in

Sarabanda postkomuniste e Iridës, Ninës dhe e shoqeve të tyre

Rrëfimi dhe muzika e Iridës përcjellin trishtim, lumturi, dhimbje, ironi… Sarabanda Postcomunista është një spektakël i Hora Quartet, grupi që Irida ka ngritur bashkë me disa instrumentistë italianë xhazi të përpirë nga ato ritme të parregullta tipike të Ballkanit. Të shtunën, 30 shtator, nga ora 22:00, mund të ndiqet në Romë, në Club 55 Pigneto
Nga Amarilda Dhrami

Nina është 33 vjeç, është e ëmbël, melankolike, ironike, ndonjëhere e trishtuar. Është një vajzë plot jetë. I bie violës dhe muzika dhe tekstet e saj të shoqërojnë në vende të largëta të kujtesës së saj.

Edhe Irida Gjergji ka të njëjtën moshë, i bie violës dhe nëpërmjet Ninës arrin të shkojë në ato vende të largëta.

Irida ka lindur në Shqipërinë komuniste. Ndër kujtimet e saj të fëmijërisë ka baletet e Stravinskijt që shikonte në televizor, kaosin mbas rënies së regjimit dhe reklamat e Coca Cola-s. Nga koha e adoleshencës mban mend pasionin për violën, plumbat që fluturonin nga një anë në tjetrën dhe shoqen e saj Albanën. Vite më vonë Irida u transferua në Itali për tu diplomuar në konservatorin e qytetit të Pescara-s. Dëshironte të ndiqte ëndrrat e saj dhe të mos i nënshtrohej fatit të shkruar për çdo vajzë të mirë shqiptare të asaj kohe: martesës e realizimit të saj në familje si bashkëshorte e nënë.

Në Itali ndoqi edhe pasionin e saj për teatrin. Nina është personazhi i projektit të saj Sarabanda Postcomunista që lind si autobiografi për të trajtuar statusin e imigrantit por pa hequr dorë nga muzika dhe folklori shqiptar. Është një koncert/spektakël ku kontrabasi ndërthuret me pianon, baterinë, violën dhe zërin e Ninës. Një grup instrumentistësh italianë xhazi që janë përpirë nga ato ritme të parregullta tipike të Ballkanit e që, bashkë me Iridën, kanë formuar Hora Quartet. Kush ndodhet në Romë mund të ndjekë spektaklin të shtunën, 30 shtator, nga ora 22:00, në Club 55 Pigneto.

Irida këndon në shqip, por edhe pse teksti është në një gjuhë të panjohur për italianët, muzika e saj bën t’i ngjethet mishi kujtdo. Nuk është e nevojshme të kuptoni, mjaft të jini të lirshëm e të ndieni. Rrëfimet e saj përmbajnë trishtim, lumturi, dhimbje, ironi, ndjenja që shprehen menjëherë më pas me muzikën e saj.

“Shkrimi i kësaj pjese ka qenë katartik” rrëfen Irida. “Nuk është e thjeshtë të flasësh për vitet ’90 dhe për vitin 1997. Janë vite që të lënë shenjë. Shkruaja gjithçka që më vinte në mendje dhe më pas fshija gjërat më patetike dhe të dhimbshme për të lënë një rrëfim të lehtë dhe me nota ironie. Nuk ishte e thjeshtë të rilexosh gjithë ç’ke shkruar, veçanërisht kur frymëzohesh nga ç’ke përjetuar. Me anë të personazhit të Ninës jam përpjekur të qëndroj larg asaj çka rrëfej”.

Nina flet për problemet e ndeshura për përtëritjen e lejes së qëndrimit në Itali, për të qenit një vajzë e re shqiptare, për marrëdhënien e vështirë me të atin, për Albanën, shoqen e saj të shkollës së mesme. Një ditë një djalë që njihnin u propozoi të hipnin në makinën e tij. Albana shkoi edhe pse Irida i lutej të mos e bënte. Që nga ajo ditë Irida nuk e ka parë më. Është e vëhtirë të tregosh të tilla gjëra, ndaj Irida ia beson Ninës. Ajo nuk deshi të hipte në atë makinë. E shpëtoi viola e saj.

Shkrimi është botuar fillimisht në italisht në të përjavshmen Left me titullin La sarabanda postcomunista di Nina e le sue amiche

 

 

 

 

Katër të rinj të shpëtuar falë ndërhyrjes së guximshme të Zabitit

Shqiptaret e Italisë reflektojnë dhe rrëfehen