in

Reforma në drejtësi. BE: “Politika tregoi pjekuri që e miratoi, tani ta zbatojë”

Mogherini-Hahn: “Vënia në jetë sa më parë, përparësi kyçe për rrugën drejt BE-së”
Kukan: “Zbatimi i reformës, çelësi për drejtësi të pavarur e të përgjegjshme”

Bruksel, 22 korrik 2016 – “Urojmë popullin shqiptar, qeverinë dhe të gjitha forcat politike që treguan pjekuri dhe përgjegjësi në marrjen e këtij vendimi historik”. Kështu përshëndesin me një komunikatë të përbashkët miratimin me unanimitet të reformës në drejtësi, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, dhe Komisioneri evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn.

“Ky hap pa precedentë vjen pas një kërkese të gjatë nga shumica dërrmuese e qytetarëve për drejtësi të përgjegjshme, të pavarur dhe transparente. Reforma është gjithashtu një kontribut i madh për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto janë edhe prioritetet kyçe për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE. – vazhdon komunikata – Tani është e rëndësishme që zbatimi i reformës të nisë menjëherë, me objektivin që popullit shqiptar t’i shërbejë një sistem gjyqësor i bazuar në standardet evropiane”.

Miratimin e Reformës në Drejtësi e ka përshëndetur edhe eurodeputeti Eduard Kukan. “Përshëndes miratimin unanim të paketës për reformën në drejtësi në Parlamentin shqiptar këtë natë. Zbatimi i reformës është çelësi për drejtësi të pavarur dhe të përgjegjshme. Reforma i hap rrugë ambicies së shqiptarëve në procesin e integrimit në BE”, shkruan eurodeputeti në Twitter.

 

Jehona e reformës në Itali. ANSA: “Revolucion në Drejtësi”

Sulmi në Mynih, 3 shqiptarë mes viktimave