in

Mbërrin kartë blerjesh për më të varfërit, përjashtohen shumë imigrantë

Në 2 shtatori paraqiten kërkesat për “Mbështetjen për përfshirjen aktive”, deri në 400 euro në muaj. Mes kritereve, rezidenca prej të paktën dy vjetëve dhe karta e qëndrimit

Romë, 24 gusht 2016 – Deri në 400 euro në muaj për familjet më të varfëra, edhe të imigrantëve, por me disa përjashtime. Është Mbështetja për Përfshirjen Aktive (italisht: Sostegno per l’inclusione attiva – SIA), një masë e re ekonomike kundër varfërisë.

Shteti akrediton paratë, që shtohen në bazë të numrit të përbërësve të familjes, në një skedë elektronike (karta SIA) për të bërë pazarin, për të blerë barna mjekësore apo për të paguar dritat, ujin e gazin. Në këmbim, përfituesit angazhohen të aderojnë në një projekt të personalizuar (kërkim pune, kurse formimi, ndjekje shkolle etj.) që duhet t’u mundësojnë përmirësimin e gjendjes së tyre.

SIA u rezervohet familjeve me të ardhura shumë të ulëta (ISEE jo më të lartë se 3 mijë euro), pa të mira materiale me vlerë, që nuk marrin çek papunësi kompensime e ndihma të tjera mbi 600 euro. Mes pjesëtarëve të familjes, duhet të jetë të paktën një i mitur ose një person i paaftë ose një grua shtatzënë. Kërkesat mund të paraqiten pranë Komunës duke filluar nga 2 shtatori.

Mund të kërkojnë SIA qytetarët italianë ose komunitarë dhe familjarët e tyre që gëzojnë të drejtën e qëndrimit apo të drejtën e qëndrimit të përhershëm, ose shtetasit jokomunitarë, por vetëm nëse kanë kartën e qëndrimit (lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë). Për më tepër është e domosdoshme të jenë në Itali prej të paktën dy vjetësh.

Kriteri i kartës së qëndrimit do të përjashtojë nga e drejta e SIA-s shumë qytetarë të huaj që kanë në xhep lejen “e thjeshtë” të qëndrimit që u vlen për të punuar në Itali (për motive familjare, pune, pritje punësimi…) si edhe ata që gëzojnë mbrojtjen ndërkombëtare. Sipas normativës evropiane, edhe kjo kategori të huajsh ka të drejtën e shërbimeve e ndihmave sociale njësoj si qytetarët e tjerë.

Zgjedhja e qeverisë, e ngjashme me atë të bërë kohë më parë për bonusin bebe, rrezikon të konsiderohet nga gjykata diskriminuese, pra e paligjshme, mjafton që dikush të vendosë ta hedhë në gjyq.

Elvio Pasca

Mbështetja për Përfshirjen Aktive, shpjegimet e ministrisë

 

 

 

Në kampet e azilantëve në Gjermani, dëshmia e dhibmshme e nënës shqiptare

Tërmeti në Itali që duhet të shkundë Tiranën