in

Ç’parashikon reforma e shtetësisë që prej 2 vjetësh pret në Senat

Sot, dy vjet nga miratimi i reformës vetëm nga njëra degë e Parlamentit, protestohet sërish në shesh për të nxitur Senatin që të bëjë të vetën e të votojë reformën

Romë, 13 tetor 2017 – Plot dy vjet pas miratimit në Dhomë të deputetëve të reformës së Shtetësisë italiane, që do të lehtësojë marrjen e shtetësisë nga brezat e dytë, qindra mijëra të rinj e të reja të lindur dhe/apo të rritur në Itali, Senati akoma nuk ka gjetur “çastin e përshtatshëm” për ta votuar atë e për ta kthyer në ligj. E teksa legjislaturës i afrohet fundi, me reformën e shtetësisë bëhet propagandë (kundër) dhe rreth saj e pasojave konkrete që do të sjellë në shoqërinë italiane gënjehet e mashtrohet me qëllim dhe sistematikisht.

Çfarë parashikon reforma? Tekstin e miratuar në Dhomë të deputetëve e gjeni në këtë lidhje, ia vlen të lexohen 4 nenet që përmban.

Këtu po shpjegojmë pikat kryesore në gjuhën shqipe:

Fëmijët e lindur në Itali do të jenë italianë që kur vijnë në jetë nëse një prej prindërve ka lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë ose “të drejtën e qëndrimit të përhershëm” (nëse janë shtetas të BE-së). Përndryshe, ashtu si fëmijët e tjerë që nuk kanë lindur në Itali por kanë ardhur këtu pa mbushur 12 vjeç, do të duhet të ndjekin më parë një apo më shumë cikle shkollore për të paktën pesë vjet e po të jetë fjala për filloren, duhet ta mbarojnë me sukses.

Për fitimin e shtetësisë do të nevojitet një “deklaratë dëshire” e paraqitur në Komunë nga prindërit, para mbushjes së moshës madhore të fëmijës, përndryshe ky mund ta paraqesë vetë nga mosha 18 deri në 20 vjeç. Gjithnjë në këtë moshë (nga 18 deri në 20 vjeç) i interesuari mund edhe të heqë dorë nga shtetësia italiane, me kusht që të ketë një tjetër.

Të tjera rregulla për të rinjtë që kanë ardhur në Itali brenda moshës 18 vjeçare. Do të mund të bëhen italianë pas gjashtë vjetësh rezidencë të rregullt dhe pasi të kenë ndjekur dhe përfunduar një cikël shkollor apo një rrugëtim shkollimi dhe formimi profesional. Por në këtë rast nuk flitet për një të drejtë të fituar, por për një dhënie shtetësie, pra që i nënshtrohet diskrecionalitetit të Shtetit.

Në tekst ka edhe një normë kalimtare për ata që sot i kanë mbushur 20 vjeç, dhe që ndërkohë i plotësojnë kriteret e parashikuara nga ligji i ri. Në fakt, do të mund të bëhen italianë të lindurit në Itali ose të ardhurit kur ishin nën moshën 12-vjeçare, nëse kanë ndjekur këtu për të paktën pesë vjet një apo më shumë cikle shkollore e kanë jetuar “në mënyrë të ligjshme e të pandërprerë gjatë pesë vjetëve të fundit në territorin italian”. 

Kush hyn në këtë kategori për të cilën është e vlefshme norma kalimtare, do të ketë vetëm një vit kohë nga ardhja në fuqi e reformës për të paraqitur në Komunë “deklaratën e dëshirës” për t’u bërë italian. Më pas do të duhet të presë që brenda gjashtë muajve ministria e Brendshme të japë pëlqimin e saj, pasi kjo të ketë verifikuar që në ngarkim të kërkuesit të shtetësisë në të kaluarën të mos ketë pasur mohim të shtetësisë, dëbim apo largim me forcë nga Italia për motive të sigurisë kombëtare.

K.B. Shqiptariiitalise.com

Lexo edhe:
Teksti i plotë i reformës së shtetësisë (në italisht) i miratuar në Dhomën e Deputetëve

Mashtrimet me reformën e shtetësisë

 

Kapllani e le riflessioni sul Breve diario di frontiera conquistano Parma

Revista Vogue “Kryeqyteti shqiptar, destinacion i leverdishëm e plot gjallëri”