshme” mbi lidhjen familjare, apo në mungesë të certifikatave, mund të kërkohet edhe analiza e ADN-së.

Ashtu si në rastin e bashkimit familjar me gruan e fëmijët e mitur, përveç lidhjes familjare me anë të certifikatave dhe përveç sigurimit shëndetësor në rastin e prindërve mbi 65 vjeç, kërkuesi duhet të tregojë edhe që: 

  • ka të ardhura të mjaftueshme që duhet të jenë sa çeku social i shtuar me gjysmë çeku për çdo familjar që do të sillet në Itali. Për vitin 2016, për të sjellë një prind në Itali nevojiten 8.737,36 €, ndërsa për t’i sjellë të dy prindërit nevojiten të paktën 11.649,82 €.
  • ka një strehim të përshtatshëm që përmbush kriteret higjieniko-sanitare të parashikuara nga ligji e që dëshmohet nga certifikata e përshtatshmërisë së banesës që kërkohet në zyrat e komunës.

Për të nisur procedurën e bashkimit familjar, duhet përpiluar formulari S pas regjistrimit në faqet online të ministrisë së Brendshme italiane. Pasi praktika e tij shqyrtohet nga zyrat përkatëse, kërkuesi çon të gjithë dokumentacionin në origjinal dhe fotokopje në Sportelin Unik për Imigracionin që, në rast përgjigjeje pozitive, lëshon autorizimin (nulla osta) për bashkim familjar. Pasi lëshohet autorizimi, prindërit paraqiten në konsullatën italiane në vendlindje e kërkojnë vizë për të hyrë në Itali.

In italiano:  Ricongiungimento familiare. Come faccio a portare qui i miei genitori?

Lexo edhe: Bashkimi familjar. Minimumi i të ardhurave për ta kërkuar gjatë vitit 2016

Maria Elena Arguello / Stranieriinitalia.it

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

 

Velletri. Vritet me armë zjarri Ariton Shaskaj

Evropa kërkon hapjen e shpejtë të procedurës së largimit të Britanisë nga BE