in

Taksa mbi lejet e qëndrimit, Inca-Cgil: “Tani, shteti të rimbursojë të gjithë imigrantët”

Të kënaqur Inca dhe Cgil për sentencën e gjykatës së Napolit. “Shumat e arkëtuara padrejtësisht, duhen kthyer mbrapsht pa qenë e nevojshme që imigrantët t’u drejtohen gjykatave”

Romë, 22 shkurt 2017 – Inca dhe Cgil janë shumë të kënaqura për vendimin e gjykatës së Napolit që i kthen një familjeje imigrantësh paratë e paguara për taksën mbi lejet e qëndrimit. Tani, ama, i kërkojnë qeverisë t’u kthejë paratë edhe gjithë qytetarëve të tjerë të huaj që në këto vite kanë paguar atë taksë të padrejtë, pa i detyruar t’u drejtohen gjykatave.

“Sentenca e Seksionit të Parë të Gjykatës së Napolit është e para e një serie çështjesh gjyqësore të ngritura nga patronati ynë dhe nga sindikata Cgil. – shpjegon Claudio Piccinini, koordinator i zyrave të imigracionit të Inca-s – Gjykata ka ndjekur në mënyrë koherente orientimin e shprehur nga Gjykata Administrative e Lazios dhe nga Këshilli i Shtetit, të cilët e kishin shfuqizuar normën, të sjellë në fuqi me dekretin e 6 tetorit 2011, që vendoste një mbi-taksë nga tetëdhjetë deri në dyqind euro për lëshimin e përtëritjen e dokumentit të qëndrimit”.

Patronati i sindikatës Cgil, i cili nga çasti kur taksa nisi të paguhej (janar 2012) e ka kundërshtuar me hapje çështjesh gjyqësore në nivel kombëtar me akuzën se taksa është “diskriminuese dhe e padrejtë”, shpreh “kënaqësinë që historia e gjatë e padrejtësisë së kontributit shtesë mbi lejet e qëndrimit, u mbyll me njohjen e të drejtës së rimbursimit imigrantëve të shumave të derdhura”.

“Gjatë këtyre 4 vjetëve betejash gjyqësore, shteti ka arkëtuar shifra të konsiderueshme: nga janari 2012 deri në tetor 2016, mijëra të huaj janë detyruar të derdhin, dhe jo vetëm një herë, shuma të rëndësishme për ekonomitë e tyre familjare. Shuma që u duhen kthyer sepse nuk duhet t’u merreshin, duke qenë se u hodhën poshtë normat që justifikonin taksën” lexohet në një shënim.

Duke marrë forcë nga ky prononcim i parë, Cgil dhe Inca paralajmërojnë se do të vazhdojnë të këmbëngulin derisa Shteti të marrë masa që të shtrijë të drejtën e rimbursimit të gjithë të huajve. “Shpresojmë – pohojnë – që rimbursimi të bëhet në respet të sentencave të deritanishme e pa qenë e nevojshme që imigrantët t’u drejtohen akoma gjykatave, sepse kjo gjë do të përbënte një kosto jo vetëm për të huajt, por për të gjithë komunitetin”.

Lexo edhe: 
Taksa mbi lejet e qëndrimit, imigrantët rimbursohen

 

 

 

Samiti si skenë

Bashkimi familjar, tani përgjigjja duhet të mbërrijë brenda tre muajve