Tiranë 27 qershor, ora 00:05 – Pas numërimit të 90% të qendrave të votimit, PS drejt një fitoreje historike
Në rang kombëtar kur janë numëruar 4.742 kuti votimi nga 5.362 që janë gjithsej, kryeson Partia Socialiste e cila po shkon drejt një fitoreje historike që i lejon të qeverisë e vetme për 4 vjetët e ardhshëm. Nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 24:00 Partia Socialiste ka marrë 666.425 vota ose 48,23% që nënkuptojnë 74 mandate në Kuvend, Partia Demokratike 397.369 vota ose 28,76%, që kthehen në 43 mandate.
Partia e tretë renditet Lëvizja Socialiste për Integrim me 199.311 vota ose 14,43% që i sigurojnë 19 mandate, e katërta PDIU me 65.385 vota ose 4,78% që i mundësojnë asaj të ketë 3 përfaqësues në Kuvend. Partia e pestë e përfaqësuar në Kuvend me 1 deputet është PSD që ka marrë 12.451 vota (0,9%), edhe pse në shkallë vendi është LIBRA e Blushit ka marrë më shumë vota, 16.450 (1,20%), por nuk ka mundur të marrë mandat në asnjë prej 12 qarqeve.
Procesi i numërimit të kutive të votimit vijon në 10 qarqe të vendit. Ka përfunduar në qarkun e Korçës dhe Dibrës.
Ora 15:00
KQZ komisionerëve: Deri në orën 22:00 përfundoni numërimin
“Të shkojnë në vendet e tyre dhe të fillojnë menjëherë procesin e numërimit. Të zbatojnë nenin 142 të kodit zgjedhor, i cili e përcakton që ata duhet të përfundojnë procesin e numërimit dhe nxjerrjen e tabelës përmbledhëse të rezultateve brenda ditës së sotme në orën 22:00. – kështu KQZ, përmes zëdhëneses Drilona Hoxhaj, u bën thirrje komisionerëve të vijojnë me numërimin duke i paralajmëruar se nëse nuk respktojn ligjin do të merren masa – Refuzimi për të vijuar procesin e numërimit përmbën shkak për shkarkimin e tyre. Menjëherë të marrin masat dhe të fillojnë proçesin e numërimit”.
Ora 13:00
Është Partia Socialiste fituesja absolute e zgjedhjeve të djeshme: ndërsa janë numëruar rreth gjysma e qendrave të votimit, socialistët e Ramës kryesojnë me rreth 50% të votave që u sigurojnë 76 mandate parlamentarësh
Procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, i nisur rreth mesnatës, ka mbërritur në gjysmë të rrugës. Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 13.00 janë përpunuar 2.524 nga 5.362 qendra votimi në mbarë Shqipërinë. Janë numëruar 734.626 vota, nga të cilat 49,20% apo 354.102 i ka marrë Partia Socialiste. 205.256 i kanë shkuar PD-së, vetëm 105.897 LSI-së dhe 30.907 PDIU-së. Me këto shifra, në Kuvend PS do të kishte e vetme shumicën e mandateve, 76, ndërsa 64 që mbeten do të ndaheshin 40 për PD-në, 20 për LSI-në, 3 për PDIU-në dhe 1 për PSD-në.
(vijon)