“Është në interes të BE-së të përpiqet të sjellë vendet ballkanike në gjirin e saj”. E thotë kryeministri për mediat gjermane, e përcjell mesazhin e tij edhe agjencia Reuters
Tiranë, 30 nëntor, 2016 – “Rusia dhe militantët islamikë mund të përpiqen që të rrisin ndikimin e tyre në vendet e Ballkanit, nëse Bashkimi Evropian nuk i pranon ata si anëtarë”, deklaron kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë të publikuar sot për gazetën e përditshme gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” pjesë nga e cila janë marrë nga Reuters. Ai shprehet se “është në interes të BE-së që të përpiqet të fusë vendet ballkanike në gjirin e saj”.
“Nëse duam të kemi një Bashkim Evropian të sigurt dhe të qëndrueshëm si dhe një Evropë të sigurt, kjo nuk bëhet nëse ka vrima apo boshllëqe”, thotë Rama.
“Përveç kësaj, ne nuk duhet të harrojmë se ka edhe të tjerë, të tretë aktorë, të cilët po luajnë lojën e tyre, e duan të përfitojnë nëse BE-ja lë një boshllëk atje”, deklaron ai duke shtuar se e ka fjalën “për Rusinë, por gjithashtu edhe për islamin radikal”.
Vendet e Ballkanit që po ndjekin rrugën e anëtarësimit janë Serbia, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria, e gjenden mes disa vendesh anëtare të vjetra si Greqi e Hungari dhe të reja si Kroaci dhe Slloveni i janë bashkuar tashmë NATO-s dhe BE-s,
Që të gjashtë vendet e Ballkanit janë në faza të ndryshme të anëtarësimit në BE Serbia synon të përfundojë bisedimet e pranimit në vitin 2019.
Megjithatë, vë në dukje Reuters, hapja për anëtarësime të reja ka shkuar në fund të listës së prioriteteve të BE-së.
Diplomatët nga rajoni janë shprehur se ka disa kohë që Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin e saj në vende si Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe së fundi, edhe në Shqipëri.
Rama thotë se vendi i tij do të vazhdojë të hedhë hapa drejt pranimit në BE, por shpreh gjithashtu dyshimet mbi aftësinë e bllokut për të pranuar anëtarëve të rinj. “Nuk ka të bëjë me faktin se sa kohë ne kemi ende nevojë, por me faktin se si Bashkimi Evropian do të vazhdojë të zhvillohet. Ndërkohë që ne jemi politikisht në formë mjaft të mirë, nga ana tjetër Bashkimi Evropian nuk është në momentin e tij më të mirë“.
Lexo në Reuters: Albanian PM warns EU against leaving ‘vacuum’ in the Balkans