“Respekti ynë për të vdekurit, kur sapo kanë vdekur,
është diçka e mrekullueshme dhe mënyra se si e shprehim atë,
është edhe më e mrekullueshme” – John Ruskin (1819–1900),
sociolog dhe kritik arti anglez
Nga Eugjen Merlika
Këto ditë opinioni publik italian u përballua, ndërmjet të tjerave, me një lajm disi të veçantë: kryetari i mafies korleoneze, më të rëndësishmes së llojit në Siçilinë me famë për këtë dukuri të shëmtuar, Salvatore Riina, i arrestuar tashmë në vitin e largët 1993, e i dënuar me 26 burgime të përjetshme, ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare në spitalin e burgut të Parmës, ku kryente dënimin në formën e tij më të ashpër, 41 bis. Familjarët u lajmëruan dhe u lejuan të qëndrojnë pranë kufomës, në morgun e spitalit për rreth gjysmë ore. Pastaj ata u larguan, të ndjekur nga gazetarë e fotoreporterë të etur për hollësira e intervista, me premtimin se, mbas disa ditësh, do të mund ta varrosnin njeriun e tyre të dashur në qytetin Corleone, vendlindja e tij, premtim që u përmbush plotësisht me futjen e trupit të tij në varrezën e familjes pa ceremoni publike më 22 nëntor.
Komentet e kësaj ngjarjeje qenë të shumta, me nota të theksuara ironie deri në urrejtje, por asnjëri prej tyre nuk vuri në dyshim drejtësinë e vendimit që kufoma e një mbikrimineli, i cili paditet për rreth njëqind vrasje të llojeve të ndryshme, të kryera drejtpërdrejt apo tërthorazi, duhej t’i dorëzohej familjes së tij e të varrosej normalisht në tokën ku lindi. Kjo ndodh për faktin se Italia, si mendësi, është pjesë e atij qytetërimi që respekton jetën dhe vdekjen, jo vetëm si dukuri themelore të qenies njerëzore, por din të ndajë edhe qëndrimin kundrejt njeriut në jetë dhe atij në çastin që largohet prej saj. Vdekja e një krimineli nuk asgjëson krimet e jetës së tij, të cilat mbeten në analet e gjykatave, në kujtesën e individëve apo të shoqërisë, shpesh në historinë e saj, gjithmonë të gjallë si monumente të pashlyeshëm të së keqes njerëzore.
Dënimi i tyre mbetet një detyrë e përhershme e shteteve ligjore, në të cilat krimi nuk arrin të depërtojë në institucionet, veçse në raste tepër të rralla, që nuk paragjykojnë veprimtarinë e tyre. Akti i vdekjes përbën kufirin skajor të ekzistencës tokësore, një kufi ndërmjet jetës në këtë tokë dhe një jete tjetër, për ata që e besojnë, që vazhdon në pafundësi. Në çastin e vdekjes njeriu shkëputet nga bota e detyrimet kundrejt saj, pra edhe nga veprimi i ligjeve njerëzore mbi të. Trupi pa jetë i njeriut, në secilën shoqëri të qytetëruar, nuk është më objekt i ligjeve, të cilat nuk duhet të kenë më asnjë autoritet mbi të. Varrimi mbetet një e drejtë e posaçme e familjes dhe rrethit shoqëror të të vdekurit, të cilët e kryejnë atë në përputhje me ligjet në fuqi. Sido që të ketë qenë njeriu, në çfarëdo rrethanash të ketë ndodhur vdekja, në çfarëdo forme shtetërore të ndodhë, Shteti nuk duhet të vazhdojë të jetë pronar i trupit të tij.
Kjo e vërtetë, e lashtë sa bota, del në pah në mënyrë të përsosur nëpërmjet njërit ndër monumentet më madhështorë të letërsisë botërore, “Iliadës” së Homerit. Qëndrimi i Akilit, i fituesit të dyluftimit me Hektorin, kundrejt trupit pa jetë të armikut të tij, është jo vetëm një episod prekës për vlerat e pohuara, por edhe një mësim universal e i përjetshëm. Trupi pa jetë i Hektorit i dorëzohet mbretit Priam, babait të tij, me nderimet më të larta. Trupi pa jetë i kujtdo qoftë, në bazë të një ligji sa hyjnor, aq dhe njerëzor, i përket vetëm vatrës në të cilën ka lindur. Asnjë autoritet, i çfarëdo rangu qoftë, nuk ka të drejtë morale e juridike ta shkelë atë ligj.
Fatkeqësisht, ky mësim domethënës, jo gjithmonë është mbajtur parasysh në historinë e gjatë të luftërave mes njerëzve e shteteve të tyre. Jo gjithmonë është shfaqur respekti i duhur kundrejt trupit të vdekur të kundërshtarit e jorrallë “varrezat e përbashkëta” janë bërë streha e fundit tokësore e atyre që kanë humbur jetën në luftime. Si dukuri, ajo mbetet shprehje e barbarizmës dhe e dhunimit të ligjeve bazë etike e morale të njerëzimit.
