in

Relativiteti i “Samitit” dhe i “Diasporës”

Nga Rando Devole

 

Foto nga Rando DevolePërdorimi i dy termave samit dhe diasporë për emërtimin e aktivitetit të zhvilluar në Tiranë, nga datat 18-20 nëntor 2016, i njohur si Samiti i parë i Diasporës, u shfaq që në fillim problematik. E jo vetëm në planin semantik.

Termi “samit” përdoret në shumë gjuhë të huaja. Anglishtja, nga e cila është marrë, me këtë fjalë (summit) shenjon: majën e kodrës ose të malit; kulmin e një arritjeje ose gjendjeje; takimin midis krerëve të qeverive ose të zyrtarëve të lartë[1].

Fjala ka hyrë tashmë edhe në gjuhë të tjera. Në italisht, p.sh. nuk e ka kuptimin e majës së malit, por termi nënkupton “takimin mes përgjegjësve më të lartë të politikës së dy ose më shumë shteteve, por edhe takimin e drejtuesve më të lartë ose përfaqësuesve të organizmave të ndryshme”[2].

Në shqip fjala summit është përkthyer nga anglishtja në këtë mënyrë: majë, çukë (mali), kulm, konferencë ose takim i nivelit të lartë[3]. Aktualisht, fjala po përdoret në shqip direkt në trajtën “samit”. Kjo fjalë është përdorur edhe më parë, kryesisht në media, duke iu referuar takimeve ndërkombëtare të nivelit të lartë, por besoj se ka arritur shikueshmëri e përdorim të madh pikërisht gjatë periudhës së samitit të diasporës.

Për mendimin tim, nuk ka arsye semantike, në nivel denotativ, që ta justifikonin përdorimin e kësaj fjale në rastin e samitit të lartpërmendur. Në qoftë se samiti tregon një takim të nivelit të lartë, mes drejtuesish të nivelit të lartë dhe përfaqësuesish, nuk mund ta themi me plot gojën se kjo ndodhi, ngaqë pjesëmarrësit nuk ishin të gjithë të kësaj kategorie. Siç e përmendëm edhe gjetiu, çështja e përfaqësimit është përcaktuese në këtë pikë, për sa kohë qeveria përfaqëson mazhorancën e parlamentit, kurse pjesëmarrësit në samitin e diasporës shqiptare nuk kishin ndonjë mandat të certifikuar për të marrë pjesë, për të negociuar, ose për të bashkëvendosur lidhur me tema të ndryshme.

Vetë organizimi i Samitit nuk mundësonte ndonjë debat, ose trajtim gjithëpërfshirës, të temave të shumta që ishin mbi tryezë. Kujtojmë se u zhvilluan tetë panele, që trajtonin tema madhore nga më të ndryshmet si zhvillimi ekonomik në atdhe dhe roli i diasporës, turizmi shqiptar, kultura, gjuha, identiteti, rrjeti i aftësive, organizimi i diasporës, bashkëveprimi midis përfaqësive diplomatike dhe diasporës. Diskutimet e paneleve u zhvilluan njëkohësisht, çka do të thotë se shumë pjesëmarrës u detyruan të zgjidhnin panelin e dëshiruar, duke lënë mënjanë panele që do të kishin dëshirë të ndiqnin[4]. Pastaj, panelistët nuk ishin zgjedhur me ndonjë procedurë përfaqësimi, që të flisnin në emër të atyre që i delegonin për t’i përfaqësuar në takim. Në këtë pikë, dikush mund të pyesë se ç’vlerë ka dokumenti i quajtur “Deklarata e samitit të parë të diasporës shqiptare”[5], meqë nuk u miratua nga të pranishmit.

Ka shumë mundësi që zgjedhja e termit samit, për të treguar takimin e organizuar në nëntor 2016, të jetë diktuar nga ekzigjenca mediatike dhe komunikimi politik nga ana e nismëtarëve. Për këtë rast mund të ishte përdorur fare mirë fjala “Konferencë kombëtare”, ose “Konferencë mbarëkombëtare”, meqë u përfshinë edhe personalitete nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, etj. Por mund të ishte zgjedhur edhe fjala “Takim kombëtar për diasporën”, ose “Dita kombëtare e diasporës”, etj..

