in

Ku kanë përfunduar shqiptarët e Italisë?

I mbani mend shqiptarët? Ku kanë përfunduar? Ja si i përgjigjet pyetjeve në ilpost.it, Massimo Cirri, psikolog, autor teatri dhe drejtues radiofonik.

Mbërritën papritur 25 vjet më parë. Erdhën të gjithë bashkë. Një çast m parë nuk ishin e pastaj, papritur të gjithë aty. Erdhën mbi anije e ishin aq shumë sa anije thuajse nuk shiheshin më. Si një pemë e Vitit të Ri e bërë mirë, me dekorimet, topat plot shkëlqim, dritat e bukura që e mbulojnë, e ti nuk e sheh më bredhin mbi të clin janë vendosur. Pemë të Vitit të Ri plot e përplot, të pasura. Por shqiptarët nuk ishin të pasur, ishin një mal me njerëz të varfër, që kacavareshin gjithandej. Ishin të shumtë shqiptarët e kishin ardhur të gjithë këtu. “Po tani?” shkruanin gazetat dhe e mendonim pak a shumë të gjithë.

“Po tani ç’të bëjmë, ku t’i vëmë? A kemi vend? Nuk do ishte më mirë t’i kthenim nga erdhën? Ca i çuan nga erdhën por u kthyen prapë. Pse të mos i ndihmojmë në shtëpi të tyre që të mos na vijnë këtu? Sepse kemi hallet tona e nuk mund t’i hymë punës për të integruar shqiptarët tani. Le që, thonin shumë vetë, provo të integrosh një shqiptar. Sepse shqiptarët janë shqiptarë: e dini që në vitin 300 një shqiptar i shkeli këmbën një tjetri dhe që atëherë vriten sistematikisht mes tyra, nga babai në bir, nga nipi në nip, për gjakmarrje? E vriten edhe mes kushërinjsh. Kanë gjakmarrjen ata, nuk integrohen. Janë të dhunshëm shqiptarët, janë të këqinj. S’ka integrim për ta: ky është pushtim, kërcënim rrezik e duhet të mbrohemi”. Ishin gjithandej shqiptarët: në gazeta, në porte, në semaforë, në krye të shqetësimeve tona.

Ndërsa tani, mendoni pak, janë zhdukur. Po kur kanë ikur? E ku janë tani?

Janë mes nesh. Janë 482.959. Janë komuniteti më i madh i qytetarëve jokomunitarë pas marokenëve që janë vetëm pak më të shumtë në numër se ata.

Por, të jemi të sinqertë, shqiptarët janë zhdukur, nuk i gjen më në gazeta, as në porte të kacavrur anijeve, as në krye të shqetësimeve tona. Shqiptari i fundit për të cilin kam lexuar në një gazetë ishte Altin Prenga një kuzhinier shumë i famshëm. Ai tregon: që arriti me anije, që mban mend ditën kur vendosi të nisej. “Një shok shkolle, duke kaluar me nëse doja të shkoja në Itali”. Altini vrapon t’ua thotë të tjerëve në shtëpi: “Mami im qante, ndërsa unë në një orë u bëra gati e qeshja për t’u ttreguar guximtar. Me t’i kthyer krahët mamit, buzët më dridheshin nga një miks dhimbjeje, gëzimi dhe emocioni”. Altini tregon për anijen e peshkimit që mori bashkë me 150 persona të tjerë, kujton erën e rëndë të karburantit dhe të të vjellave. Tregon që punoi rëndshëm në kuzhinat e restoranteve italiane, duke e filluar si pjatalarës. Ishte “klandestin”. E rrëfen Altini, sepse ajo është jeta e tij, i pëlqen të na bëjë pjesëmarrës në atë ç’ka hequr për t’u bërë ai që është sot. Që ia doli mbanë. Por tani kjo ka pak rëndësi për ne. Tani prej tij duam të dimë çfarë na ofron.

E harruam që është shqiptar. Nuk duam t’ia dimë më për shqiptarët. Ku kanë përfunduar?

Në këtë vend janë rritur intoleranca e bezdia. Por nuk e gjen më asnjë që të shprehë racizëm kundër shqiptarëve. Në fletëpalosjen për Fertility Day, ajo me të mirët nga një anë e të këqinjtë nga ana tjetër, mes të këqinjve nuk kishte as edhe një shqiptar. Ç’është kjo padrejtësi!

Si u zhdukën këta shqiptarët? U tretën? Se mos janë integruar? Po të shohim të dhënat kuptohet se shqiptarët kanë nisur të zhduken nga kryqëzimi mediatik, nga qendra e problemit, nga përpëlitja jonë “si t’ia bëjmë me ta”, thjesht kur ndryshuan disa ligje dhe kur vajtje ardhjet nga Shqipëria u bënë diçka më normale. Që mund të bëhej duke blerë një biletë e duke marrë një traget. Një anije normale. Në kabinë apo në kuvertë. Jo një anije të mbushur me trupa e që rrezikonte mbytjen. Sepse mbyteshin edhe anijet e shqiptarëve. E vdisnin shqiptarët.

Tani nuk vdesin më. Shkojnë e vijnë, lëvizin. Hapir restorante, si Altin Prenga, shërbejnë.

Ndaj mund të themi se integrimi më i vështirë i ditëve tona, mundësia e integrimit të atyre që vijnë nga të tjera vende, nuk është aq problem kur nga ato vende mund të ikësh e të vish.

Që integrimi është të shkosh e të vish. Në mënyrë njerëzore, banale, duke të të zënë deti, por pa lënë jetën.

In originale: Che fine hanno fatto gli albanesi?

Sekuestrohet gomone me 732 kg marihuanë, arrestohen dy shqiptarë

Fjalët pa nishan të Presidentit