in

Edhe Shqipëria në Festën Multikulturore 2017 në Collecchio të Parmës

Punime artistike etnike, gatime apo veshje, kostume tradicionale e prezantim veprimtarish të ndryshme të shoqatave nga përfaqësuesit e emigrantëve të shteteve të ndryshme që banojnë në Parma edhe në edicionin e 21-të e festës shumëngjyrëshe. Paraqitje dinjitoze e Scanderbeg-ut  të Parmës

Si çdo vit, Collecchio i Parmës kthehet edhe këto ditë në një vend që – më datë 24, 25 qershor dhe 1, 2, 8 korrik – do të frekuentohet nga qindra persona, italianë por, edhe emigrantë të të gjitha etnive, të pranishëm në Parma.
Për arsyen e thjeshtë se Parco Nevicati në Collecchio, Parma, shndërrohet me rastin e Festës Multikulturore, në një skenë për ekspozimin e elementeve tipike tradicionale folkloristike dhe artizanale si: punime artistike etnike, gatime apo veshje, kostume tradicionale apo prezantim veprimtarish të ndryshme të shoqatave nga përfaqësuesit e emigrantëve të shteteve të ndryshme që banojnë në Parma.
Ky është edicioni i 21-të për këtë event.

Ne ishim të pranishëm më datë 1 korrik në mbrëmje, kur ishte radha e paraqitjes së Shqipërisë, Ghanës, Italisë, Rumanisë, Indisë dhe Kurdistanit.
Shqipëria u paraqit në mënyrë dinjitoze nëpërmjet Shoqatës Scanderbeg Parma.

Në një restorant të hapur, në natyrë, Shqipëria ofroi një menu të këndshme tipike shqiptare, të përbërë nga:
Pilaf me krem fasulesh, shoqëruar me qofte viçi apo qofte vegjetariane me perime; patëllxhanë të mbushur; byrek me qepë e domate dhe si ëmbëlsirë, shëndetlije, me arra e mjaltë.

Kjo menu qe shumë e preferuar nga të pranishmit e huaj sidomos, edhe ata shqiptarë natyrisht. Gjë që, duke vërejtur cilësinë e gatimeve nga vullnetarët e palodhur, anëtarë e dashamirës të Shoqatës Scanderbeg, nën udhëzimet e rrepta të kuzhinierit profesionit, solli kërkesa të vazhdueshme të gatesave shqiptare nga të pranishmit.

Në hapësirën e ekspozimit të shoqatave, merrte pjesë edhe Forum Donne Indipendenti (Forumi i Grave të Pavarura), i cili ka lindur falë nismës së disa grave shqiptare, prej tyre edhe drejtohet madje, por përbërja e tij është multietnike, me gra nga shtete të ndryshme, që jetojnë në Parma.
Edhe aty e kishin zbukuruar standin e tyre me kostume popullore shqiptare, me objekte shqiptare dhe gatesa tipike të Shqipërisë. Ndërkohë u prezantonin të pranishmëve programin e tyre me ekspozitë fotografike nga Elona Marika; grupin Zerqan Folk që vinte posaçërisht nga Shqipëria për eventin; prezantimin e shkollës së baletit e valleve “Rilinda” nga Lindita Sota, valltare profesioniste e Teatrit të Operas e Baletit, Tiranë etj.

Kur erdhi radha e Grupit të Valleve Scanderbeg, skena u mbush me ngjyrat e larmitë e kostumeve tradicionale shqiptare, të trevave të ndryshme të Shqipërisë, me muzikë e valle nga Veriu, Shqipëria e Mesme dhe Jugu. Ky është një grup që punon me dedikim shumë serioz. Drejtohet nga koreograf profesionist dhe valltarët kanë grumbulluar tashmë një përvojë mëse të konsiderueshme, duke marrë pjesë nëpër evente multikulturore jo vetëm në Parma e provinca por, në të gjithë Italinë e Veriut.
Pati një ndërthurje muzike dhe veshjesh përkatëse, nga e gjithë Shqipëria, gjë që përkoi me shijet e emigrantëve shqiptarë të pranishëm në festë, me prejardhje edhe ata vetë, pikërisht nga e gjithë Shqipëria.
Ndërkohë, muzika shqiptare rezultoi shumë e gjallërishme dhe përfshiu mbarë publikun e huaj, duke i bërë që të kërcenin të gjithë nën notat e këngëve shqiptare.

Edhe një herë, shumëllojshmëria e artit, zakoneve, traditave që vijnë nga vende të ndryshme e që përfaqësohen nga këta emigrantë në Parma, në një gjuhë paqësore dhe universale si ajo e shkëmbimit të tingujve apo shijeve, u bë shkas që të hedhë themelet për ura bashkimi e bashkëjetese mes popullsisë italiane dhe asaj të etnive të ndryshme në Parma.

Adela Kolea

 

Rëndësia e dialekteve

INPS: “Po t’u mbyllim dyert imigrantëve, humbasim 38 milardë € deri në 2040”