Fjala e huaj samit, me përdorim relativisht të vonë në shqip, përgjithësisht në rrafshin gazetaresk, është zgjedhur ngaqë shfaqet si më moderne dhe mediatikisht e suksesshme, me ngjyresa ndërkombëtare dhe të nivelit të lartë. Përkundrazi, fjalët si takim, konferencë, ditë, etj. janë më të zakonshme e më të përdorura në ligjërimin publik të pluralizmit shqiptar, si rrjedhim nuk e japin idenë e pompozitetit.

Me pak fjalë, përdorimi i fjalës samit ishte i pavend dhe i pajustifikueshëm, si nga ana semantike, ashtu edhe nga ana thelbësore. Nga ana tjetër, parapëlqimi i këtij termi për arsye propagandistike e zhvleftëson edhe më shumë përzgjedhjen terminologjike që është bërë, sepse tregon indirekt interesa dhe qëllime dytësore, që nuk kanë të bëjnë me thelbin e takimit.

Problemi tjetër shfaqet në përdorimin e fjalës diasporë. E këtu na duhet të jemi medoemos koncizë, pavarësisht se argumenti kërkon kohë e hulumtime, meqenëse është trajtuar gjerë e gjatë nga specialistët e studimeve të migracionit.

Të gjithë bien dakord me faktin se fjala diasporë vjen nga greqishtja διασπορ që do të thotë shpërndarje. Fjala ka treguar veçanërisht shpërndarjen e popujve, që kanë qenë të detyruar, pas një traume ose katastrofe, t’i braktisin vendlindjet dhe të përhapen në vende të tjera të botës, si p.sh. shpërndarja e hebrenjve në kohën e lashtë[6].

Mirëpo, dalëngadalë termi diaspora erdhi duke u përdorur gjithnjë e më shumë në shkencat sociale, politike e në media, duke shenjuar kryesisht rezultatin e migrimeve kontinentale e ndërkombëtare. Që në fillim të viteve 1990 studiuesit vinin re se diaspora kishte ende një përkufizim të pasaktë dhe se nuk kishte baza të forta teorike. Në fillim termi diasporë përdorej për hebrenjtë, afrikanët, armenët, indianët, etj. kurse me kalimin e kohës filloi të përdorej duke iu referuar italianëve, grekëve, polakëve, turqve, etj. [7].

Në qoftë se deri dje, termi diaspora tregonte produktin e një komuniteti të shpërndarë me lidhje të forta identitare me vendlindjen dhe brenda vetes, sot ai u referohet edhe lidhjeve që krijohen me bashkësitë që i kanë pritur si dhe rrjeteve që kanë krijuar ndërkohë[8].

Zhvillimi i nocionit modern të diasporës ka bërë që ta humbasë idenë e moskthimit në vendlindje, pra të shpërnguljes përfundimtare traumatike dhe plot dhimbje. Sot, përdorimi i termit diasporë përfshin edhe ata migrantë që kanë lidhje me atdheun ose vendin e origjinës. Madje në këtë kategori futen edhe ata që e kanë humbur shtetësinë fillestare, ose pasardhësit e njerëzve që janë larguar prej kohësh nga vendi. Sikurse e pohojnë edhe studiuesit e fushës, përkufizimi i personave, që bëjnë pjesë në diasporë, është vërtet i vështirë dhe duhet pasur parasysh gjithashtu procesi i vetëidentifikimit, ose i ndjenjës së përkatësisë në një bashkësi të caktuar[9].

Termi diasporë është aq i përgjithshëm, saqë merr parasysh edhe praktikat e jetës së përditshme, shprehjet e solidaritetit, praninë e institucioneve, festimet simbolike, etj. praktikisht të gjitha ato elemente që përbëjnë kulturën e diasporës. Së fundi, termi po përdoret për të treguar edhe pasardhësit e brezit të tretë e të katërt, si dhe ndikimin e emigrantëve në zhvillimin e vendlindjes[10].

Vetë studimet për diasporën kanë kaluar në disa faza, nga përdorimi klasik i termit, që kufizohej zakonisht me përvojën e hebrenjve, deri tek përshkrimi i kategorive të tjera si të syrgjynosurit, të larguarit, të mërguarit, refugjatët politikë, etj. dhe tek përfshirja e ideve komplekse të deterritorializimit e ndërtimit të identiteteve, për të kaluar më pas në fazën e fundit të konsolidimit, që përfshin elemente të tjera[11].

Përkufizimet e konceptit “diasporë” janë të shumta. Ka studiues që i përcaktojnë sipas disa kritereve madhore e përmbledhëse, siç mund të ishin shpërndarja, orientimi ndaj vendit të origjinës, mbajtja e lidhjeve[12].

