in

Vizat e hyrjes, BE mund të pezullojë marrëveshjet e liberalizimit

Parlamenti Evropian miraton një mekanizëm të ri për rifutjen e vizave të hyrjes nga Vende që sot gëzojnë lëvizjen e lirë, në rast se rritet emigracioni i parregullt. Është “freni i emergjencës” i kërkuar nga 28 vendet për të liberalizuar hyrjet nga Ukraina

Romë, 22 dhjetor  2016 – Po mbërrin “freni i emergjencës”. Nuk është e thënë të përdoret, por në rast rritjeje të imigracionit të paligjshëm, BE mund t’u kërkojë vizë hyrjeje edhe atyre që sot lëvizin lirisht në Evropë.

Janë rreth 70 vende që falë marrëveshjeve me Bashkimin Evropian  kanë liberalizuar qëndrimet afatshkurtra. Pikërisht falë këtyre marrëveshjeve, për shembull, prej 15 dhjetorit 2010 shqiptarët mund të vijnë në Itali si turistë ose, në të shumtën e rasteve, t’u bëjnë vizitë të afërmve e miqve që jetojnë këtu, pa pasur nevojë të marrin më parë vizë në konsullatat italiane në Shqipëri.

Por më 15 dhjetor të këtij viti, Parlamenti Evropian ka miratuar (pritet edhe  vota e Këshillit evropian) norma që sjellin në fuqi një mekanizëm të ri për pezullimin e çdo marrëveshjeje, që do të përkthehet në një rikthim të përkohshëm të vizave për qytetarët e Vendit të interesuar. Mekanizmi do të vihet në funksionim kur të verifikohet qoftë edhe vetëm një nga kushtet e përcaktuara në tekstin e propozuar nga Komisioni Evropian dhe i miratuar nga deputetët.

Cilat janë këto kushte? Shtimi “i konsiderueshëm” i imigracionit të parregullt nga ai Vend; rënia e bashkëpunimit për ripranimin (pra riatdhesimet) e të parregulltve; shtim i rreziqeve apo rrezik i afërt për rendin publik apo për sigurinë e brendshme që kanë të bëjnë me shtetas të atij vendi.

Do të jetë Komisioni që do të vendosë pezullimin, me iniciativën e vet apo me propozim të një apo më shumë vendeve anëtare, por gjithnjë mbi bazë “të dhënash konkrete dhe objektive”. Në fillim do të zgjasë për nëntë muaj, të cilave do t’u shtohen tetëmbëdhjetë të tjerë nëse do të vazhdojnë të qëndrojnë kushtet që e bënë të nevojshëm pezullimin. Nëse këto masa nuk funksionojnë, BE-ja mund edhe të rifusë përgjithmonë vizat (pra, faktikisht të fshijë marrëveshjet e bëra) për shtetasit e vendit në fjalë.

Krijimi i “frenit të emergjencës” të këtij lloji është kushti i vënë nga qeveritë evropiane për të miratuar përfundimisht marrëveshjet e reja për liberalizimin e vizave për shtetasit e Ukrainës, Gjeorgjisë e në të ardhmen të Kosovës. Marrëveshje që deri tani janë ngrirë pikërisht nga frika se mos sjellin flukse të reja imigrantësh të parregullt.

“Ne kemi arritur të krijojmë një mjet më fleksibël dhe funksional, duke siguruar, njëkohësisht, respektimin e të drejtave të njeriut dhe një rol kyç për Parlamentin Evropian”, ka thënë Agustín Díaz de Mera (PPE), raportuesi i vendimit në Parlamentin Europian. “Unë jam i sigurt se pas miratimit të “mekanizmit të pezullimit”, Këshilli do të bashkëpunojë plotësisht me qëllim që propozimet për të garantuar liberalizimin e vizave e për Gjeorgjinë dhe Ukrainën të mos ndeshin pengesa, pasi të dyja vendet kanë përmbushur me kohë kriteret që kërkohen”.

Lexo tekstin e miratuar nga Parlamenti Evropian

Elvio Pasca

 

 

 

 

 

L’immigrato non sa l’italiano, il sindaco gli nega la cittadinanza

Kush i lëshon shtëpinë me qira një imigranti, duhet të lajmërojë Policinë?