in

Shtetësia italiane. Partia Demokratike i kthehet reformës: “Ta miratojmë tani”

Angazhimi i kryetarit të grupit të senatorëve PD, Luigi Zanda. Presidenti Orfini: “Koherencë”. Turco: “Italianët janë shembull i bashkëjetesës, kështu luftohet frika”

Romë, 17 janar 2017 – Baza, kreu, parlamentarët. Ndërsa legjislaturës i afrohet fundi, në PD janë të gjithë dakord që duhet nxjerrë nga sirtarë reforma e shtetësisë për brezat e dytë e për të bërë të pamundurën që ajo të miratohet menjëherë, para se të shkohet në zgjedhje të reja.

Do të jetë njohja e duhur e të drejtave të italianëve de facto, një mjet bashkëjetese e një akt koherence. Ajo PD që mblodhi firmat për fushatën “Italia jam edhe Unë” e nisi këtë legjislaturë duke vënë mes pikave të para të programit të vet pikërisht reformën e shtetësisë, nuk mund të vazhdojë ta harrojë.

Një tjetër “angazhim solemn”, për ta thënë me fjalët e Orfinit, që nuk dihet sa i realizueshëm mund të jetë tashmë, u mor përsipër mbrëmë në një seksion të PD-së në Pigneto, lagje shumëkulturore e Romës, gjatë një takimi të organizuar nga Forumi i Imigracionit, dedikuar “Romës dhe të drejtave të qytetarisë”.

Të regjistruarit në Parti, të tronditur nga lajmet rreth dëbimeve dhe hapjes së CIE-ve të reja të Panit Minniti, pyetën ku kanë përfunduar, për PD-në, politikat e integrimit dhe të bashkëjetesës. Mbi të gjitha, ku ka përfunduar reforma e shtetësisë. Në podium, bashkë me koordinatorin e Forumit, Marco Pacciotti, edhe kryetari i partisë, Matteo Orfini, kryetari i grupit të senatorëve Luigi Zanda e Livia Turco presidente e Fondacionit Nilde Iotti.

“Shifrat e PD-së në Senat – tha Zanda – janë ato që janë. E patëm të vështirë miratimin e “ndarjes bashkëshortore të shpejtë” , shumë të vështirë miratimin e “bashkimeve civile”. E megjithatë unë jam i bindur që kjo legjislaturë do të mbahet mend si pikërisht për ato që ka bërë në aspektin e të drejtave. Shoqëritë copëtohen për të drejtat që nuk njihen, bashkohenkur njihen të drejtat e të gjithëve, e në veçanti të minorancave”.

“Edhe vetë personalisht, gjatë fushatës referendare – ka pranuar kryetari i grupit  të senatorëve – u përpoqa të ngadalësoja rrugëtimin e reformës mbi shtetësinë, nga frika. Isha i shqetësuar që mund të mos kishim shumicën e votave për ta kaluar. Por tani garantoj që senatorët e PD-së do të bëjnë të pamundurën që ius soli të bëhet ligj brenda kësaj legjislature, pavarësisht nga çasti kur do të shkohet të votohet”.

Një thirrje për koherencë mbërriti edhe nga kryetari i PD-së Matteo Orfini. “Po shkojmë drejt mbylljes së një legjislature që u hap me programin e Bersanit për të bërë reformën e shtetësisë. mes pak ligjeve që Parlamenti do të arrijë akoma të miratojë duhet të jetë patjetër reforma e shtetësisë. Është një angazhim që PD ka marrë përsipër e që sot parlamentarët tanë kanë rimarrë përsipër në mënyrë solemne. Duhet mbajtur.”

Argumente të caktuara, sipas Orfinit, nuk mund të vihen mënjanë për shkak të fushatës zgjedhore. “E kemi detyrë t’i trajtojmë, si klasë politike, edhe pse po të jenë jopopullore. Është detyrë e jona të bëjmë beteja që nuk shkojnë kundër rrymës, që arrijnë të ndryshojnë opinionin publik, nuk duhet të na e përcaktojnë drejtimin sondazhet”.

“Reforma e shtetësisë është betejë e jona” theksoi Livia Turco, që mbi këto çështje ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së saj politike. “Në një moment të vështirë si ky i tanishmi duhet të jemi koherentë”. Si të mbajmë të bashkuar një Itali që ka ndryshuar kaq shumë, por akoma nuk e ka përpunuar këtë ndryshim në një projekt kulturor?

“Të reflektojmë se si të krijojmë bashkëjetesën. Për të heshtur frikën nevojiten politika sociale, por edhe shembuj të mirë” tha ish ministrja. Brezat e dytë, “dëshmojnë që imigrantët e bijtë e tyre nuk janë ata që duan të të vjedhin punën, por de facto janë italianë, e provë e suksesit është bashkëjetesa. Këta të rinj dëshmojnë një Itali që tashmë ekziston”.

Për koordinatorin e Forumit të Imigracionit Marco Pacciotti, lista e gjërave që duhen bërë është e gjatë: nga teksti i ri unik për imigracionin të norma të reja për respektimin e identitetit fetar. Ashtu si një tjetër premtim i pambajtur i PD-së në qeveri, e drejta e votës për imigrantët në zgjedhjet vendore. “Është një boshllëk i madh demokratik. Vetëm në Romë jetojnë 400 mijë bashkëqytetarë tanët që nuk mund të zgjedhin kush t’i administrojë”.

Nuk është e mendueshme të arrihen këto qëllime në këtë pak pjesë të mbetur të legjislaturës, por sipas Pacciottit, mund të realizohet të paktën ligji për të miturit dhe reforma e shtetësisë. “Përndryshe, mbi temën e ius soli-t, rrezikojmë që shoqëria të jetë shumë më përpara se politika” pohoi Pacciotti. Në lojë është gjithnjë “një ide qytetarie që konsideron italianë të rinj e të vjetër të bashkuar nga aspirata, probleme e mundësi”.

Elvio Pasca

 

Portreti i Sku00ebnderbeut

Portreti i Skënderbeut

Shtetësia italiane, Senati e provon edhe njëherë: “Reforma të sillet në sallë”