Provincë për provincë në bazë të kërkesave të paraqitura por edhe sipas udhëzimeve të institucioneve e palëve sociale
Romë, 25 janar 2011 – Hyrjet e autorizuara nga dekret i flukseve do të shpërndahen mes provincave italiane në mes të shkurtit, pasi të kenë përfunduar tre ditët e prenotimeve (click day).
Ministria e Punës do të mbajë parasysh kërkesat për punësim të paraqitura në çdo provincë, por edhe nevojën për krahë pune të shprehur nga Rrethet, Provincat, shoqatat e punëdhënësve dhe sindikatat. Një metodë që do jetë interesante kur të ndiqet praktikisht, veçanërisht atje ku ka diferenca të mëdha mes dy parametrave.
Kjo procedurë është shpjeguar në një notë të Ministrisë së Punës, e cila përcakton një kalendar të saktë. Fillimisht, brenda javës së parë të shkurtit, do t’i mbërrijnë ministrisë të dhënat mbi kërkesat e paraqitura në çdo provincë, të ndara sipas kategorive të parashikuara nga dekreti i flukseve: punonjës të varur me shtetësi të privilegjuar dhe punonjës shtëpiakë me shtetësi të tjera.
Brenda njëmbëdhjetë shkurtit duhet t’i komunikohen ministrisë rezultatet e konsultimeve me institucionet dhe palët sociale në nivel rajonal dhe provincial. Duke kryqëzuar të dhënat e kërkesave me ato të konsultimeve, brenda 15 shkurtit do të shpërndahen në provincat e ndryshme kuotat e punonjësve me shtëtsi të privilegjuar dhe të arytë për asistencë familjare.
Në të vërtetë, hyrjet e para për asistencë familjare mund të caktohen dhe më parë, sepse më 3 shkurt ministria do të shpërndajë një kuotë fillestare të përkohshme për çdo provincë. Një zgjedhje e diktuar nga urgjenca e atyre që kanë nevojë menjëherë për një kujdestare.
Nuk do të bëhet asnjë shpërndarje territoriale për sa i përket konvertimit të lejeqëndrimeve, as për hyrjet e tjera të parashikuara nga dekreti i flukseve : punonjës të përgatitur profesionalisht në vendet e tyre dhe punonjës amerikano-jugorë me origjinë italiane. Në të gjitha këto raste do të ketë një radhitje kombëtare që do të bëjë të mundur dhënien e kuotave deri në mbarimin e vendeve.
Elvio Pasca