Sipas ministrisë së Brendshme, nga fillimi i këtij viti, në kuadrin e luftës ndaj terrorizmit, janë dëbuar me shoqërim në vendlindje 100 persona
Dy qytetarë shqiptarë janë dëbuar sot nga territori italian për arsye sigurie të shtetit. Ishin që të dy rezidentë në Puglia e jo turistë, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur.
Sipas mediave lokale, njëri prej të dëbuarve, 24 vjeç rezident në Lucera të Foggias, ra në shënjestër të policisë gjatë hetimeve të kryera mbi të ashtuquajturit “Foreign fighter” të shtetit islamik. Nga hetimet doli në dritë veç lidhjeve të ngushta me një tjetër bashkatdhetar që favorizonte imigracionin klandestin, edhe lidhje me një grup ekstremist islamik në të cilin bënin pjesë dy vëllezër shqiptarë të përzënë korrikun e shkuar.
Është zbuluar gjithashtu se në Facebook 24-vjeçari kishte shpërndarë shkrime anti-perëndim dhe kishte marrë pjesë aktive në një grup Whatsapp në të cilin promovohej xhihadi.
I lidhur ngushtë me të rezultoi se ishte edhe një tjetër shqiptar, 23-vjeçar i afërt me një grup kriminal shqiptar që merrej me trafik qeniesh njerëzore në Foggia, që në facebook kishte si imazh profili një foto të vetën me pistoletë në dorë.
Të dy shqiptarët u shoqëruan në vendlindje nga Bari.
Ministria e Brendshme, me dhënien e lajmit të këtij dëbimi, ka shpjeguar gjithashtu se vetëm gjatë këtij viti u është dhënë masa e dëbimit dhe janë shoqëruar në vendlindje për arsye të sigurisë kombëtare 100 persona. Nga 1 janari 2015 shifra ka shkuar në 232 e të gjithë të dëbuarit kanë qenë të ambjenteve të ekstremistëve fetarë.