69 vjeçari nga Milano, Guido Andrea Guidi, që pilotonte avionine vogël, i tha policisë se ishte ulur në fshatin Gotull pasi avioni i kishte dhënë defekt, njësoj si Giorgio Riformato 2 vjet më parë kur u kap në Divjakë. Dyshohet sërish për trafik droge.
Guidi ka pasur probleme me drejtësinë italiane për shkak të një aksidenti ajror të ndodhur në 2003.
Tiranë, 15 shtator 2016 – Policia e Shtetit lajmëroi të enjten se një avion i vogël, i drejtuar nga një shtetas italian është ulur në fshatin Gotull të Ishmit në afërsi të Durrësit për shkak të një defekti teknik. E njoftuar nga banorët e zonës, policia tha se e gjeti avionin të dëmtuar ndërsa pilotin në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas njoftimit të policisë, piloti 69 vjeçar Guido Andrea Guidi deklaroi se ishte nisur nga Bari drejt veriut të Italisë, por moti i mirë e kishte nxitur atë të bënte një udhëtim mbi det. Në dëshminë e tij për policinë, Guidi mësohet të ketë thënë se avioni i ka dhënë defekt në lartësinë 4-5 mijë këmbë dhe nga lartësia ka parë një tokë të përshtatshme për t’u ulur.
69 vjeçari është çuar në spital për një kontroll, ndërsa forcat e rendit që nuk i ka bindur versioni i Guidit, kanë vazhduar hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
“Gjatë kontrollit në brendësi të avionit nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Të gjitha shërbimet kanë kryer krehjen e vendit ku është gjetur avioni dhe zonës përrreth. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave e rastit në fjalë” thuhet në deklaratën e Policisë.
Nuk është rasti i parë që ulja e papritur e një avioni të përmasave të vogla tërheq vëmendjen e policisë dhe të opinionit publik në Shqipëri. Më 10 maj 2014, një avion privat tip Piper është ulur në plazhin Divjakës. Avioni i vogël drejtohej nga italiani Giorgio Riformato, sipas të cilit, ulja në atë vend nuk ishte e paramenduar, por ish bërë për shkak të një defekti. Hetimet e mëtejshme zbuluan se piloti po planifikonte të trafikonte një sasi marihuane drejt Italisë. Në shkurt 2016, Riformato u dënua me 15 vjet burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Ka dyshime të forta që edhe udhëtimi Shqipëri i Guido Andrea Guidit të ketë për qëllim trafikun e drogës.
Rezulton gjithashtu se Guidi është një personazh i njohur për drejtësinë italiane. Akuza e ka origjinën tek një aksident ajror, i ndodhur në korrik të vitit 2003 në një aeroport të Milanos ku një avion i kompanisë Eurojet u rrëzua mbi një kapanon industrial duke shkaktuar vdekjen e dy pilotëve. Duke qenë një prej ortakëve të Eurojet, më 23 tetor 2013, Gjykata e Kasacionit e ka dënuar për veprën penale të nxitjes së korrupsionit, sepse bashkë me ortakun e tij u akuzuan se i ofruan një shumë të majme parash teknikut të dërguar nga ministria në këmbim të një ekspertimi të rremë që favorizonte kompaninë e tyre.