in

Presidenti nuk paraqitet para komisionit e hetimit parlamentar

 

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, nuk është paraqitur sot para komisionit hetimor parlamentar për t’u pyetur mbi ngjarjet e 21 janarit. Qëndrimin institucional të presidentit e shpjegoi këshilltari i tij juridik Spiro Peçi që e tha hapur se komisioni parlamentar po vepron në kundërshtim me ligjet e Republikës.
Sipas këshilltarit, “me kërkesën që Presidenti i Republikës të paraqitet për të dëshmuar, komisioni hetimor është në kapërcim të kompetencave duke shkelur ligjin”.

Duke iu referuar Kodit të Procedurës Penale, ai ka përmendur nenin 162 ku thuhet shprehimisht se “dëshmia e Presidentit të Republikës merret në selinë ku ai ushtron funksionet e Kryetarit të Shtetit. Presidenti nuk mund të thirret për t’u paraqitur ashtu siç kërkon komisioni hetimor”.

“Jo vetëm kaq. Atij në dallim nga funksionarët e lartë të shtetit, nuk i lejohet të paraqitet para Komisionit, Gjykatës apo dhe Prokurorisë. Duke shprehur gatishmërinë për të dëshmuar, në respekt të ligjit, Presidenti i Republikës do të përcaktojë mënyrën dhe kohën e realizimit për t’iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit Hetimor”, tha ai.

Këshilltari juridik i Presidentit u ndal edhe në kërkesën e komisionit hetimor drejtuar operatorëve të sipërmarrësve të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike publike duke thënë: “komisioni hetimor në kërkesën e vet është në shkelje të hapur të ligjeve të këtij vendi. Pa përmendur Kushtetutën e Republikës, apo Konventën Europiane e të Drejtave të Njeriut, të cilat mbrojnë të drejtën e privatësisë së shtetasve, qofshin me funksione apo pa funksione shtetërore publike apo politike, por janë një sërë ligjesh specifike që bëjnë të qartë paligjshmërinë e kërkesës së Komisionit Hetimor”. Sipas tij, “në asnjë rast, ky komision nuk mund të marrë atributet e prokurorit dhe gjykatësit, që me ligje të veçanta i atribuohen këtyre organeve”. “Skedarët e të dhënave për pajtimtarët e telefonisë, apo tabulatet përcaktohen me ligj në një trajtim të posaçëm”, tha Peçi, duke theksuar se “Kodi i Procedurës Penale autorizon vetëm prokurorinë për marrjen e tyre”.

Ja deklarata e plotë e këshilltarit të presidentit të Republikës

Çështje italiane në pilula

As kryeprokurorja Rama nuk pranon t’i përgjigjet komisionit hetimor