Çifti shqiptar në Fermo fiton gjyqin kundër institutit të Sigurimeve Shoqërore që u kish mohuar bonusin për fëmijën. Avokati Arjol Kondi: “U rikonfirmua një parim i rëndësishëm i pohuar shpesh edhe nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Nuk mund të diskriminohet një familje që ndërton jetën e saj në Itali dhe që i përmbush të gjitha kriteret për përfitimin e bonusit bebe”
Romë, 6 korrik 2017 – Mospasja e kartës së qëndrimit nuk duhet të përbëjë pengesë për të huajt për përfitimin e bonusit bebe kur përmbushen kriteret e tjera. “Nuk mund të pretendohet që dikush të japë edhe shpirtin për taksën mbi kartën e qëndrimit për të marrë bonusin bebe. Kjo përbën një element vërtet diskriminues”. Këtë thotë vendimi i gjykatës së Fermos e 26 qershorit 2017 që, ashtu si edhe të tjera para saj në mbarë Italinë, i jep të drejtë një çifti shqiptar e dënon INPS-in për qëndrimin diskriminues ndaj mijëra e mijëra të huajve që u kërkon të kenë në xhep kartën e qëndrimit për t’u dhënë (kur përmbushen kriteret e tjera) ndihmesa të ndryshme sociale siç është edhe bonusi bebe.
Është fjala për çekun 80 euro në muaj (familjeve që kanë “tregues të situatës ekonomike të barasvlefshme” (ISEE) jo më të lartë se 25 mijë euro në vit) ose 160 euro në muaj (nëse ISEE është maksimumi 7 mijë euro), nga lindja deri sa foshnja të mbushë 3 vjeç, ose nga dita e ardhjes në bërthamën familjare të fëmijës së birësuar për tre vjet rresht. Por nëse prindërit janë të huaj, shtohet një kusht: duhet të kenë lejen e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë, të ashtuquajturën karta e qëndrimit gjë që bie në kundërshtim me normat evropiane që përcaktojnë barazinë e trajtimit me shtetasit italianë në përfitimin e të gjitha ndihmesave të disiplinuara nga Rregullorja BE 883/2004 (mes të cilave bën pjesë edhe bonusi) të të gjithë të huajve me leje qëndrimi për punë apo që u lejon të punojnë (pra aktualisht lejeqëndrimi unik sipas dekretit legislative 40/2014), të titullarëve të statusit të refugjatit politik apo të mbrojtjes humanitare dhe të mbajtësve të “Kartës blu” (pra të lejes së qëndrimit për të huajt me kualifikim të lartë).
Në rastin e trajtuar nga gjykata e Fermos, burrit 31 vjeç dhe të shoqes 23 vjeç, të cilët janë bërë me fëmijë prillin e vitit të shkuar, INPS u ka mohuar të drejtën e bonusit bebe edhe pse të ardhurat e familjes ishin shumë të ulëta, edhe pse jetojnë në Itali prej shumë vjetësh e kanë lejeqëndrim për punë. Por për shkak të kostos së lartë, çifti nuk ka bërë kërkesë për të marrë kartën e qëndrimit. E pikërisht ky fakt, që kostoja e lartë e dokumentit kthehet në pengesë për pajisjen e të huajit me të duke i shkaktuar humbje të drejtash, është vënë në dukje nga gjykata evropiane gjë që detyroi Italinë që së fundi ta përgjysmonte dhe është marrë në konsideratë nga gjykata e Fermos.
“Bëhet fjalë për vendimin e radhës në favor të emigrantëve ku gjykata nuk e justifikon qëndrimin e INPS-it për mospërfshirjen në bonus bebè të të huajve që nuk kanë leje qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë (e ashtuquajtura kartë qëndrimi) – thotë avokati i çiftit, Arjol Kondi, për Shqiptariiitalise.com – Me pak fjalë, gjykata e Fermos, duke ndjekur edhe shembullin e vendimit të dhënë nga gjykata e Bergamos e të tjera më parë, e quan diskriminuese normativën italiane pasi bie ndesh me atë Europiane”.
Në fakt, gjykatësi i Fermos i njohu të drejtën e bonusit çiftit shqiptar në vlerën maksimale dhe vendosi që INPS t’i paguajë “1.920 eurot e papaguara për vitin e shkuar, në bazë të treguesit ISEE të paraqitur asokohe e të vazhdojë t’ia japë bonusin deri sa fëmija të mbushë tre vjeç nëse vazhdojnë të përmbushen kriteret ekonomike”, siç lexohet në sentencë.
“Është e qartë bëhet fjalë për një të drejtë të çdo personi që banon rregullisht në Itali e që ka në xhep lejeqëndrim që i jep të drejtë të punojë pa kufizime. – vazhdon avokati Kondi që këshillon mosdorëzimin para këtij diskriminimi – Kushdo që ka marrë përgjigje negative për këtë arsye nuk duhet të mërzitet dhe të heqë dorë por të këmbëngulë”.
“Në këtë rast bëhet fjalë për një ndihmë ekonomike që u përket mbi të gjithë fëmijëve. E gjykatat po shprehen në favor të një trajtimi të barabartë jo vetëm të të gjithë punonjësve italianë e të huaj, por dhe para së gjihash, për një trajtim të njëjtë të bijve të tyre”.
Shkarko vendimin e Gjykatës së Fermos
Keti Biçoku
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)