“Sepse fuqia e diasporës shqiptare në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, përbën një potencial të pashfrytëzuar që nuk mund të vazhdojmë ta trajtojmë si një peizazh të bukur në një kartolinë urimi nga larg…”
Tiranë, 25 gusht 2017 – Ndërsa çdo ditë në media flitet për qeverinë Rama 2, për reduktim të numrit të ministrive e bashkim të atyre ekzistuese, përfliten e “digjen” emra ministrash të mundshëm, dje kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht diçka në këtë aspekt. “Qeveria e re do të ketë dhe një ministër shteti ekskluzivisht për shqiptarët jashtë atdheut”. Janë tekstualisht fjalët e tij gjatë një takimi me ambasadorët dhe konsujt e Shqipërisë në botë, që trajtoi temën “Roli i ri i Shërbimit të Jashtëm në Ekonominë e vendit”.
Në takim, Rama u shpreh me tone jo fort të buta ndaj diplomatëve të mbledhur, për mangësitë e mefshtësinë e deritanishme të ndikimit të diplomacisë në ekonominë e vendit qoftë përmes pasqyrimit të zhvillimeve në vend jashtë kufijve, qoftë përmes tërheqjes së sipërmarrësve të huaj.
“Në harkun kohor të 4 viteve, të këtij mandati që po mbyllet, – u shpreh Rama – e kam shumë të vështirë të gjej në kujtesën time, rastin e fundit kur kam takuar në zyrën time operatorë ekonomikë, sipërmarrës, përfaqësues ndërmarrjesh, apo prospektues të sjellë apo të inkurajuar nga ju, për të ardhur dhe për të parë, nëse apo si mund të bëhet biznes në Shqipëri”.
“Po si ka mundësi që keni qenë kaq të avashtë, ose për ta thënë shqip, kaq të leshtë, për të ndjerë urgjencën e domosdoshmërisë, për të gjetur mekanizmat e duhur, – ka theksuar ai mes të tjerash – për të ndërtuar platformat, për të hartuar formulat, skicuar rrugët e nevojshme, në mënyrë që realiteti ynë, ky vend që ndryshon me muaj dhe me javë, të pasqyrohet me zhdërvjelltësinë e duhur, angazhimin e vazhdueshëm, aftësinë dhe shprehitë e nevojshme, jashtë kufijve tanë, ku na njohin pak, s’na njohin fare ose më keq akoma, na njohin keq”.
E gjithnjë të lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik të vendit e pjesë të diplomacisë ekonomike, kryeministri theksoi edhe bashkëpunimin me diasporën: “Nga ana tjetër, pjesë e kësaj teme, po kaq e rëndësishme sa kjo temë, është dhe bashkëpunimi me diasporën që lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar, me organizatat e diasporës, me forcat e reja të krijuara në diasporë, në mënyrë që të ecim më tutje, jo thjesht për të konkretizuar më tej angazhimet e Samitit të parë të Diasporës, por për të bërë dhe këtu përputhjen mes kohës së re që jetojmë, forcave të reja në fushë dhe shërbimit tonë të jashtëm në funksion të Shqipërisë së re që duam. Dua t’ju informoj që në funksion të këtij aspekti themelor të kësaj qasje të re, qeveria e re do të ketë dhe një ministër shteti ekskluzivisht për shqiptarët jashtë atdheut”.
E pas premtimit të një ministri shteti, kryeministri ka kujtuar rëndësinë e ushtrimit të të drejtës së votës, “tanimë një detyrim i paanashkalueshëm më nga një qeveri shqiptare” dhe marrëdhëniet mes shqiptarëve në rajon, të cilat “kërkojnë një vëmendje shumë më të fokusuar dhe intensive nga niveli më i lartë i qeverisë”. Ndaj, një ministër shteti është figurë e domosdoshme, sepse “Ministria e Jashtme ka nevojë për një krah shumë të fortë, për një forcë të re, me fuqi të plotë politike që buron drejtpërdrejt nga niveli i kryeministrit”.
