Kam ardhur për të parë disa të afërm e di që si turist mund të qëndroj maksimumi 90 ditë, por do të dëshiroja të qëndroja më gjatë. Si t’ia bëj që të shtyj kthimin?
Romë, 9 shkurt 2017 – Kush vjen në Itali për periudha të shkurtra, për shembull për turizëm apo për të takuar të afërmit, në përgjithësi, pajiset në konsullatat italiane në vendlindje me “vizë të njësuar Schengen” të tipit C, që ka kohëzgjatje maksimale 90 ditë. Qytetarët e disa vendeve, si shqiptarët për shembull, falë marrëveshjes me BE-në, nuk kanë nevojë të pajisen me “vizë të njësuar Schengen” për udhëtimet e shkurtra, por gjithsesi duhet të respektojnë plotësisht atë çka kjo vizë parashikon, e në veçanti afatin kohor të qëndrimit në Itali (dhe në të gjithë zonën Schengen).
Me të mbërritur në Itali, kush vjen në Itali për kohë të shkurtër (pra me vizë të njësuar Schengen të tipit C apo pa vizë falë liberalizimit të vizave), nuk duhet të kërkojë leje qëndrimi por thjesht duhet të bëjë një deklarim të pranisë së tij në territorin italian.
Me përfundimin e 90 ditëve, qytetari i huaj duhet të kthehet në atdhe nëse nuk dëshiron të kthehet në imigrantë të parregullt e të rrezikojë dëbimin që ka si pasojë ndalimin e hyrjes në Itali dhe në të gjithë zonën Schengen. Rregullorja zbatuese e Tekstit Unik mbi Imigracionin (DPR 394/1999), në nenin 13, parashikon mundësinë e qëndrimit përtej 90 ditëve vetëm nëse ekzistojnë “motive serioze, veçanërisht të karakterit humanitar apo që rrjedhin nga detyrime kushtetuese ose ndërkombëtare”.
Ndaj, shtyrja e kthimit mund të ndodhë vetëm në raste të jashtëzakonshme, si për shembull, një sëmundje apo aksident që e detyron të huajin të shtrohet në spital apo sidoqoftë të ketë të pamundur të ndërmarrë udhëtimin e kthimit. Në këto raste duhet shkuar në Kuesturë për të kërkuar zgjatjen e qëndrimit në Itali, duke paraqitur të gjithë dokumentacionin e përshtatshëm për të shpjeguar arsyet e tejzgjatjes së qëndrimit. Por është mirë të mbahet parasysh, kjo mund të bëhet në situata vërtet shumë shumë të rralla.
Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com