in

Çek për lindjet 800 euro, INPS-s kërkon kartën e qëndrimit

Ligji nuk parashikonte kritere shtrënguese, që tani po sillen në fuqi me një qarkore. Dhe kështu lihen pa “çmimin për lindjet” gjysma e nënave imigrante

Romë, 28 shkurt 2017 – “Çmimi për lindjet” nuk do të jetë për të gjitha. 800 eurot që, prej këtij viti, shteti u njeh nënave që lindin apo birësojnë një fëmijë do t’u jepet edhe nënave të huaja, por vetëm nës kanë në xhep kartën e qëndrimit.

Sipas ligjit të Stabilitetit (232/2016), duke nisur “nga 1 janari 2017 u jepet një çmim në çastin e lindjes apo të birësimit të një të mituri me vlerë prej 800 eurosh”. I shtohet të ashtuquajturit bonus bebe, “nuk merret parasysh për përllogaritjen e të ardhurave të përgjithshme”, kështu që nuk tatohet, dhe “jepet nga INPS-i në një këst të vetëm, me kërkesë të nënës së ardhshme, me mbushjen e muajit të shtatë të shtatzënisë ose në çastin e birësimit”.

Ligji nuk shton tjetër gjë, por përshtë shumë i qartë. Për mënyrën si është shkruar, çeku duhet t’u jepet, pavarësisht nga të ardhurat, të gjitha familjeve me rezidencë të rregullt në Itali, italiane e të huaja. Në këtë pikë mungonin vetëm udhëzimet se si nënat do të paraqisnin kërkesën.

Dje INPS-i ka nxjerrë një qarkore me të cilën udhëzimet nuk i jep (“Me një mesazh të mëpasshëm – premton – do të jepen udhëzimet specifike”), por ndërkaq shton kritere të reja për të drejtën e çmimit. Janë të njëjtat kritere të parashikuara për bonusin bebe, që në mënyrë të përsëritur janë hedhur poshtë si diskriminuese nga gjykatat.

“Çmimi për lindjet – shkruan INPS – u jepet grave shtatzëna ose nënave që përmbushin kriteret që aktualisht merren në konsideratë për çekun e lindjes që jepet sipas ligjit të stabilitetit nr. 190/2014 (neni 1, paragrafi 125):
– të kenë rezidencën në Itali;
– të kenë shtetësinë italiane ose të një shteti të BE-së; shtetaset jokomunitare me statusin e refugjatit politik dhe të mbrojtjes plotësuese trajtohen si shtetase italiane;
– nëse janë qytetare jokomunitare, të kenë leje qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë ose një nga kartat e qëndrimit që u jepen familjarëve të qytetarëve të BE-së”.

Pra INPS u kërkon në mënyrë arbitrare të huajave kartën e qëndrimit e lë kështu pa çek rreth gjysmën e nënave. E nëse nuk ndryshon qëndrim, do të përfundojë sërish në gjykatë për t’u mbrojtur nga ankimet kundër diskriminimit e këtë herë nuk do të mund të justifikohet dot duke thënë se e parashikonte ligji, sepse këtë radhë ligji nuk bënte asnjë dallim mes nënave të huaja e italiane.

Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com

Inps. Circolare n. 39/2017 “Premio di 800 euro per la nascita o l’adozione di un minore di cui all’articolo 1, comma 353 legge di Bilancio 2017, legge 11 dicembre 2016, n. 232, pubblicata sulla Gazzetta Ufficiale del 21-12-2016”.

 

 

 

Taksa mbi lejet e qëndrimit. Sentenca e gjykatës për rimbursimin e imigrantëve

Çeqet për nënat e reja dhe familjet e mëdha, shumat për vitin 2017