Për 52.080 kuotat e vëna në dispozicion nga qeveria për punonjësit e huaj nga vendet “e privilegjuara”, deri më 18.00 paraqiten 303.252 kërkesa. Për 4.500 kuotat rezervuar shqiptarëve janë paraqitur 9.505 kërkesa
Romë, 31 janar 2011 – Ministria e Brendshme njofton se deri nw orwn 18.00 janë paraqitur telematikisht 303.252 kërkesa për një kuotë të flukseve 2010. Kuotat në dispozicion për këtë ditë të parë janë ato për kombësitë me përparësi, mes të cilave edhe Shqiptarët, gjithsej 52.080. Sipas ministrisë së Brendshme, pjesa dërrmuese e kërkesave të paraqitura janë për bashkëpunëtorë familjarë 214.922 (189.284 colf dhe 25.638 badanti) dhe vetëm 88.330 mijë për punonjës të varur në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Numri më i madh i kërkesave është nisur nga provinca e Milanos (39.086), e ndjekur nga Roma (23579) dhe Brescia (19.280). Punonjësit më të kërkuar janë ata nga Bangladeshi (49.090 kërkesa kundrejt 2.400 kuotave të rezervuara për ta) dhe marokenët (45.841 kërkesa për 4.500 vendet e rezervuara nga qeveria për ta). Për shqiptarët janë paraqitur 9.505 kërkesa kundrejt 4.500 kuotave të rezervuara për ta.
Si gjithnjë edhe këtë herë numri i kërkesave është disa herë më i lartë se numri i kuotave të vëna në dispozicion nga dekreti për të gjitha etnitë. Edhe këtë herë, do të përfitojnë një kuotë më të shpejtët, kush ka arritur të nisë kërkesën vërtet minutat e para të vlefshme.
Ndoshta për shqiptarët, mundësia e përfitimit të një kuote mund të jetë e lartë edhe për ata që kanë dërguar kërkesën gjatë dy orëve të para, pasi kërkesat e përgjithshme për ta janë diçka më shumë se dyfishi i kuotave.
Në përgjithësi, sistemi informatik i mbledhjes së kërkesave të ministrisë ka funksionuar mirë, veçanërisht minutat e para kur edhe fluksi i dërgesave ka qenë më i lartë. Me kalimin e orëve, numri i kërkesave që paraqiten ulet ndjeshëm (bashkë me të edhe mundësia për të siguruar një kuotë), në fakt në mesditë ministria e Brendshme lajmëronte se ishin paraqitur 293 mijë kërkesa.
Keti Biçoku
Shkarko të dhënat e ministrisë së Brendshme