Kjo dukuri, sa e shëmtuar aq edhe e dëmshme, fatkeqësisht ka qenë ligji i shkruar e i pashkruar i Shtetit tonë për gati gjysmë shekulli. Komunizmi shqiptar, shëmbëlltyra e përvojave më të llahtarshme të sendërtimit të teorive kriminale të etërve të tij shpirtërorë e biologjikë, në atë fushë tregoi katërçipërisht prirjen e tij famëkeqe. Në atë gjysmë shekulli të gjithë të dënuarit për motive politike si kundërshtarë të regjimit, që ndërronin jetë forcërisht apo në mënyrë të natyrshme, groposeshin në fshehtësi diku, në një copë vend të panjohur, për të cilin as nuk ruhej ndonjë dokument në arkivat, që ishin të tejmbushura me miliona fletë të mbikëqyrjes së Sigurimit të Shtetit mbi qytetarët e Shqipërisë. Qëllimi djallëzor i kësaj praktike makabre synonte të zhdukte çdo gjurmë në kujtesën e pasardhësve, e cila do të ballafaqohej me mungesën e plotë të çfarëdo objekti lëndor. Si pasojë e kësaj strategjie të urryer deri në neveri, dhjetëra-mijëra qytetarë shqiptarë nuk kanë një varr, një shenjë të dukshme në të cilën familjarët e pasardhësit të kenë mundësi t’i nderojnë kujtimin, nëpërmjet një tufe me lule apo një qiriu të ndezur, si kudo në botë.
Kjo ishte një nga shprehjet më mizore të “luftës së klasave” të sistemit të markës enveriste, e cila nuk njihte caqe në barbarizmin e saj e kufij në poshtërsinë e tij. Lufta me të vdekurit ishte një “meritë” e udhëheqjes kriminale shqiptare, e cila nuk njihte e nuk respektonte asnjë parim të bashkëjetesës njerëzore, që e shtrinte zullumin e saj nga foshnjat e djepit deri tek eshtrat e të dënuarve. Primatet shqiptare në këtë drejtim “ngjethin erën”. Fatkeqësisht edhe Shteti ynë i mbas diktaturës nuk pati kurrë guximin e kurajën t’i paditë ata, të shkëputet prej tyre me një dënim të qartë, të prerë e në dritë të diellit, për të mos u lënë brezave që do të vijnë një njollë turpi të pashembullt të gjyshërve të tyre, të pashembullt në botën e sotme, veçse në përvojat më tragjike të saj.
Pa varre në Shqipërinë komuniste mbetën qindra e mijëra personalitete të të gjitha fushave të dijes, të shkencës, artit, letërsisë, ekonomisë, besimeve fetare, politikës. Lista e tyre është shumë e gjatë dhe emrat e tyre janë stoli shumë e çmuar e këtij Vendi. Ata mbetën pa varr, sepse u ekzekutuan apo vdiqën burgjeve me dënime të rënda, mbasi nuk iu nënshtruan shpirtërisht e intelektualisht sistemit të diktaturës, nuk pranuan të bëhen bashkëpunëtorë të saj. Mjaft prej tyre ranë dëshmorë të qëndresës nëpër male kundër sistemit, si heronj të vërtetë të truallit arbëror. Mbetën pa varre ose përfunduan në “varrezat e përbashkëta”, shumë njerëz sepse kërkuan të gjenin lirinë e panjohur përtej kufijve e trupat e tyre u tërhoqën rrëshqanë për të kallur tmerrin nëpër qytete në fundin e shekullit të njëzetë në Evropën e qytetëruar…….
Kjo qe njëra anë, ndoshta më e zeza, e trashëgimisë që na la 29 nëntori 1944, të cilin ne vazhdojmë ta festojmë zyrtarisht e solemnisht si prurësin e “lirisë”, duke anashkaluar apo shkelur vazhdimisht mbi kujtesën e mbrapshtë të atyre krimeve që njollosën virtytet tona të trashëguara, përmbysën traditat tona, shkallmuan e përdhosën botën tonë shpirtërore. Është tepër i trishtueshëm pajtimi shpirtëror e mendor me atë gjendje, mungesa e kundërveprimit, pranimi në heshtje i një historie që la pa varre bashkatdhetarët tanë më të mirë, shumë prej të cilëve do të na i kishte zili cilido komb i zhvilluar i botës, në të cilin ndoshta do të kishin përmendoret e tyre. Është akoma më i trishtueshëm himnizimi i paskrupullt i asaj historie, e vërteta e tjetërsuar edhe në sytë e një brezi tjetër, mungesa e vetëdijesimit për greminën morale në të cilën ishim zhytur…..
Një episod i thjeshtë i kronikës italiane të këtyre ditëve, një varrim i një kampioni të dhunës më solli ndër mend viktimat e panumërta të dhunës në Vendin tim, që nuk kanë ende një varr. Iu mohua ai varr sepse u quajtën “armiq”, “tradhtarë”, “agjentë”, “sabotatorë”, “të shitur”, nga njerëz që atdheun e bashkuar në vitet 1941–1945 ua dorëzuan bujarisht “vëllezërve” jugosllavë e që sendërtuan në Shqipëri diktaturën më mizore të gjithë historisë së saj. Ndërsa ata ishin shqiptare e shqiptarë të mrekullueshëm sepse flijuan jetët e tyre për të pohuar deri në fund vlerat morale e dinjitetin e tyre që ishte dhe dinjiteti i atdheut të tyre.
Botuar në Mapo