Shërbimi Botëror i BBC-së ka njoftuar se do të mbyllë shërbimet në pesë gjuhë – maqedonisht, portugalisht për Afrikën, serbisht, dhe shqip; si edhe shërbimin në anglisht për rajonin e Karaibeve.
Ky shkurtim është pjesë e një ristrukturimi të Shërbimit Botëror të BBC-së për të plotësuar objektivin prej 16% në kursime që u njoftua gjatë Rishikimit të Shpenzimeve nga qeveria më 20 tetor të vitit të shkuar. Nga nivelet më të larta të BBC-së u bë e ditur se “këto mbyllje nuk janë pasqyrim i punës së shërbimeve apo programeve individuale. Ato janë jashtëzakonisht shumë të rëndësishme për audiencat e tyre dhe për BBC-në. Por thjesht duhet të bëhen kursime për shkak të shkallës së shkurtimeve në financimin nga Granti për Shërbimin Botëror të BBC-së nga Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar dhe ne duhet të përqendrojmë përpjekjet tona në gjuhët ku ekziston nevoja më e madhe dhe ku ne kemi ndikimin më të madh”.
Të mërkurën Shërbimi Botëror njoftoi se rreth 650 punonjës të tij – një e katërta e stafit – do të humasë vendet e punës, shumica në vitin e parë, pjesa tjetër në vitet pasardhëse.
BBC në shqip për herë të parë filloi transmetimet në nëntor 1940 Kur Dervish Duma së bashku me Anton Logorecin e Tajar Zavalanin filluan transmetimet pesëminutëshe në gjuhën shqipe. Më vonë ekipit iu bashkuan S. Zavalani, P. Bogdo, A. Andoni, Q. Kastrati, V. Çami, G. Hamiti, V. Vrioni, I. Toptani.
Shërbim ky që vazhdoi për 26 vjet duke transmetuar gjatë periudhave historike të mëdha si lufta e dytë botërore, apo periudha e territ informativ në vitet e komunizmit.
Në 1967 për arsye financiare, ky shërbim u mbyll. U bënë disa herë përpjekje nga BBC për ta rihapur këtë por kjo u bë e mundur vetëm në 1992 kur u mor vendimi dhe filloi puna për të ngritur seksionin shqip.
Më 28 shkurt 1993 “Ju flet Londra” nisi sërish në valët e Shërbimit Botëror të BBC-së, i cili në atë kohë transmetonte edhe në 43 gjuhë të tjera.
Fillimisht në shqip kishte katër programe në ditë e çdo të diel, BBC në Shqip transmetonte edhe programin rinor “Ritëm e Pop”. Deri sa në rajon vazhdonte të kishte çështje të pazgjidhura, ky kanal ishte pikë referimi për një audiencë të gjerë. Aq më shumë që sipas të dhënave, mosha e dëgjuesve shqipfolës në Shqipëri, Kosovë e në vende të tjera ishte më e re se në vendet e tjera të Evropës.
Shfaqja e radiove të reja vendase, bashkuar me krizën ekonomike, shënoi fundin e një kanali radiofonik që dëgjuesve shqiptarë që duan informacionin e paanshëm dhe të saktë, do t’u mungojë tashmë.