in

Agim Memolla, dje refugjat, sot sipërmarrës i impenjuar në zonat e goditura nga tërmetet

Në Itali nga viti 1995, sot ka një ndërmarrje ndërtimi me 15 të punësuar në Nocera Umbria, e para që është futur në regjistrin e sipërmarrjeve antimafie të ministrisë së Brendshme

Romë, 30 janar 2017 – Historia e Agim Memollës që jep sot e përditshmja Il sole 24 ore, është një prej atyre të bukurave, që tregojnë që me punë e vullnet mund të arrihet gjithçka, edhe kur e nis nga zeroja në një vend të huaj e mes njëmijë vështirësish.

41-vjeçari Memolla erdhi në Itali me një karakatinë deti kur akoma nuk kishte mbushur 19 vjeç, në vitin 1994. Sot ka një ndërmarrje të tijën me 15 punonjës, Memolla Group s.r.l. në Nocera Umbra që është ndër të parat e angazhuara në rindërtimin e zonave të Italisë Qendrore të shkatërruara nga tërmetet e fundit. Sipas Il sole 24 ore, sipërmarrja e Agim Memollës është e para e përfshirë në regjistrin e posaçëm antimafia pranë ministrisë së Brendshme, të ngritur për “garantimin e legalitetit të rindërtimit të territoreve të goditura nga tërmetet” siç deklarohet në prtalin e Viminales. “Nisa kërkesën më 1 dhjetor dhe më 2 janar më erdhi përgjigjja pozitive” tregon vetë Agimi për gazetën italiane.

Agim Memolla ka ardhur në Itali në vitin 1994, e kanë kapur, e kanë nisur mbrapsht, por ai ka ardhur sërish menjëherë. “Nisa të punoja, natyrisht në të zezë. – thotë Agimi – Me një prej sanatoreve të viteve ’90 u pajisa me dokumente qëndrimi dhe u punësova me kontratë të rregullt në një ndërmarrje ndërtimi”.

Kur tashmë është ambientuar në Nocera Umbra, mbërrin tërmeti i vitit 1997, që veç fatkeqësive krijon edhe mundësi të reja pune. “Hapa në fillim një ndërmarrje individuale e pak nga pak punët illuan të më ecnin mirë e m’u desh të punësoja të tjerë. Sot kam një ndërmarrje me përgjegjësi të kufizuar me 15 punonjës. Jam i lumtur për atë që kam arritur” vazhdon rrëfimin Agimi.  

Ndërmarrja e tij ka nisur menjëherë pas tërmeteve të vjeshtës së shkuar ndërhyrjet urgjente në zonën e goditur. Ka sistemuar një shkollë në Cascia të dëmtuar nga tërmeti i 30 tetorit, ka kantiere të hapura në rindërtimin e Aquilas dhe tani, me futjen në regjistrin antimafia, është gati të marrë pjesë në rindërtimin e mirëfilltë publik e privat të zonave të dëmtuara.

Artikulli në origjinal: La storia di Agim Memolla: da profugo albanese a imprenditore in prima fila nel cratere del Centro Italia

 

“Nder i Kombit” për 35 familjet që strehuan hebrenjtë gjatë Luftës së II Botërore

“Cari senatori, non sacrificate i bambini, avete nelle vostre mani le nostre vite”