in

Presidenti Topi: “Të flasë vetëm drejtësia dhe të tjerët të heshtin”

 

Tiranë, 9 shkurt 2011 – Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ka dhënë sot një konferencë për shtyp lidhur me aktualitetin politik në vend. Së pari ai thotë qartë që shqiptarët ende nuk janë sqaruar mbi atë çka ndodhi më 21 janar. “Institucionet dhe qytetarët kërkojnë drejtësi. Viktimat dhe familjarët e tyre kërkojnë të vendoset drejtësia, institucionet e dhunuara kërkojnë të veprojë drejtësia, të gjithë qytetarët kërkojnë drejtësi, siguri dhe qetësi”. Por “fatkeqësisht – vë në dukje presidenti – beteja e gjatë politike, e cila shkaktoi në fakt 21 janarin, vazhdon të prodhojë fajtorë dhe të fajësuar, përgjegjës dhe bashkëpërgjegjës, të akuzuar dhe akuzues, duke anashkaluar thelbin dhe përgjegjësinë politike dhe duke penguar drejtësinë në të gjitha hallkat e saj të ndajë të vërtetën nga e pavërteta”.

Lidhur me marrëdhëniet e ndera mes institucioneve dhe presionin e politikës mbi institucionet e pavarura, presidenti Topi thekson: “Në një shtet demokratik, respekti ndaj ligjit dhe institucioneve përbën shpirtin e shtetit dhe moralin e shoqërisë. Qytetarët e Shqipërisë, sot, si qytetarë të NATO-s, nuk mund të lejojnë që fryma e anti ligjit të shtyjë vendin prej një rruge nga jemi larguar prej vitesh”.

Lidhur me komisionin parlamentar të krijuar për hetimin e ngjarjes së 21 janarit, Topi tha se “Është legjitime që Kuvendi, pavarësisht se është trajtuar vetëm në një krah, ka të drejtën e tij të punojë. Komunikimi i Kuvendit me institucionin e Presidentit ka qenë publik. Unë kam asistencë juridike mjaft të mirë. Duke iu referuar Kushtetutës, kam thënë se Presidenti pranon të dëshmojë sipas ligjeve të kushtetutës. Thanë që më kanë kërkuar të informoj, jo të dëshmoj. Kushtetuta ka një paragraf shumë të qartë për këtë”.

Sa për qëndrimin e tij ai shprehet hapur: “Flas dhe duhet të flas në emër të qytetarëve dhe jo në emër të partive politike. Presidenti përfaqëson interesat e të gjithë shtetasve dhe shtresave të shoqërisë. Unë mbetem zëdhënësi edhe i atyre që nuk ndihen të përfaqësuar politikisht, edhe i atyre, zëri i të cilëve nuk mbërrin tek veshi i politikanëve, edhe i atyre që janë të pakënaqur nga politika, nga qeveria apo opozita, pavarësisht se mund të kenë votuar për to, edhe i atyre të cilët sot janë të përhumbur në mjegullnajën politike të pas 21 janarit. Unë si, President i Republikës, nuk i takoj më një pjese. I takoj, së pari qytetarit, dhe e gjithë veprimtaria ime shndërrohet në insitucionale në respekt të ligjeve dhe interesit kombëtar”.

Në përfundim të konferencës së shtypit, pyetjes së gazetarëve në lidhje me zgjedhjet e parakohshme, Presidenti iu përgjigj: “Nuk futem dhe nuk bëhem pjesë e partive politike. Mesazhi im konstant është rikthimi i dialogut”.

Mbi 31 vjet burg për dy shqiptarët që vranë Ilir Krypin

Ndalohet gardisti i dytë për vrasjet e 21 janarit