in

Valon Behrami kthehet në Serie A


Më 26 janar Fiorentina zyrtarizoi blerjen e qendërfushorit kosovar Valon Behrami, i vlerësuar për talentin e fuqinë, gjallërinë në fushë e shpirti luftarak. Kështu Behrami, lojtar i kombëtares Zvicerane, i kthehet sërish kampionatit italian të futbollit. Më parë ai ka luajtur edhe në klube të tjera italiane si Genoa, Hellas Verona dhe Lazio. I riu kosovar është shquar edhe për pamjen e tij, pamje që, sipas një anketimi amerikan, e radhiti të pestin ndër futbollistët më të pashëm të Kampionatit Botëror 2010 në Afrikën e Jugut.

Pas shumë lëkundjesh e zërash të pakonfirmuar, futbollisti kosovar Valon Behrami realizoi dëshirën e tij për tu kthyer në një klub italian. Më 26 janar Fiorentina zyrtarizoi blerjen e qendërfushorit, i vlerësuar si për talentin e fuqinë, gjallërinë në fushë e shpirti luftarak, ashtu dhe për pamjen e tij, e karakterizuar nga një model flokësh shumë i veçantë dhe nga disa tatuazhe të mëdha. Pamje që, sipas një anketimi amerikan, e radhiti të pestin ndër futbollistët më të pashëm të Kampionatit Botëror 2010 në Afrikën e Jugut.

Valon Behrami, i lindur në Mitrovicë më 19 prill të vitit 1985, është transferuar gjatë adoleshencës së bashku me familjen në Zvicër. Fillimet e karrierës së tij janë në skuadrën e të rinjve të Chiasso-s deri në vitin 2000 kur kalon tek Lugano. Pikërisht në këtë skuadër doli në pah talenti i tij që tërhoqi vëmendjen e klubeve më të rëndësishëm si Liverpuli, Interi, Udinese dhe Genoa. Në sezonin 2003-2004, kur është pronë e dy klubeve Udinese dhe Genoa, Behrami luan me Genoa e mbetet ne serinë B edhe në sezonin e mëpasshëm, kur gjysma e kartelës që ishte pronë e Udinese-s blihet nga Hellas Verona.

Me fanellën e këtij klubi futbollisti kosovar, tanimë i cilësuar si një nga talentet më premtues në atë periudhë, luan vetëm një sezon. Në vitin 2005 ai kalon në serinë A në skuadrën e Lacios, i blerë gjithsej 5,5 milionë euro. Rastësia dò që golin e parë me fanellën bardhekaltër Valoni ta shënojë pikërisht kundër Fiorentinës në stadiumin Artemio Franchi të Firences, ai që tani është “shtëpia” e tij sportive. Në skuadrën e kryeqytetit italian, Behrami luan deri në fund të sezonit sportiv 2008 dhe më pas kërkoi largimin, duke ushtruar të drejtën e nenit 17të FIFA-s, i cili i lejon lojtarëve që të mund të zgjidhin një kontratë duke paguar një gjobë. Por klubi i Lazio-s dhe ai anglez West Ham United arritën të gjenin një marrëveshje për një kontratë pesëvjeçare me një vlerë të përgjithshme prej 5 milionë sterlina, rreth 6,5 milion euro. Përvoja e tij në klubin londinez nuk zgjati shumë sepse në 1 mars të viti 2009, futbollisti kosovar u dëmtua shumë rëndë në gju. Aksidenti i tij në fushën e gjelbër mbahet mend nga tifozët që ndiqnin ndeshjen në stadium apo nga ekranet televizive. Ndërsa gjuri dhe kavilja e tij ishin ndrydhur të dyja njëkohësisht, këpuca i kishte mbetur e bllokuar në terren. Megjithëse shquhet për forcën e tij, Valon Behrami në atë rast humbi ndjenjat dhe mjekët sportivë e nxorën nga fusha me maskën e oksigjenit në fytyrë. Pushimi i gjatë prej gjashtë muajsh, nuk i mjaftoi e që atëherë nuk arriti më të luajë në formë të plotë fizike në Angli. Për shumë kohë u fol për kalimin e tij në njërin apo tjetrin klub italian.

“Mbase ankohesh, por futbolli italian është gjithnjë unik dhe stimulues” rrëfeu vetë Behrami gjatë konferencës për shtyp me rastin e prezantimit të tij si lojtar i skuadrës së Fiorentinës, ku do të luajë me numrin 85. Ai vlerësoi natyrisht përvojën në Angli, kua ama specifikoi se “futobolli atje është shumë i ndryshëm, më fizik. Atje e ke mendjen vetëm tek loja, rrëfen Valoni, presioni i jashtëm është shumë më i pakët. Një kampionat që për disa aspekte është më i lehtë se ai italian. Kjo përvojë nuk kishte si mos të më përmirësonte, kam luajtur kundër disa skuadrave të mëdha, por futbolli italian më mungonte shumë” tha Behrami i cili është rritur në një qytezë zvicerane ku flitet italisht, gjë që e lehtëson komunikimin e tij në Itali.

Familja Behrami kishte emigruar në vitin 1990 në Canton Ticino pasi të dy prindët e Valonit, i cili në atë kohë ishte vetëm 5 vjeç, kishin humbur vendin e punës. Nga viti 1995, me përkeqësimin e gjendjes në Kosovë, ata kishin paraqitur autoriteteve zvicerane kërkesa për strehim politik. Por pa rezultat. Aftësia sportive e Valonit,që në atë kohë merrej me atletikë, arriti të shpëtonte dhe familjen nga kthimi në Kosovë. Shoqëria atletike Ligornetto arriti të mblidhte një numër të madh firmash mes banorëve, aq sa të bindte autoritetet që mos riatdhesonte familjen Behrami. Një dhuratë që Valon Behrami në një farë mënyre ia ka kthyer me mirënjohje zviceranëve. Ai ka arritur të hyjë fare i ri në kombëtaren zvicerane. Ishte vetëm 19 vjeç në vitin 2006 kur shënoi një gol vendimtar kundër Turqisë. Ishte ndeshja e tij e parë dhe goli i tij, që kontribuoi për kualifikimin e skuadrës në Kampionatin Botëror 2006, e bëri Behramin një lloj heroi kombëtar në Zvicër.

Irida Cami

Demonstrata homazh në mediat italiane

Flukset: Risitë e fundit nga Ministria e Brendshme