Të enjten, 23 nëntor në orën 18:00, në sallën e Kishës Valdese në rrugën Marianna Dionigi 59
Romë, 22 nëntor 2017 – Pas prezantimit të suksesshëm në Tiranë dy javë më parë, “Gra të Shqipërisë. Midis migrimit, traditës dhe modernitetit”, do të prezantohet në Romë nesër 23 nëntor në orën 18:00. Takimi, i organizuar nga shoqata kulturore italo-shqiptare Occhio Blu Anna Cenerini Bova, revista Confronti dhe Libraria Claudiana e Romës do të mbahet në sallën e Kishës Valdese në rrugën Marianna Dionigi 59.
“Gra të Shqipërisë. Midis migrimit, traditës dhe modernitetit”, me autorë sociologun Rando Devole dhe gazetarin Claudio Paravati, drejtor i revistës Confronti, është i pari libër që përmes të dhënave statistikore, dëshmive, reflektimeve dhe analizave jep një panoramë mbi gjendjen, problemet dhe rolin e gruas shqiptare, veçanërisht asaj të mërguar në Itali. Nga një anë, libri dëshiron të promovojë një proces njohjeje e nga tjetra të nxisë debatin mes aktorëve të ndryshëm të shoqërisë, mbi situatën e grave dhe problematikat e tyre, tema me rëndësi të jashtëzakonshme e tejet aktuale, që meritojnë vëmendjen e institucioneve dhe të gjithë shoqërisë qoftë në vendlindje e qoftë në Itali.
Në prezantimin që do të bëhet nesër në Romë, veç autorëve të librit, me moderimin e ambasadorit Mario Bova, kryetar i shoqatës Occhio Blu, do të marrin fjalën Emanuela Del Re, sociolog, Vojsava Tahiraj, eksperte në ndërkulturë, Adele Budina, producent kinematografik. Takimi do të përshëndetet nga senatorja italiane Camilla Fabbbri, përfaqësuese e Shoqatës parlamentare e miqësisë Shqipëri-Itali, dhe nga Anila Bitri, ambasadore e Shqipërisë në Itali.