in

8 përkufizime për 8 Marsin

“Ti grua, për 8 Marsin, a e ke një interpretim tëndin?”
Nga Adela Kolea

 

Dëfrim, shfrenim, informim, hulumtim, përkujtim, indinjim, protestë, apo sensibilizim? Ç’është 8 Marsi për ty? Është edhe i yti një prej përkufizimeve të mësipërme, disa prej tyre apo asnjëri?

Sa “8 Marse” iu bënë asaj gruaje, që këtë datë e kalon nën dhe, kur pasi e dhunuar, është vrarë nga dora e një burri xheloz apo të frustruar?
Sa “8 Marse” iu bënë asaj gruaje brenda qelisë së burgut femëror, asaj që deklaron se fundja, ajo nuk konsideron si “burg” atë institucion ku aktualisht po vuan dënimin por, “burg” konsideronte katër muret e shtëpisë së saj ku rregullisht dhunohej, prej nga mori edhe shtysën të kryente atë krim, që nuk do të kishte dashur kurrë që të ndodhte e që po vuan në izolim në këto momente rrjedhojën e tij?
Sa “8 Marse” iu bënë atyre grave që luftojnë për barazinë gjinore të kuotave në politikë, pa marrë ende ndonjë reagim konkret?
Sa “8 Marse” rrezikon të mos jetë e pranishme fizikisht për t’i kremtuar, kjo apo ajo grua?
Sa “8 Marse” duhej të festonte ende ajo grua që la jetën në punë nga kushtet e vështira, apo ajo në sallë të maternitetit, duke dhënë në dritë fëmijën e saj, nga gabimet mjekësore ku, ende, një lindje përkon me rrezikshmëri të lartë të jetës për nënën?
Sa “8 Marse” i kalon në heshtje ajo grua që ende fyhet, ofendohet, dhunohet, nënvleftësohet?
Sa “8 Marse” duhet të kalojnë ende që, ajo grua në zonat rurale, të ketë një vizion alternativ për jetën, ndryshe nga ai i lidhur ekskluzivisht me tokën e prodhimtarinë e saj?
Ndërkohë, sot a gjendemi ende në prag të një 8 Marsi të ri, i cili përkon për një kategori grash thjesht me përkthimin “shfrenim”?

– Paraprakisht më lind edhe një pyetje tjetër:
Pse në Shqipëri, në 2018-ën ngatërrojnë akoma 8 Marsin, “Ditën Ndërkombëtare të Gruas” me “Festën e Nënës?”
Po grave që jo domosdoshmërisht janë nëna, nuk u përket kjo ditë në Shqipëri?
“Po gratë italiane, e festojnë 8 Marsin si ne shqiptaret?”- më pyetën.

Nga një pyetje që më bëri një gazetare nga Shqipëria: “Po gratë italiane, a e festojnë 8 Marsin si ne shqiptaret?” mora shkas të hedh këto dy rreshta mbi argumentin në fjalë.

Paraprakisht duhet vërejtur se ç’nënkupton ti me atë: “Të festuarit e 8 Marsit si ne shqiptaret!”– e pyeta unë kësaj radhe miken e kolegen time.
Më tej, më duhet të pohoj se kam hasur që prej mbërritjes sime në Itali në 92-shin, në lidhje me këtë datë, pra me 8 Marsin, përqasje të ndryshme edhe nga vetë gratë italiane.
Pa qenë nevoja të përmend apo përsëris arsyet historike të kësaj date, më qe krijuar automatikisht përshtypja madje që ne shqiptaret, ndoshta sepse vinim nga diktatura dhe propaganda përkatëse për figurën e gruas, nga ajo që, rregullisht kremtonim 8 Marsin menjëherë pas festës së mësuesit më datë 7 – unë kujtoj që fëmijë, në Shqipëri, rreptësisht e me përpikmëri për 8 Mars, gratë këtë ditë festonin në mënyrë të organizuar, në zonat urbane e kryeqytet të paktën – pata perceptimin pra se ne, këtë datë e kujtokemi më tepër se italianet!
Mblidheshin gratë shqiptare në grupime të mëdha në vitet ’80, unë shkoja gjithnjë pas atyre grave, shoqeve e kolegeve të qendrës së punës së nënës sime, të cilat për 8 Mars shkonin rregullisht shëtitje me autobuzë, e kalonin ditën jashtë Tiranës, duke vizituar çdo 8 Mars, qytete të ndryshme të Shqipërisë, nga Veriu në Jug. Madje unë, kurioze që fëmijë, shfrytëzoja këtë oportunitet për të njohur zona të ndryshme shqiptare. Kjo vinte si rrjedhim i konceptimit të barazisë gjinore nën diktaturë dhe emancipimit të gruas së kohës.