Nga ana tjetër, “bota shqiptare e dijeve jashtë kufijve ka marrë përmasa të reja, dhe distanca jonë me atë botë dijesh që zhvillohet, ndërkohë që ne kemi mbetur pre e kontakteve të vjetra dhe e marrëdhënieve me disa organizata që megjithë respektin janë shumë pak në krahasim me këtë botë të re dijesh shqiptare, – theksoi Rama – duhet të ngushtohet çdo ditë, çdo muaj, çdo vit si hendek”.
“Sepse fuqia sot e diasporës shqiptare në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, përbën një potencial të pashfrytëzuar që nuk mund të vazhdojmë ta trajtojmë si një peizazh të bukur në një kartolinë urimi nga larg dhe s’mund të vazhdojmë ta jetojmë si një marrëdhënie që kurorëzohet në festa kombëtare apo në takime sporadike të përfaqësuesve të qeverisë shqiptare me shqiptarët jashtë vendit, të cilat janë takime shumë të rëndësishme, por krejt periferike dhe krejt pa fryt, po të shohim gjerësinë e dijes shqiptare sot jashtë kufijve”.
E sërish një kritikë për diplomatët, për komunikimin aspak në nivel si me të huajt ashtu edhe me komunitetin shqiptar në vendet ku ata shërbejnë: “Vendosja e një figure qendrore Ministër Shteti pranë Kryeministrit ndihmon, besoj shumë por nuk mjafton fare, sepse ndërkohë komunikimi ynë jashtë, përshirë përmes rrjeteve sociale të ambasadave, konsullatave apo edhe përmes ekseseve të drejtpërdrejta të medias apo dhe në forma të tjera kontaktesh, nuk është as i pasur, as dinamik, as tërheqës, është një komunikim për t’u skuqur nga sikleti! Me të huajt po e po, por edhe me diasporën nuk bënë asnjë dallim. Ndërkohë që ne jemi një vend i vogël, jemi një komb i vogël dhe nuk e kemi luksin të lëmë jashtë vëmendjes dhe të lemë pa u përpjekur të përfshijmë çdo qelizë të zhvilluar të trurit shqiptar nëpër botë. Çdo qelizë, e jo më pjesë të tëra të këtij truri që janë jashtë kontakteve me Shqipërinë, në kuptimin institucional dhe në kuptimin e bashkëfunksionimit, s’po flas për kontaktet e tyre individuale, familjare që janë pjesë e jetës të çdo individi.
Duhet të ndryshojë ky komunikim dhe jam i bindur që së bashku do ta ndryshojmë dhe do të fillojmë ta ndryshojmë në një kohë relativisht të shpejtë se s’kemi rrugë tjetër” e mbylli këtë kapitull kryeministri.
Të jenë edhe këto fjalë si premtimet e fushatave zgjedhore? Apo si premitimi i para katër vjetëve i Veliajt që deklaronte se “Çështjen e emigracionit do ta trajtonin në nivel ministror”? Apo si shumë fjalë të bukura që u thanë në Samit? muaji i ardhshëm do ta tregojë.
E nëse vërtet do të ketë një ministër shteti për shqiptarët jashtë vendit, të urojmë që ai të mos mendojë vetëm si t’i nxisë të investojnë në Shqipëri, por të ketë vesh për të dëgjuar e mundësi për t’u ofruar zgjidhje çështjeve të ngritura prej kohësh, nga e drejta e votës te mësimi i gjuhës shqipe, nga mbledhja e viteve të punës për pension te dhënia e informacioneve e ndihmesës për ata që kthehen, qofshin ata të sapodiplomuar, apo njerëz me familje që konsiderojnë të mbyllur (jo rrallë me dhimbje) përvojën e emigracionit.
K.B. Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)