in

BE: “Ju qëndrojmë pranë por duhet të ndaloni çdo dhunë”

 

Tiranë, 26 janar 2011 – I dërguari i posaçëm i Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, diplomati sllovak Miroslav Lajçak, ka deklaruar sot në Tiranë se “ka sjellë një mesazh të qartë për popullin shqiptar: “BE është me ju dhe dëshiron që Europa të bëhet një perspektivë reale për Shqipërinë”.

Por gjithsesi ka theksuar Lajçak, “dëshirojmë të shohim më parë fundin e dhunës dhe fundin e këtij shkallëzimi të tensioneve, pasi kjo nuk është një mënyrë evropiane e zgjidhjes së diskutimit politik” duke iu referuar krizës politike që më 21 janar arriti kulmin me manifestimin ku u regjistruan ndeshje të dhunshme mes policisë dhe manifestuesve, tre prej të cilëve mbetën të vrarë.

Diplomati sllovak Miroslav Lajçak është takuar sot me figurat politike kryesore në këtë situatë, presidentin Topi, kryeministrin Berisha dhe kryetarin e opozitës Rama: “U shpreha të gjithëve shqetësimin tonë të madh për situatën në vend dhe nënvizova nevojën për respektimin e rendit publik dhe të shtetit të të drejtës”. Atyre u kërkoi edhe: “të mbajnë të gjithë përgjegjësitë e tyre në mënyrë që të parandalohet dhunë e mëtejshme”.

“Duam, – ka vazhduar i dërguari  Lajçak – kthimin e Shqipërisë në rrugën drejt Europës, objektiv që arrihet vetëm nëse qoftë qeveria e qoftë opozita bëjnë punën e tyre”. Diplomati më tej ka saktësuar që “e ardhmja evropiane e Shqipërisë varet shumë nga fakti nëse udhëheqësit politikë shqiptarë do të zgjedhin të bëjnë atë që u kërkojmë ne të bëjnë dhe ta bëjnë atë tani”.

E ka mbyllur duke kujtuar që “Europa është gjithnjë krah jush dhe e gatshme të ndihmojë vendin tuaj”.

Istat: Italia rritet falë të huajve

Rama konfirmon manifestimin e të premtes