Them se si çdo popull pra, meqë kolegia ime nga Shqipëria ishte e interesuar, edhe në lidhje me këtë event, italianet, ndahen me kategori:
– Has nga ato që nuk e dinë se ç’është 8 Marsi, si ka lindur, ç’kuptim apo lidhje ka me “Ditën e Gruas”.
– Has nga ato të teorisë: “Pse, një datë e përcaktuar në kalendar do të na bëjë të evidencojmë një event?” (Unë them se po të ishte ashtu, merreshim vesh me gishta e zhduknim edhe kalendarët fare…)
– Has nga ato që “festim” e përkthejnë si “tërbim”.
– Has nga ato që kremtimin në vetvete e ekuilibrojnë duke e përpjesëtuar në një shumëllojshmëri veprimtarish informative, kulturore e sensibilizuese mbi gruan, sipas vizioneve e intelektit.
– Has nga ato shtëpiake italiane që nuk dalin kurrë nga shtëpia dhe si rrjedhim, as për 8 Mars.
– Kam mbledhur dëshmi nga disa gra italiane nga Jugu i Italisë të cilat, për faktin se ishin femra, pas fillores duhet të qëndronin në shtëpi, të mos vazhdonin më tej studimet, mjafton që nuk ishin më analfabete e kishin mësuar shkrim e lexim. E nuk flas për italiane të moshuara por kujdes, për 40 vjeçare mesatarisht.
– Has nga ato që presin 8 Marsin për t’u ndier “të vlerësuara” nga një tufë mimozash, që ndiejnë të nevojshme t’i ekspozojnë madje me fotografi nëpër rrjete sociale.

Unë e kam cilësuar gjithnjë se, nuk më pëlqen as patetizmi i kujt, në një darkë të këndshme midis shoqesh apo kolegesh – qoftë edhe pikërisht në këtë datë, më 8 Mars – në konsumimin e një pice në shoqëri, vëren një objekt “kritike” apo thashethemesh.
Shoqëria ndërmjet grash ka vlerën e saj dhe pikërisht se dilet në grup në këtë ditë, kjo merr një formë domethënëse fundja, përtej mënyrës specifike të organizimit.
Duhet menduar përse jo, edhe për ato gra që qoftë edhe për një picë në shoqëri, u duhen “viza diplomatike” nga: burri, vjehrri, vjehrra, kunetërit, që i presin me orë në dorë se kur po kthehen, që i kontrollojnë se çfarë po veshin e si po trukohen.
Ju duket çudi të ndodhin këto dukuri në 2018-ën? Them se, në të kundërt, çudi nuk përbëjnë aspak. Ekzistojnë pra dhjetëra “gdhendje diamanti”, varet se cila i jep evidencën dhe pamjen e duhur gurit të çmuar.

“Për këtë mendoj se ndërgjegjësimi ndaj një dite të tillë duhet të jetë jo vetëm “shqiptar” por, mbarëkombëtar” – vijova diskutimin me miken time, gazetare në Shqipëri, unë që këtej nga diaspora.

 

Il nostro futuro in Italia? Alimadhi: “Diventare fattore economico, culturale e, di conseguenza, politico”

Çdo 10 udhëtarë në Rinas, 6 shkojnë apo vijnë nga aeroportet italiane