in

15-vjeçari “i braktisur” në Itali akuzohet për mashtrim ndaj shtetit

Piacenza. Prokuroria e të miturve ngre padi ndaj të riut shqiptar

Romë, 17 maj 2017 – Çështja e të miturve shqiptarë të pashoqëruar në Itali vazhdon të mbetet e hapur për sa kohë numri i tyre vazhdon të rritet (ka shkuar në 1.672 vetë në fund të marsit 2017, ishte 1.611 në fund të vitit të shkuar), madje ka edhe raste paditjesh të të miturve për mashtrim ndaj shtetit.

Është i sotmi një lajm nga Piacenza ku një 15vjeçar shqiptar është paditur nga Prokuroria për të miturit e Bolonjës, me akuzën mashtrim ndaj shtetit. Me pak fjalë, sipas hetuesve, ai nuk ka pasur ndonjë problem të veçantë – ishte i veshur mirë, i pastër e me ca para në xhep – por është vetëdeklaruar i braktisur për të përfituar nga ligji italian mbi të miturit e huaj të pashoqëruar.

Vjeshtën e shkuar komuna e Piacenzas ngriti zërin për këtë dukuri në rritje që vërente në qytet: shtimin e numrit të të miturve shqiptatë të pashoqëruar që duheshin marrë në ngarkim nga autoritetet vendase. Madje gjithnjë vjeshtën e shkuar, përgjegjësi i drejtorisë së Welfare-t të komunës, Stefano Cugini, protestoi edhe në konsullatën e përgjithshme të Shqipërisë në Milano, gjë që përfundoi edhe në emisionin televiziv “Le Iene” e që – sipas www.ilpiacenza.it – “nuk i pëlqeu aspak konsullatës së Tiranës e cila paralajmëroi komunën piaçentine të mos bënte më një gjë të tillë”. Asokohe, Komuna e Piacenzas, mendonte se mund të kishte ndonjë organizatë kriminale pas atyre ardhjeve të shumta të të rinjve shqiptarë, thuajse të gjithë nga e njëjta zonë, ndaj kuestura nisi edhe hetimet. E me paditjen e fundit të 15-vjeçarit për mashtrim ndaj shtetit, duket se nuk është zbuluar ndonjë bandë që përfiton nga ardhja në Itali e këtyre të miturve.

Lexo edhe:
Të miturit shqiptarë “të braktisur” në Itali. A shqetëson Shqipërinë kjo çështje?
Si të pajisesh shpejt me një lejeqëndrim në Itali. Mënyra e shqiptarëve
“Braktisja” e të miturve në Itali, paditen 66 shqiptarë
Të miturit e braktisur
“Eksodi” i të miturve

 

Hyn në shtëpi të policit që i përgjigjet me armë. Në gjendje të rëndë 36vjeçari

Të miturit “e braktisur” në Itali. Ngrihet tryezë e përbashkët pune italo-shqiptare