Sulm terrorist në aeroportin më të madh të Turqisë. Të paktën tre kamikazë janë hedhur në erë pasi kanë hapur zjarr me kallashnikovë mbi njerëzit që mbrëmë gjendeshin në zonën e kontrollit për fluturimet ndërkombëtare. Gjatë natës është arrestuar një grua, pjesë e komandos së përbërë nga 7 vetë të mbërritur me taksi, njësoj si në Bruksel. Kërkohen disa persona, bashkëpunëtorë të kamikazëve
Stamboll, 29 qershor 2016 – Të paktën 41 të vdekur e 239 të plagosur mes policëve, personelit e udhëtarëve që ndodheshin mbrëmë në orën 22.10 (ora 21.10 në Romë) në zonën e terminaleve të fluturimeve ndërkombëtare. Njerëz të armatosur me pistoleta dhe kallashnikovë kanë hapur fillimisht zjarr mbi turmën e më pas, të paktën tre persona janë hedhur në erë.
Menjëherë pas atentatit, aeroporti Ataturk, i pari në Evropë e i dyti në botë për numër destinacionesh, u mbyll, dhe u anuluan 340 fluturime. Avionët që ishin në pistë u nisën menjëherë ndërsa ata që po mbërrinin u devijuan për në Ankara, Smirne dhe në aeroportin e dytë të Stambollit, Sabiha Goken. Mijëra personat që mbushnin aeroportin në pritje të nisjes u evakuuan menjëherë dhe u sistemuan në hotele nga kompanitë e fluturimeve me të cilat do të udhëtonin.
Situata po normalizohet me shpejtësi. Gjaku u la në kohë rekord për të treguar që vendi është i fortë e nuk i trembet terrorizmit. Sot në mëngjes, 12 orë pas atentatit, aeroporti është hapur sërish e kanë filluar fluturimet. Që nesër aeroporti do të jetë krejtësisht operativ në të gjithë sektorët e tij dhe për të gjitha destinacionet.
Një ndër avionët e fundit të ulur mbrëmë në Ataturk, ndërsa kishte nisur sulmi terrorist, ishte pikërisht ai me të cilin udhëtonte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. “Keqardhje e thellë për jetët e pafajshme të humbura në këtë tjetër akt barbar të atyre që s’kanë as Zot as shpresë dhe as vend mes njerëzve!” komentoi Rama në Twitter.
Keqardhje e thelle per jetet e pafajshme te humbura ne kete tjeter akt barbar te atyre qe s'kane as Zot as shprese dhe as vend mes njerezve!
— Edi Rama (@ediramaal) 28 giugno 2016
Ndërkaq Turqia përpiqet të zbardhë atë çka ngjau para tragjedisë. Sipas asaj çka tregoi sot kryeministri i vendit Binali Yildirim “tre atentatorë janë hedhur në erë pasi kanë hapur më parë zjarr mbi njerëzit” me kallashnikovë në zonën e rezervuar fluturimeve ndërkombëtare. Tre kamikazët, sipas fjalëve të kryeministrit, duhet të kenë mbërritur në aeroport me taksi, siç ndodhi në atentatin e aeroportit të Brukselit. Edhe pse akoma askush nuk ka marrë përsipër autorësinë e atentatit, gjithçka lë të mendohet se edhe pas kësaj masakre në aeroportin kryesor të Stambollit, që është edhe i treti në Evropë, qëndrojnë militantët e Shtetit Islamik. Flitet edhe për një arrestim gjatë natës: është fjala për një grua që duhet të jetë pjesëtari i shtatë i komandës.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e dënoi ashpër sulmin e së martës mbrëma, që sipas tij “kishte për qëllim minimin e Turqisë me vrasjen e njerëzve të pafajshëm”.