Meqë ra fjala tek lidhjet me atdheun real ose të imagjinuar, nuk duhet të harrojmë se mundësitë komunikuese moderne janë të pakrahasueshme me ato të dhjetëvjeçarëve të kaluar. Mjafton të kujtojmë ndikimin e jashtëzakonshëm të internetit në mbajtjen e lidhjeve me zhvillimet e vendlindjes. Platforma e internetit lejon gjithashtu krijimin e rrjeteve të ndryshme midis emigrantëve të kualifikuar.

Për t’u shënuar, gjithashtu, se në dy dhjetëvjeçarët e fundit termi diaspora është përvetësuar dhe është përdorur shumë nga organizatat ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Organizata ndërkombëtare për migracionet (IOM)[13].  Mund të supozohet lehtë se adoptimi masiv i kësaj fjale nga organizatat ndërkombëtare ka rritur ndjeshëm edhe përdorimin e saj, sidomos në vende ku prurjet konceptuale nga jashtë, gjatë këtyre viteve të fundit, kanë qenë të jashtëzakonshme, sikurse është rasti i Shqipërisë.

Koncepti i diasporës, pra, ka probleme përkufizimi, sepse ka shumë kuptime e interpretime. Edhe vetë Organizata Ndërkombëtare për Migracionet ka pranuar se nuk ekziston një përkufizim i vetëm i pranuar nga të gjithë, sikurse mungon njohja zyrtare e termit[14].

Të njëjtën dilemë kanë pasur edhe organizatorët e Samitit të Diasporës shqiptare. Në fakt, në projekt-dokumentin e nismës përmenden disa ligje dhe vendime lidhur me mbrojtjen e të drejtave të shtetasve shqiptarë me banim jashtë shtetit. Midis tyre vendimi, në vitin 1996, për krijimin e “Institutit Shqiptar të Diasporës”, më pas i riemërtuar “Instituti Kombëtar i Diasporës”[15]. Pra termi diasporë përdoret zyrtarisht në Shqipëri që në vitet 1990, që me siguri u referohej fillimisht shqiptarëve të ikur para rënies së regjimit.

Në të njëjtin dokument bëhet një tentativë për përkufizimin e Komuniteteve Shqiptare Jashtë Vendit, duke pranuar se mungon një përkufizim zyrtar për diasporën shqiptare. Si bazë merret përkufizimi i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin që e përcakton diasporën si “individët dhe pjesëtarët e rrjeteve, shoqatave dhe komuniteteve të cilët kanë lenë vendin e tyre të origjinës, por i ruajnë lidhjet me të”[16]. Pranohet, gjithashtu, se koncepti përfshin komunitetet e punëtorëve emigrantë që janë vendosur përkohësisht në vende të tjera, emigrantët me dy shtetësi, dhe brezat e dytë e të tretë të emigrantëve.

Më tej, projekt dokumenti i diasporës ofron një përkufizim të thjeshtuar: “Komunitetet Shqiptare Jashtë Vendit përbëhen nga emigrantë shqiptarë dhe pasardhësit e tyre të cilët jetojnë jashtë vendit të lindjes së tyre ose të paraardhësve të tyre, në bazë të përkohshme ose të përhershme, të cilët ende ruajnë lidhje emocionale, afrie dhe materiale me vendet e tyre të origjinës”. Në shënimin përkatës, përkufizimi konsiderohet si i hapur për debat dhe vlerësim gjatë procesit konsultativ. Pra mund të konsiderohet si i përkohshëm[17].

Përkufizimi i diasporës shqiptare dhe i përbërësve të saj është sfidë e hershme e studiuesve dhe përdoruesve. Problemi është ngritur shumë vjet më parë. Sa për të dhënë një shembull, mund të përmendet shkrimi “Diaspora e re: një orvatje për përkufizim”[18], ku prekeshin probleme të ndryshme si shkaqet e diasporave të reja, karakteristikat e migracioneve në epokën e globalizimit,  kujtesa kolektive për vendin dhe identiteti, efektet ngjizëse dhe homogjenizuese të mjeteve të kumtimit masiv, etj. Në të njëjtin shkrim nënvizoheshin elementet dallimore të diasporës së re shqiptare dhe thuhej se “dallesat përcaktohen kryesisht nga marrëdhëniet me vendet pritëse, por edhe nga organizimi, proceset identitare, largësia nga vendlindja, etj. Nga kjo pikëpamje, diaspora shqiptare duhet përdorur më mirë në shumës se sa në njëjës”.

