“Më parë të nxjerrim shumat e reja të kontributit, pastaj të merremi me kërkesat e imigrantëve”. Në pritje të dekertit, s’ka formular për të kërkuar mbrapsht paratë e derdhura deri tani padrejtësisht. Qarkorja e Ministrisë nisur Kuesturave
Romë, 7 nëntor 2016 – Taksa mbi lejeqëndrimet u kushtoi imigrantëve gjysmë miliardi euro. Tani që u hoq, imigrantët janë të lumtur që nuk do ta paguajnë më por, me të drejtë, edhe duan mbrapsht paratë që u janë marrë padrejtësisht nga fillimi i vitit 2012.
Për t’i paraprirë ortekut të mundshëm të kërkesave për rimbursim, ministria e Brendshme mundohet të fitojë kohë. E pamundur, shpjegojnë nga ministria, sa para duhet t’u kthehen mbrapsht imigrantëve. Më parë nevojitet të përcaktohen shumat e reja të kontributit për lëshimin e përtëritjen e lejeve të qëndrimit.
Gjykata e Evropiane e Drejtësisë, TAR i Lazios dhe Këshilli i Shtetit janë shprehur se taksa, kaq sa ç’ishte, ishte e ekzagjeruar dhe e paligjshme, por nuk kanë thënë sa duhet të jetë ajo për ta konsideruar të drejtë e të ligjshme. Në sentenca bëhet një krahasim me kartën e identitetit (që kushton diçka më shumë se 5 euro), por kjo nuk mjafton. Vetëm një gjë është e qartë: që tarifat e reja duhet të jenë padyshim më të ulëta se ato të anuluarat.
“Administratat kompetente do të ripërcaktojnë shumën e kontributit” kanë shkruar gjykatësit e Këshillit të Shtetit në sentencën e 26 tetorit të shkuar. Të njëjtat administrata duhet edhe të vendosin “në ç’rast, kur dhe në ç’mënyrë do t’u rimbursojë të interesuarve diferencat mes shumave të paguara me tepri dhe atyre që duheshin paguar”.
Kështu që, një dekret i ministrive të Brendshme dhe Ekonomisë do të vendosë sa do të paguhet në të ardhmen, pra sa duhej paguar edhe më parë. Vetëm në këtë moment do të mund të llogaritet diferenca që u duhet kthyer imigrantëve që është ajo mes asaj që u është marrë padrejtësisht dhe asaj që duhej të kishin paguar. Deri atëherë, u shpjegon me qarkoren e 28 tetorit ministria e Brendshme të gjitha Kuesturave, nuk do të vihen në dispozicion as formularët për të kërkuar rimbursimin.
“Me qëllim që të shmangim paraqitjen pranë Zyrave të imigracionit të kërkesave të rimbursimit me shuma që akoma nuk mund të përcaktojmë – lexohet në qarkore – njoftohet që formulari përkatës do të jetë i disponueshëm në portalin Stranieri Ëeb [ai që përdoret për arministrimin e lejeve të qëndrimit] vetëm pasi të nxirret dekreti që do të përcaktojë shumat e reja të kontributit”.
Shkarko qarkoren e ministrisë së Brendshme
EP