in

Shqiptarët, gjithnjë e më shumë edhe evropianë

Gjatë vitit 2015 kanë marrë shtetësinë e një prej vendeve anëtare të BE-së 48.400 shqiptarë. Janë bërë kryesisht italianë e grekë

 

Romë, 23 prill 2017 – Ndërsa në Shqipëri mazhoranca e opozita akuzojnë njëra tjetrën se po vonojnë hapjen e negociatave për futjen e Shqipërisë në BE, çdo vit, dhjetëra mijëra shqiptarë po bëhen shtetas evropianë me të drejta të plota. Kryesisht italianë dhe grekë.

Këtë thonë statistikat e viteve të fundit të Zyrës statistikore evropiane, Eurostat, që dëshmojnë se në tre vitet 2013-2015 kanë marrë shtetësinë e një vendi evropian mbi 130 mijë shqiptarë.  Thuajse të gjithë, mbi 96%, janë bërë shtetas italianë ose grekë. Më në detaje, 48.400 gjatë vitit 2015, 41.000 në vitin 2014 dhe 41.700 gjatë vitit 2013. Nga këta 130 mijë shqiptaro-evropianë, mbi 70 mijë janë shqiptaro-italianë dhe rreth 55.800 shqiptaro-grekë.

Edhe në këto shifra dallohet diçka interesante: po të shfletohen raportet e tre viteve të fundit të Eurostat-it vërehet që numri i shtetësive greke ka ardhur duke u ulur (ishin rreth 25.900 në vitin 2013, ranë në 18.400 në vitin 2014 për të shkuar në 11.500 në vitin 2015). Në të kundërt, njohjet e shtetësisë italiane qytetarëve shqiptarë, kanë pësuar një rritje mbresëlënëse këto vitet e fundit duke shkuar nga 13.671 të vitit 2013 në 21.148 në vitin 2014 e për të arritur 35.134 gjatë vitit 2015. Kështu nëse gjatë vitit 2013 shqiptaro-grekët përbënin 62% të të gjithë shqiptarëve që atë vit morën shtetësi evropiane e shqiptaro-italianët as 33%, në vitin 2014 mëse gjysma e shqiptaro-evropianëve (51,6%) përbëhet nga shqiptarët që janë betuar para trengjyerëshit e 44,9% nga shqiptaro-grekë, ndërsa në vitin 2015, 72,6% e shqiptaro-evropianëve janë shqiptarë që janë bërë shtetas të Belpaese-s dhe 23,8% të Greqisë.

Edhe këto shifra janë një tjetër dëshmi e stabilizimit të emigracionit shqiptar, veçanërisht në Itali, por edhe Greqi. Janë dhjetëra mijëra persona në vit që, edhe pse në shumicën e rasteve ruajnë edhe shtetësinë shqiptare, nga Shqipëria largohen disi më shumë. Nga ana tjetër dëshmojnë se me situatën e sotme politike në Shqipëri si edhe dëshirën (dhe nevojën) e pashterur të shqiptarëve për të emigruar, duket sikur para se vendi të hyjë në BE, pjesa dërrmuese e shqiptarëve do të bëhen evropianë duke marrë shtetësi të një vendi anëtar. Dhe parashikimi i një të ardhmje të mundshme të tillë duhet të jetë një makth i vërtetë dhe shtysë e fuqishme për klasën politike shqiptare.

Italia, e para mes vendeve evropiane për numër shtetësish të njohura

Sipas statistikave të fundit Eurostat, në 2015-tën, për të dytin vit rresht numri i shtetësive që vendet anëtare u kanë njohur të huajve ka pësuar rënie të ndjeshme. Më saktësisht, gjatë vitit 2015, kanë marrë njërën nga shtetësitë e vendeve anëtare të BE-së, 841.246 persona, ndërsa gjatë vitit 2014 e kishin marrë 889.139 vetë dhe në 2013-tën, 984.800 njerëz.

Për vitin 2015, vendin e parë për numrin më të lartë të dekreteve të shtetësisë të njohura të huajve e mban Italia me 178 mijë. Ndodh për të parën e herë e dëshmon për një imigracion të rrënjëzuar tashmë edhe këtu. E ndjekin, nga larg, Mbretëria e Bashkuar (118 mijë), Spanja e Franca (nga rreth 114 mijë secila) dhe Gjermania (110 mijë).

Të huajt që janë bërë evropianë gjatë vitit 2015, janë nga Maroku (86.100 ose 10,2% e të gjithë evropianëve të rinj) nga Shqipëria (48.400 ose 5,7% e të gjithëve) dhe nga Turqia (35.000 ose 4,2%), tre komunitete historike tashmë në Evropë: ai maroken në Itali, Spanjë e Francë, komuniteti shqiptar në Itali e Greqi, ndërsa ai turk në Gjermani.

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe:
Mbi 35 mijë shqiptarë janë betuar para trengjyrëshit gjatë vitit 2015
Shqiptarë me shtetësi tjetër

 

 

 

La Pasquetta a Roma parla albanese

A mund të shkoj të marr patentën në Shqipëri e ta konvertoj këtu?