in

Basha ndryshon qëndrim mbi konsensusin. Reagon ashpër ambasada amerikane

Pas deklaratave vetëlavdëruese për arritjen e konsensusit për miratimin e Reformës në Drejtësi, ambasada e SHBA-ve në Tiranë deklaroi se kreu i opozitës Lulzim Basha ka nxjerrë kërkesë shtesë e cila konsiderohet “e papranueshme”
Nga Gjergj Erebara, BIRN

Mesditën e të mërkurës, udhëheqësit më të lartë të opozitës deklaruan arritjen e marrëveshjes për Reformën në Drejtësi me ndërmjetësi, kësaj here të komisionerit të Bashkimit Europian Johanes Hahn, por gëzimi i marrëveshjes rezultoi i gënjeshtërt.

Ndërsa Basha deklaroi se kishte arritur çfarë dëshironte dhe Rama deklaronte se Basha qe dorëzuar para presionit të ndërkombëtarëve, Ambasadori Lu i SHBA-ve dhe Ambasadorja Vlahutin e Delegacionit Europian qëndruan në heshtje deri në mbrëmje, kur u mësua se në fakt, marrëveshja qe mbërritur në deklarata por jo në letër.

“Ambasada e SHBA është e zhgënjyer që vëren se pas deklarimit të një marrëveshjeje midis qeverisë dhe opozitës, kreu i opozitës, Z. Basha ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme,” deklaroi ambasada e SHBA-ve në faqen e saj në Facebook.

“Ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për ta bllokuar këtë reformë”, vijon më tej deklarata.

Basha, i cili u lavdërua nga një numër udhëheqësish perëndimorë për marrëveshjen, mësohet se ka nxjerrë kushte shtesë mbrëmjen e së mërkurës, për të cilat kishte rënë dakord më parë.

Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet sot në orën 10 të mëngjesit për të votuar për reformën kushtetuese, ndërsa rezultati i votimit mbetet i pasigurtë. Maxhoranca aktuale e përbërë nga Partia Socialiste, partia Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, disponojnë bashkarisht rreth 90 vota, ndërsa nuk dihet nëse të gjitha votat janë për reformën. Së paku një deputet i opozitës ka deklaruar votën e tij pro, ndërsa për ta miratuar paketën nevojiten së paku 94 vota.

“Paketa e reformës është gati dhe përmbush të gjitha standardet e Komisionit të Venecias, SHBA dhe BE”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve.

“Nëse Z. Basha nuk i përmbush dot premtimet e tij, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu bën thirrje anëtarëve të parlamentit individualisht ta miratojnë këtë reformë më 21 korrik”, përmbyllet deklarata.

 

Arrihet marrëveshja për reformën në drejtësi

Vizat për Itali, zhduken punonjësit. Vetëm 1% e ardhjeve për punë