Policia dhe Prokuroria Holandeze kërkojnë pezullim të lëvizjes së lirë në zonën Schengen për shqiptarët
Policia dhe Prokuroria Holandeze kanë hartuar një raport me të cilin kërkojnë rikthimin e detyrimit të vizave për shtetasit shqiptarë në hapësirën Schengen. Lajmin e ka bërë të ditur në Shqipëri ABC News që ka siguruar raportin.
Autoritetet holandeze kërkojnë rivendosjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, duke kushtëzuar kështu lëvizjen e tyre në hapësiren Shengen.
Pas problematikave në rritje të kriminalitetit nga bandat shqiptare në Holandë, Policia holandeze në bashkëpunim me Prokurorinë kanë këshilluar Qeverinë e vendit të kërkojnë rivënien e regjimit të vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë në zonën Schengen. Këtë e konfirmon një memo e brendshme që përshkruan raportin në fjalë, që i është nisur për këshillim qeverisë.
Nga policia e Amsterdamit është konfirmuar për ABC News ekzistenca e këtij raportit, dhe është shpjeguar fuqizimi i elementëve kriminalë në Holandë: numri i të dyshuarve për vepra penale me kombësi shqiptare përgjatë një viti është dyfishuar. Ata operojnë kryesisht në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe në trafikun e qënieve njerëzore. Për Policinë dhe Prokurorinë holandeze, mënyra më e mirë për të luftuar këtë fenomen është rikthimi i detyrimit për pajisjen me vizat në mënyrë që shtetasit shqiptarë të mos hyjnë më lirisht në zonën Schengen dhe në Holandë. (Sipas ABC News)