Gjatë punimeve të Samitit të Diasporës, në nëntor 2016, karakteri heterogjen i diasporës shqiptare dallohej lehtë e në mënyrë konkrete, mbi të gjitha nga problemet e ngritura. Ky problem është thelbësor, sepse nuk mund të bëhen politika në favor të diasporës shqiptare dhe as mund të krijohen lidhje me emigrantët shqiptarë, në vende e kontinente të ndryshme, pa marrë parasysh ndryshmërinë e tyre. Në fakt, diaspora mund të shqiptohet në njëjës, por duhet kuptuar në shumës, sepse dallimet dhe problemet e emigrantëve janë të ndryshme nga vendi në vend dhe ndonjëherë edhe brenda një vendi.

Gjatë punimeve të panelit me titull “Përfaqësitë Diplomatike dhe Diaspora: drejt një bashkëveprimi më efikas dhe modern”, ku isha i ftuar në rolin e moderatorit, pata mundësi ta nënvizoja këtë tipar të emigrantëve shqiptarë jashtë shtetit, duke shtuar se diaspora është gjithashtu e shtresëzuar si nga pikëpamja kohore, ashtu edhe nga prejardhja gjeografike. Me fjalë më të thjeshta, problemet dhe kërkesat që shqetësojnë emigrantin shqiptar, që ka ikur katër dekada më parë nga vendlindja, nuk janë të njëjta me atë që është larguar prej dy vjetësh; sikurse nuk mund të barazohen përvojat migratore të një shqiptari, ta zëmë, nga Mitrovica ose Ulqini, me atë me prejardhje, ta zëmë, nga Saranda ose Tetova; ose të nipit të brezit të tretë me emigrantin të sapombërritur në Athinë. Madje, përveç grupmoshave dhe prejardhjes, mund të ndryshojnë edhe trajektoret e integrimit, që shpesh varen nga vendet pritëse. Pa përmendur migracionet e hershme si ato të arbëreshëve.

Meqë ra fjala, përkufizimi i mësipërm për komunitetet shqiptare jashtë vendit paraqet një varg pikëpyetjesh edhe për përfshirjen e arbëreshëve. A mund të quhen arbëreshët emigrantë shqiptarë? Çfarë duhet të kuptojmë me lidhje emocionale? Sa e fortë duhet të jetë lidhja emocionale për t’u konsideruar diasporë? Po lidhjet disi të vagulluara që quhen “afrie e materiale”, si duhen kuptuar? Nga ana tjetër, vetë koncepti i komunitetit përbën problem më vete, përderisa emigrantët shqiptarë jo gjithnjë përbëjnë komunitet, siç mund të jenë anëtarët e kombësive të tjera. Pastaj, koncepti i komunitetit varet nga traditat e integrimit, që siç e dimë kanë tipare të ndryshme, si p.sh. në vendet anglosaksone ku mbizotëron komunitarizmi.

Përdorimi i fjalës diasporë është kundërshtuar edhe nga pikëpamja gjuhësore. Propozimi për ta zëvendësuar me termin mërgatë është argumentuar se diaspora, sipas fjalorit shqip, do të thotë shpërngulje e një grupi etnie a të një kombi, dhe vendosja në një vend tjetër për të jetuar e për të punuar. Ndërkohë që, migrimi i shqiptarëve të sotëm nuk e ka këtë tipar kolektiv absolut. Nga ana tjetër, është nënvizuar se diaspora si fjalë “ka hyrë vonë” e “vetëm në gjuhën zyrtare” dhe se “gjuha e përditshme s’e ka pranuar”[19].

Mirëpo, në vallen e kuptimeve gjuhësore kanë rol edhe konotacionet. Në fakt, fjala mërgatë, në gjuhën totalitare, kishte një ngjyresë negative, me të cilën stigmatizoheshin “armiqtë e popullit” që “ishin arratisur” dhe që “luftonin kundër pushtetit popullor”. Kjo mund të përbënte një pengesë për përdorimin e sotëm. Për më tepër, aktualisht, në shqipen e sotme, askush nuk (vetë)përcaktohet si mërgimtar, por si emigrant, jo si pjesë e mërgatës, por e emigracionit[20].

Mund të shtonim se edhe vetë fjala emigrant nuk është neutrale. Megjithëse lipsen hulumtime gjuhësore shkencore, mund të pohojmë në bazë të vëzhgimeve personale se ndonjëherë fjala emigrant përdoret me nota përçmuese, gjithsesi jo pozitive, sidomos nga ndonjë person që e fut veten në ajkën shqiptare dhe i shikon emigrantët nga lart poshtë, kryesisht për punët e rënda e të rëndomta që ata kryejnë.

