Kush ka kartën e qëndrimit gëzon të njëjtat të drejta të italianëve, ndaj nuk ka rëndësi ku jetojnë gruaja dhe bijtë e tij. Edhe për gjykatën e Apelit të Brescias INPS “diskriminon”
Brescia, 29 qershor 2016 – Nuk ka rëndësi nëse burri, gruaja e fëmijët jetojnë në vendlindje apo në Itali. Duhen llogaritur për çeqet familjare, kur këto i kërkojnë të huaj imigrantë që kanë një leje qëndrimi BE për qëndruesit afatgjatë, apo të thënë ndryshe, kartën e qëndrimit.
Gjykata e Brescias e kish thënë që në prill të vitit të shkuar, e tani, para pak ditëve, e konfirmon edhe Gjykata e Apellit. Mbyllet kështu me fitore beteja ligjore e çuar përpara nga gjashtë punëtorë të huaj, të përfaqësuar nga avokatët Alberto Guariso e Livio Neri, të cilëve INPS u kishte hequr çeqet familjare kur kishte mësuar që familjarët e tyre ishin kthyer në atdhe.
INPS donte të aplikonte ligjin italian 153/1988 mbi çeqet familjare sipas të cilit, “nuk janë pjesë e bërthamës familjare bashkëshorti e bijtë e qytetarit të huaj që nuk jetojnë në territorin italian” nëse nuk ka marrëveshje reciprociteti. Një shtrëngim që për italinët nuk ekziston.
Por ajo normë është në kundërshtim me direktivën evropiane 2003/109/BE, sipas të cilës “qëndruesit afatgjatë gëzojnë të njëjtin trajtim me vendasit” për ndihmesat asistenciale. Gjykatëist janë të mendimit që çeqet familjare janë një ndihmesë asistenciale e për rrjedhojë “shkelja e parimit të barazisë së trajtimit nuk mund të konsiderohet në përputhje me normativën evropiane”.
Me pak fjalë, të pretendohet që familjarët të jenë në Itali është diskriminim i padrejtë, nuk mund të bëhet. INPS, si çdo administratë tjetër publike, është e i detyruar të zbatojë normativën evropiane dhe jo atë italiane diskriminuese. Pra duhet të paguajë.
Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com
Lexo sentencën në sitin e ASGI-t