in

Rreth 10 mijë fëmijë të lindur në 2016-tën kanë të paktën njërin prind shqiptar

Vitin e shkuar ka rënë nën 70 mijë numri i të sapolindurve të huaj në Itali, ndërsa ai i shqiptarëve nën 7.300. Bie nën 10 mijë numri i të sapolindurve me të paktën njërin prind shqiptar, por është padyshim më i lartë numri i të sapolindurve që kanë “gjak shqiptari“. Të dhënat e fundit ISTAT

Romë, 14 shkurt 2018 – Vazhdon të bjerë për të tetin vit rresht numri i lindjeve në Itali. Për të gjithë, italianë e të huaj. Në vitin 2016, kanë lindur 473.438 vetë, apo mëse 12 mijë më pak se një vit më parë: në vitin 2015 kanë lindur 485.780 kurse në vitin 2008, 576.679 fëmijë. Nga të lindurit e vitit 2016, 21,2% ose 100.363 kanë të paktën një prej prindërve të huaj.

Edhe për komunitetin shqiptar vërehet që numri i të lindurve është në rënie të vazhdueshme, madje ka shkuar nën 10 mijë: në vitin 2016 kanë lindur 9.882 fëmijë me paktën njërin prind shqiptar. Në vitin 2015 shifra ishte 10.129 fëmijë, në 2014-tën 10.314, në vitin 2013 të lindurit me të paktën një prind shqiptar ishin 10.546.

Janë këto disa nga shifrat e raportit më të fundit të Institutit Statistikor Italian, ISTAT, mbi lindjet në Itali për vitin 2016 të botuara nga fundi i vitit të shkuar.

Duke parë shtetësinë e prindërve, raporti vë në dukje se janë në rënie lindjet nga të gjitha llojet e çifteve, qoftë ato italiane, qoftë ato të përziera e qoftë ato të përbëra nga dy të huaj. Por gjithsesi rënia e përgjithshme është kryesisht pasojë e lindjeve më të pakta të çifteve italiane (rreth 12 mijë më pak se në vitin 2015).

Për të katërtin vit rresht, bie gjithashtu edhe numri i fëmijëve me të paktën një prind të huaj: numërohen 100.363 në vitin 2016 kundrejt 100.766 të sapolindur në vitin 2015, 104.056 në vitin 2014, 104.100 në vitin 2013 dhe 107.339 në vitin 2012).

Bie gjithashtu edhe numri i të sapolindurve me të dy prindërit të huaj, që pas shumë vitesh shkon nën 70 mijë, më saktësisht 69.379. Në 2015 numëroheshin 72.096, në 2014-tën ishin 75.067.

Po të merret në konsideratë shtetësia e nënave të huaja, njësoj si vitet e fundit, në vend të parë renditen rumunet (19.147 të sapolindur në vitin 2016), në të dytin marokenet (11.657) dhe në vend të tretë shqiptaret me 8.961 në vitin 2016 por ishin 9.257 në vitin 2015, 9.606 në vitin 2014 dhe 9.966 në vitin 2013). Renditje kjo që përputhet edhe me atë të komuniteteve të huaja në Itali.

Më në hollësi, për komunitetin shqiptar, nga raporti shihet që 7.278 fëmijë të sapolindur i kanë të dy prindërit shqiptarë (ishin 7.830 fëmijë në vitin 2015) 921 kanë babanë shqiptar e nënën italiane (kundrejt 872 rasteve të vitit 2015) dhe 1.683 kanë nënën shqiptare dhe babanë italian (ishin 1.427 të 2015-tës). Këto shifra na thonë dy gjëra: nga njëra anë, që konfirmohet prirja e shqiptarëve – si edhe të komuniteteve të tjera – për të krijuar familje mes bashkëkombësish, dhe nga ana tjetër, rritja e konsiderueshme e numrit të fëmijëve nga çiftet e përziera ka të bëjë edhe me faktin se shumë prej këtyre çifteve në të vërtetë janë të formuara nga shqiptarë, por njëri prej tyre ka marrë ndërkohë shtetësinë italiane.

Në përgjithësi, rënia e lindjeve mes shqiptarëve justifikohet edhe me faktin që shumë prej tyre po marrin shtetësinë italiane (rreth 37 mijë gjatë vitit 2016, rreth 200 mijë nga 1990 e këtej), ndaj është e vështirë të thuhet sa prej të sapolindurve kanë “gjak shqiptari”, por padyshim numri është më i lartë se 9.882 që jep ISTAT, gjë që e vë në dukje edhe vetë instituti statistikor.

Nga ana tjetër, këto shifra të para nga Shqipëria janë shumë të rëndësishme. Po të mbajmë parasysh që në Shqipëri gjatë vitit 2016 kanë lindur 31.733 foshnje (sipas të dhënave të INSTAT-it), dhe që komuniteti shqiptar në Itali është vetëm një pjesë e të gjithë atyre shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të vendit, mund të thuhet pa frikë që lindin më shumë shqiptarë jashtë Republikës së Shqipërisë se brenda saj.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Vazhdon “braktisja” e të miturve shqiptarë në Itali

Bashkimi familjar, minimumi i të ardhurave të nevojshme për 2018-tën