Si çdo vit, edhe këtë nëntor shumëfishohen veprimtaritë e komunitetit shqiptar. Në të katër anët e çizmes festohet dita e Flamurit, kujtohet përvjetori i 105-të i shpalljes së Pavarësisë. Në vijim disa prej veprimtarive, të cilave kushdo mund t’u shtojë (në formën e komentit) të tjera që po zhvillohen në zonën ku jeton.
Në veçanti ia vlen të përmendet e ashtuquajtura javë e kulturës shqiptare në Parma, pasi në të vërtetë i kapërcen kufijtë kohorë të javës, që prej disa viteve radhazi organizohet nga shoqata Scanderbeg. “Java” festive e këtij viti ka nisur më 9 nëntor e do të përfundojë të martën e ardhshme, më 28 nëntor.
Në Udine, shoqata italo-shqiptare “Insieme” organizon të shtunën më 25 nëntor, mbrëmjen “Shqipëria – Imazhi i një vendi që ndryshon” ku janë të ftuar shkrimtarja Anilda Ibrahimi, autore e disa romaneve, i fundit “Il tuo nome è una promessa”, gazetari Antonio Caiazza, autor i librit “La notte dei vinti”. Mbrëmja do të mbyllet me emocionet e harenë që Bardh Jakova me orkestrën e tij “Spartiti per Scutari” dinë të sjellin më së miri me muzikën, ritmin e këngët e tyre.
Në Romë, të dielën (26 nëntor) pasdite, në kishën Shën Gjoni i Malvës, shoqata Besa në bashkëpunim me Migrantes, Konferencën Episkopale Italiane (koordinimi baritor i shqiptarëve në Itali), organizon një koncert me këngë tradicionale shqiptare. Do të marrin pjesë këngëtaret lirike Ana Lushi, Hersi Matmuja, Irida Dragoti të shoqëruara në piano nga Oliver Gruda.
Shoqata Skanderbeg në Fermo, ka nisur festimet që të premten shkuar. Të shtunën, më 25 nëntor organizon një darkë gala me muzikë shqiptare nga të gjitha trevat. Do të marrin pjesë këngëtari Arben Sinani me klarinetisti Gjergji Vrushaj dhe organisti Abdulla Bulku, këngëtari Shkëlqim Beshiri e DJ Vasjar Ramaj si dhe këngëtari Gëzim Kodraliu me instrumentistët Hysni Pireci, Ismet Kuka, Sali Kuka e Imerli Senaj.
Paraditen e të dielës, 26 nëntor, në sheshin Skanderbeg të Fermos do të mbahet ceremonia festive për 28 dhe 29 nëntorin. Ndërsa të shtunën më 2 dhjetor, pranë selisë së shoqatës do të përurohet hapja e shkollës shqipe.