in

Drejtësia. Organet e reja të parashikuara nga Reforma

Risitë e reformës në organizimin e sistemit të drejtësisë shqiptare
Nga Gjergji Kajana

Projektreforma e drejtësisë, miratuar në Parlament natën e 21 korrikut, mori vëmendjen publike shqiptare gjithë muajt e fundit, kur ishte në përmbyllje. Formalisht mund të quhet sukses fakti se, megjithëse konfliktualiteti politik shumicë-opozitë mbetet i lartë edhe pas miratimit të saj, projektreforma u miratua me unanimitet në organin legjislativ të Shqipërisë.

Reforma prek thuajse të gjithë pjesën e Kushtetutës shqiptare që merret me kompetencat e pushtetit të drejtësisë. Në nivel kombëtar ky sistem përbëhet nga një trupë prej rreth 740 gjyqtarësh e prokurorësh të të gjitha niveleve. Kushtetuta parashikon mënyrat e formimit e metoda emërimi të anëtarëve të institucionesh të larta të drejtësisë si Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Përgjithshme (në reformën e re mandati i Prokurorit bëhet 7-vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje).

Reforma krijon dy institucione të reja: Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ, i cili “siguron pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP, që “garanton pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë”). Si KLGJ, si KLP përbëhën nga 11 anëtarë. Në secilin prej dy institucioneve 6 prej anëtarëve zgjidhen brenda gjyqtarëve e prokurorëve, ndërsa 5 anëtarë zgjidhen prej Parlamentit nga ana e juristëve jo gjyqtrë e jo prokurorë. Më specifikisht, përzgjedhjen e 10 anëtarëve “politikë” e kryen një nënkomision – pjesë e Komisionit të Ligjeve – në Parlament prej 5 anëtarësh, 3 nga shumica e 2 nga opozita. Miratimin final të përzgjedhjes së secilit prej 10 “joteknikëve” e jep Parlamenti me 2/3 e votave.

Politika nuk do të përzgjedhë vetëm 10 anëtarët “polikë” të KLGJ-së e KLP-së por, përmes komisionesh parlamentare e një votimi final miratues në Parlament, do të ketë zë edhe në emërimin e 21 komisionerëve të procesit të vetingut, i cili është një kontroll pastërtie i figurës së gjithë gjyqtarëve e prokurorëve të emëruar e që veprojnë në Republikën e Shqipërisë. Këta 21 komisionerë do të jenë anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Kolegjit të Apelimit dhe dy komisionerë publikë. Në çastin e aplikimit (që kryhet pranë zyrës së Presidentit të Republikës), secili prej kandidatëve për 21 postet autorizon ligjërisht kontrollin vjetor të pasurisë, monitorimin e transaksionevë financiare dhe kufizimin e “privacy” të tij telefonike. Një Operacion Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), organ rekomandues prej  gjyqtarësh e prokurorësh të huaj, është kufiri i parë i aplikantëve për 21 postet. ONM ka një juridiksion rekomandues (praktikisht nuk mund të përjashtojë përfundimisht askënd prej aplikantëve), por rekomandimi i tij negativ është shumë vështirësisht i kalueshëm në komisionin parlamentar që shqyrton aplikimet. Pas përzgjedhjes në komisionet parlamentare, 21 komisionerët e propozuar në një listë të pamodifikueshme zgjidhen me votim prej 3/5 në Parlament.

Si në rastin e 10 “joteknikëve” të KLGJ-së e KLP-së, si në rastin e 21 komisionerëve të vetingut ekziston mundësia që Parlamenti të mos gjejë numrin e nevojshëm ligjor për të miratuar emërimet. Në këtë rast procesi zhbllokohet automatikisht: anëtarët “politikë” zgjidhen me short, ndërsa lista e 21 komisionerëve miratohet në bllok nëse Parlamenti – nëse dështon përsëri të gjejë 3/5 për miratim – nuk gjen një shumicë prej 2/3 (94 vota) për ta rrëzuar atë pasi ndërkohë komisionet parlamentare e kanë ripërzgjedhur.

Prokuroria e Krimeve të Rënda (organ pranë Prokurorisë së Përgjithshme) riemërtohet Prokuroria e Posaçme. Prokuroria e Posaçme do të përbëhet nga të paktën 10 prokurorë. Ajo ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën para gjykatave të posaçme, si dhe para Gjykatës së Lartë. Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.

Implementimi ligjor i reformës do të kërkojë kohë dhe do të shkojë përtej kësaj legjislature parlamentare, e cila mbyllet pas një viti. Shqipëria shpreson që miratimi i projektreformës t’i japë dritën jeshile çeljes së negociatave me BE brenda fundit të 2016-s.

Teksti i plotë i ligjit nr. 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”:

 
 

Presidenti dekreton Reformën në Drejtësi

Shtetësia për bijtë e imigrantëve. Shtyhet diskutimi për në shtator