Ndikimin e konotacioneve e konfirmon edhe rasti i Kroacisë. Duke filluar nga viti 1990, në Kroaci, në fjalimet zyrtare, termi “diaspora – dijaspora” u përdor për të bashkuar dy koncepte që më parë ishin të veçuara: punëtorët që ishin përkohësisht jashtë shtetit dhe emigrantët (të atyre që kishin ikur nga Jugosllavia për arsye politike). Ky term i fundit, kishte pasur konotacione negative[21].

Vështirë të thuhet nëse arsyet e përzgjedhjes së termit samit janë të njëjta me atë të diasporës. Por nuk mund të mohohet se edhe fjala diasporë e ka një lustër zyrtare dhe tingëllon bukur, pra i shërben më së miri komunikimit politik nga ana e organizatorëve. Pavarësisht se motivet e përzgjedhjes terminologjike nuk mund të paragjykohen, na duhet të pranojmë se termi diasporë është ende i pakristalizuar mirë, më shumë në sferën shqiptare se sa në vende të tjera.

Pavarësisht nga përkufizimet sociologjike dhe zyrtare, diaspora si term rrezikon të perceptohet në shqip si një entitet tashmë i përcaktuar nga pikëpamja kohore e hapësinore, si tërësi e emigrantëve që jetojnë jashtë territorit shqiptar. Mirëpo, ky lloj perceptimi do ta neutralizonte përmasën kaleidoskopike të shqiptarëve me banim jashtë shtetit, pra do ta sillte diasporën vetëm në njëjës e në mënyrë të njëtrajtshme, tejet përgjithësuese e thjeshtëzuese, duke ia reduktuar automatikisht edhe potencialitetin.

Nga ana tjetër, diaspora rrezikon të perceptohet si një koncept i ngurtë dhe statik në shqip, duke eliminuar përmasën elastike dhe dinamike të saj. Në fakt, shumëkush harron se diaspora është si një organizëm i gjallë, që ushqehet si nga pikëpamja sasiore (emigrimi nga Shqipëria vijon edhe sot e kësaj dite), ashtu edhe nga pikëpamja identitare[22].

Kjo nuk do të thotë se limiti është i fjalës diasporë në vetvete, natyrisht duke iu referuar versionit modern të saj. Problemi qëndron në mosmbushjen e saktë të kësaj fjale nga ana kuptimore, ose të përkufizimit të saktë publik, pra të përditësimit konceptual në shqip, para se të ngjitej në shkallët e larta mediatike dhe zyrtare të samitit. Aq më tepër që punimet e samitit nuk iu kushtuan shprehimisht sqarimit të tij, por e morën si të mirëqenë që në titull, që si rrjedhim mori pamjen e një brand-i.

Samiti dhe diaspora, si fjalë, edhe pse të japin përshtypjen imediate të qartësisë, në realitet mjafton një pyetje më shumë dhe ato shndërrohen aq të largëta e të vagëlluara semantikisht, saqë humbasin drejt reve dhe mjegullës kuptimore, çka ndikon indirekt edhe në përcaktimin e duhur të objektivave të nismës. Një konceptim ndryshe i titullit të “Samitit të Diasporës”, qoftë me punë e veprimtari parapërgatitore, i diktuar ekskluzivisht nga kërkesat e njohjes dhe të krijimit të lidhjeve, do të kishte shmangur shumë probleme, keqkuptime e pasaktësi.


