in

Berisha anullon mitingun e të shtunës


Në mbledhjen e qeverisë Sali Berisha përsërit rezervat e tij për Prokuroren e përgjithshme por thotë se do të garantojë një hetim të plotë e të gjithanshëm. Ndërsa për manifestimin e të shtunës konfirmon anulimin për të shmangur çdo keqkuptim se ai mund të ishte një provë force me opozitën

Tiranë 26 janar 2011 – Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha informoi se në të gjitha bisedat që ka zhvilluar me përfaqësuesit më të lartë të Komisionit Europian si dhe të SHBA-së ka pasur një dënim unanim të akteve të dhunës, si akti më i papranueshëm.

“Ka një kërkesë për një hetim të plotë, transparent dhe të pavarur të asaj që ndodhi, të vrasjes por edhe në tërësi të problematikës. Ka edhe një kërkesë të ligjshme që të shmangen përplasjet dhe dhuna në mitingje dhe aktivitete të tjera”, tha Berisha.

Berisha e cilësoi ngjarjen e 21 janarit, si një grusht shteti i planifikuar të zhvillohej me faza për të sjellë në pushtet me dhunë Edi Ramën. Kryeministri siguroi se do të dështojë çdo tentativë e përsëritur për të marrë pushtetin me dhunë, ndërsa paralajmëroi kreun e PS-së Edi Rama se do të mbajë përgjegjësi të plotë dhe drejtpërdrejtë në rast të ripërsëritjes të skenarit të dhunshëm.

Duke u ndalur te hetimi i ngjarjes, Kryeministri falënderoi qeverinë e SHBA-së që mori përsipër të sjellë ekspertët më të mirë për një hetim të plotë, por nuk kurseu kritikat për prokurorinë: “ata që drejtojnë institucionet e këtij vendi u bënë pjesë e një akti të shëmtuar, dëshmuan se janë pjesë e ngjarjes së bulevardit, dëshmuan se ata vepruan si një repart i turpshëm ndërkohë që hetimi duhet të ishte kredibël”.

Megjithatë, ai siguroi se është i vendosur të respektojë kuadrin institucional të këtij vendi dhe gjithçka do të ecë në kuadrin institucional. “Unë do respektoj institucionet sepse ligji dhe Kushtetuta janë të shenjta për liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Çdo variant tjetër do të dhunonte jo vetëm këtë grup puçistësh, por do të dënonte mbarë liritë dhe të drejtat e shqiptarëve”.

Ai garantoi për një hetim të plotë e të gjithanshëm, ndërsa siguroi se asnjë përfaqësues i Gardës së Republikës nuk ka asnjë lloj mbrojtje ndaj hetimit jopolitik, por dënimi kolektiv i zinxhirit të komandës së gardës është i papranueshëm. Berisha siguroi institucionin e hetimit se “do të ketë bashkëpunim të plotë të të gjitha agjencive për të kompletuar transparencën e hetimit”. “Ftoj Ina Ramën të vazhdojë hetimin, por ajo gënjen publikisht shqiptarët kur thotë se nuk ka padi për ata që vunë zjarrin”, tha Berisha duke publikuar para mediave dokumentin e hollësishëm të akt padisë ku përfshihen të gjithë organizatorët e ngjarjes së 21 janarit. Gjithashtu, ai nënvizoi se komisioni hetimor parlamentar do të shqyrtojë qëndrimin e çdo institucioni të këtij vendi në raport me zhvillimet e 21 janarit. Por Berisha kërkoi që “askush mos ta marrë këtë si një sulm ndaj institucionit të Prokurorisë, por ta konsiderojë si një transparencë të domosdoshme”.

Ai kërkoi përcaktimin e një fondi për shpërblimin e çdo dëshmie të vyer dhe dëshmitari që ka informacione për ngjarjen. Berisha i ftoi të gjithë ata që kanë informacione të vlefshme që t’i dorëzojnë në komisionin hetimor parlamentar dhe policinë kriminale, ndërkohë që këto të fundit duhet t’i dorëzojnë pa përjashtim në Prokurorinë e Shtetit. “Duke respektuar plotësisht institucionet do bëhet një hetim i gjithanshëm. Nuk duhet t’i ndërhyjmë apo të pengojmë asnjë institucion, përkundrazi duhet të ndihmojmë në zbatimin e ligjit”, tha ai.

Berisha konfirmoi anullimin e mitingut paqësor të së shtunës, ndërsa theksoi se kjo është një kërkesë e ligjshme dhe logjike e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë që ndjekin me shqetësim gjendjen në Shqipëri. “Organizimi i këtij mitingu nuk ka pasur asnjë qëllim për të treguar forcën, pasi forca jonë qëndron te ligji”, tha Berisha.

Rama konfirmon manifestimin e të premtes

BBC mbyll shërbimin në gjuhën shqipe