in

Shtetësia italiane. Italia jam edhe unë: “Menjëherë reforma për një milion italianë”

Shoqatat thërrasin protestë të vazhdueshme “deri sa të përcaktohet një afat i sigurt për miratimin e ligjit”. “Do të favorizonte përfshirjen, e do të reduktonte largësinë mes institucioneve italiane dhe personave me origjinë të huaj”

Romë, 27 janar 2017 – Më 13 tetor 2015, tashmë mëse një vit më parë, Dhoma e Deputetëve miratoi propozimin e reformës së ligjit nr. 91/1992 mbi shtetësinë Italiane. Atë ditë organizatat e fushatës “L’Italia sono anch’Io” (Italia jam edhe unë), që nga shtatori 2011 deri në mars 2012 kishin mbledhur 200 mijë firma për dy propozime ligjesh me nismë popullore mbi reformën e shtetësisë dhe njohjen e të drejtës së votës administrative të qytetarëve të huaj, shpresuan se shumë shpejt reforma do të miratohej përfundimisht edhe nga Senati.

Por jo vetëm që ligji akoma nuk është miratuar, por këto ditë po lexohen lajme shqetësuese rreth fatit të tij. Me gjithë impenjimin e kryetarit të Senatit Grasso për përshpejtimin e rrugëtimit të reformës, premtimet që u janë bërë promovuesve të fushatës “L’Italia sono anch’io”, dhe përfaqësuesve të #ItalianiSenzaCittadinanza nga kryetarja e atëhershme të Komisionit, Finocchiaro (PD), sot ministre për marrëdhëniet me Parlamentin, për vënien në kalendr të reformës menjëherë pas referendumit të 4 dhjetorit, nuk janë mbajtur.

Për “Italia jam edhe unë”, ligji i miratuar nga Dhoma e Deputetëve ka shumë pika të dobëta e mangësi, por megjithatë një miratim i shpejtë i tij do t’u mundësonte rreth një milion të rinjve me origjinë të huaj por të lindur apo të rritur në Itali të merrnin menjëherë shtetësinë. Miratimi i ligjit do të favorizonte proceset përfshirëse të familjeve të këtyre të rinjve dhe do të reduktonte largësinë mes institucioneve italiane dhe personave me origjinë të huaj.

Promotorët e fushatës kanë kërkuar një takim të ri me ministren Finoccchiaro, për t’i kujtuar se ç’kishte premtuar të bënte. Kërkesa për takim u është nisur edhe kryetarëve të grupeve të Senatit. Ndërkaq, organizatat e “Italia jam edhe Unë” kanë vendosur të thërrasin një manifestim proteste të vazhdueshme deri sa të përcaktohet një afat i qartë për miratimin e ligjit. Protesta do të nisë në rrjetet sociale deri në fund të shkurtit kur do të dilet në shesh bashkë me lëvizjen #ItalianiSenzaCittadinanza, për të ngritur zërin mbi urgjëncen e miratimit të kësaj reforme të rëndësishme.

Fushata “Italia sono anch’io” (Italia jam edhe unë) promovohet nga Acli, Arci, Asgi, Caritas Italiana, Centro Astalli, Cgil, Cnca, Komiteti 1 Mars, komuna Reggio Emilia, Komuniteti Sant’Egidio, Coordinamento Enti Locali Per La Pace, Emmaus Italia, Fcei, Legambiente, Libera, Lunaria, Migrantes, Il Razzismo è Una Brutta Storia, Rete G2 – Seconde Generazioni, Tavola Della Pace, Terra del Fuoco, Ugl, Uil, Uisp.

 

 

 

 

 

Presa diretta tra gli albanesi d’Italia (VIDEO)

“Nder i Kombit” për 35 familjet që strehuan hebrenjtë gjatë Luftës së II Botërore