[1] Për më tepër shih https://en.oxforddictionaries.com/definition/summit ose https://www.collinsdictionary.com/dictionary/english/summit
[2] Shih http://www.treccani.it/vocabolario/summit/
[3] Pavli Qesku, Fjalor anglisht – shqip, Edfa, Tiranë 2000 dhe Ramazan Hysa, Fjalor anglisht – shqip, Edfa, Tiranë, 2000.
[4] Personalisht do të kisha dashur të ndiqja punimet e disa paneleve, sepse kishte tema që më interesonin.
[5] Ky dokument mund të lexohet në faqen Deklarata e Samitit. Deklarata është më shumë një angazhim në vija të përgjithshme e qeverisë, pas punimeve të Samitit, dhe jo një deklaratë e vetë samitit, sepse rasti i dytë nënkupton miratimin e diasporës, çka nuk më rezulton të jetë bërë.
[6] Shih Enciklopedinë Treccani http://www.treccani.it/enciclopedia/diaspora/
[7] Shih Cohen Robin, The diaspora of a diaspora : the case of the Caribbean, “Social Science Information”, Vol.31 (No.1), 1992, f. 159-169.
[8] Matilde Callari Galli (përg.), Nomadismi contemporanei, Guaraldi, Rimini 2004, f. 29.
[9] Laura Zanfrini, Sociologia delle migrazioni, Laterza, Bari 2007, f. 78-79.
[10] Po aty.
[11] Në karakteristikat e përgjithshme të diasporës, midis të tjerash, përfshihen: ikja nga atdheu e shpërndarja në vende të tjera, pas ngjarjeve traumatike; përhapja territoriale me qëllim pushtimi, pune ose tregtie; kujtesa kolektive dhe miti për atdheun; idealizimi i tij dhe i bashkësisë; lëvizjet kolektive për kthim në atdhe; vetëdija e fortë etnike; marrëdhënie problematike me shoqëritë pritëse; marrëdhënie empatike e solidare me anëtarët e grupit etnik që jetojnë në vende të tjera; mundësia për të zhvilluar një jetë më të larmishme brenda vendeve tolerante, etj. Shih Robin Cohen, Global diasporas. An introduction, second edition, 2008 Routledge, London, f. 17,  i cili ka dhënë edhe disa tipologji të diasporave duke i ndarë, me shembuj përkatës, në victim diaspora, labour diaspora, imperial diaspora, trade diaspora, deterritorialised diaspora (f. 18).
[12] Rogers Brubaker, The ‘diaspora’ diaspora, Ethnic and Racial Studies Vol. 28 No. 1 Janar 2005 f. 1-19.
[13] Stéphane Dufoix, Diasporas: historical and conceptual analysis, The Encyclopedia of Global Human Migration, botuar nga Immanuel Ness, Blackwell Publishing Ltd., 2013.
[14] Ja çfarë shkruan IOM: “There is no single accepted definition of the term “diaspora”, neither is there a legal recognition of the term which consequently has given rise to many different meanings and interpretations”. Shih http://www.iom.int/jahia/webdav/site/myjahiasite/shared/shared/mainsite/policy_and_research/policy_documents/iom_research.pdf
[15] Bëhet fjalë për “vendimet e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 216 dhe 608 në vitin 1996, Instituti Shqiptar i Diasporës i ngritur pranë Kryeministrit u riemërua Instituti Kombëtar i Diasporës, me varësi të centralizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme”. Shih Projektdokumenti i Diasporës
[16] Organizata Ndërkombëtar për Migracionin, Shqipëria: Profili i Zgjeruar i Migracionit 2012 – 2014, f. 16, cituar tek Projekt-dokumenti i diasporës
[17] Po aty
Projektdokumenti i Diasporës
[18] Shkrimi është botuar fillimisht tek “Bota Shqiptare”, Romë, maj 2004 e më pas është ribotuar në librin Rando Devole, Ura mbi det, Ora, Tiranë 2008, f. 157.

[19] Mehmet Elezi, Diaspora apo Mërgata?, 05. 12. 2016
[20] Gjatë ditëve të Samitit të Diasporës, dëgjova nga disa pjesëmarrës disa neologjizma humoristike, që luanin me termat e titullit, si p.sh. samitsadiasporista, etj., çka mund të merret edhe si shenjë e vogël e problemit të përkufizimit, edhe pse në kuadrin e shakasë.
[21] Povrzanović Frykman, M., Homeland lost and gained: Croatian diaspora and refugees in Sweden, në N.Al-Ali & K. Kosher, përg, New Approaches to Migration? Transnational communities and the transformation of home, London e New York: Routledge 2002, cituar tek Matilde Callari Galli (përg.), Nomadismi contemporanei, Guaraldi, Rimini 2004, f. 30.
[22] Në këtë kuadër do të kishte qenë i dobishëm, qoftë në një fazë paraprake, përdorimi i fjalës migracion/e, që tregon më mirë lëvizjen moderne të popullsisë. Mirëpo, ky term mund të shkaktonte polemika politike lidhur me arsyet e vazhdimit të emigrimit aktual të shqiptarëve.
 
 

Bernard Dika e gli altri, Alfieri della Repubblica che fanno onore all’Italia

L’immigrato non sa l’italiano, il sindaco gli nega la cittadinanza